Raporti i Freedom House është lajmi i vërtetë!

Nga Ermal Peçi

Palët politike gjatë ditës së sotme përdorën çdo mekanizëm të mundshëm, për të zhvendosur vëmendjen kryesore nga lajmi i vërtet që duhet të dëgjonin qytetarët. Duket sikur ka një marrëveshje jo vetëm politike, por underground midis mazhoranncës dhe Rithemelimit të Berishës për ta mbajtur shoqërinë shqiptare larg të vërtetës.

Protesta që u lajmërua nga mbështetësit e Berishës përpara bashkisë së Tiranës dhe parlamentit solli një mobilizim të forcave të policisë deri në autobote ujë që do të përdoreshin për të shpërndarë protestuesit. Shumë zhurmë për asgjë, u fokusua gjithë media për ta trompetuar një protestë, e cila pati më shumë policë se sa protestues.

Kjo ishte dhe fabula, e cila nuk po pi më ujë as tek mbështetëtësit e Berishës, të cilët mesa duket janë lodhur nga teatri dhe nga marrëveshjet që grupi parlametar i tij mbylli me Ramën. Në anën tjetër ishte beteja për të çuar në Kushtetuese mandatin e Olta Xhaçkës, e cila pavarësisht çfarë vendimi merr parlamenti karriera e saj politike duket se është drejt fundit për një sërë arsyesh objektive, por edhe nga hetimi i fundit i SPAK për investimin strategjik të bashkëshortit të saj. Pavarsisht teatrit, i cili ka 33 vite që ndodh në klasën tonë politike dhe skenarëve që krijohen për të zhvendosur vëmendjen nga problematikat reale, lajmi i vetëm shumë i rëndësishëm për shqiptarët që secili prej tyre duhet ta lexojë e të ketë informacion është raporti i Freedom House.

Organizata Freedom House, me seli në Uashington, në raportin e fundit “Vendet në Tranzicion 2024: Një rajon përballë forcave të autokracisë dhe demokracisë” të publikuar të enjten, thekson se demokracia në Shqipëri u ndesh me një sërë sfidash, veçanërisht gjatë zgjedhjeve të muajit maj, të cilat konsoliduan më tej pozitën dominuese të partisë në pushtet.

Në kapitullin për Shqipërinë, Freedom House po ashtu vë në dukje përkeqësimin e gjendjes së mediave dhe zvogëlimin e hapësirës të shoqërisë civile. Sipas organizatës, korrupsioni vazhdon të mbetet dukuri shqetësuese në Shqipëri. Vlerësimi i përgjithshëm i organizatës për Shqipërinë mbetet i pandryshuar nga viti i kaluar, duke e cilësuar si një vend me sistem hibrid të qeverisjes.

‘Freedom House’ vlerëson përpjekjet e SPAK-ut për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe veçon rezultatet e hetimeve ndaj figurave politike.

“SPAK-u gradualisht përmirësoi rezultatet e hetimeve të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe ngriti akuza kundër një numri politikanësh kryesorë në Shqipëri në vitin 2023, duke u bërë njëri nga institucionet e pakta funksionale të drejtësisë dhe prokurorisë në vend, ndërkohë që procesi i vetingut në Shqipëri vazhdoi edhe gjatë vitit 2023″,thuhet në raport.

Raporti i referohet hetimeve të SPAK-ut ndaj ish kryeministrit Sali Berisha për korrupsion, për të cilin ai është shpallur non-grata nga SHBA dhe Britania e Madhe dhe shton se krahu i tij politik “është shndërruar në një grup të dhunshëm, që duket se dëshiron të destabilizojë vendin, duke e bërë arrestimin e tij lajm të mirëpritur për shumë njerëz.”

Sipas raportit, “pas hetimeve dhe akuzave të SPAK-ut ndaj Berishës dhe Ahmetajt, si dhe ekspozimit të lidhjeve ndërmjet disa grupeve të krimit të organizuar me biznese, politikanë dhe agjenci të rendit” është vënë re “një fushatë në rritje dezinformimi nga disa portale dhe nga figura të larta politike në qeveri dhe opozitë për të diskredituar punën e SPAK-ut.”

Sipas ‘Freedom House’: “partitë politike shqiptare vazhdojnë të mos jenë në gjendje të përballen me korrupsionin në radhët e tyre dhe duken të pavullnetshme për t’u distancuar nga udhëheqësit problematikë partiakë që janë sanksionuar jashtë vendit ose që ballafaqohen me akuza serioze nga SPAK-u.”

“Kjo dukuri pjesërisht ka të bëjë me mungesën e demokracisë së brendshme të partive politike dhe paaftësisë së tyre” për t’i dhënë përgjigje kësaj dukurie negative në radhët e tyre.

Në kapitullin për Shqipërinë, organizata ‘Freedom House’ sjell një pasqyrë të zymtë dhe për skenën mediatike. Sipas raportit, një pjesë e madhe e mediave u janë nënshtruar interesave të biznesit dhe atyre politike të pak familjeve, apo kontrollohen nga biznesmenë që blejnë aksione në media për të përfituar kontrata publike në këmbim të raportimit të favorshëm.

Sipas organizatës biznesmenë “paguajnë opinionistë dhe gazetarë dhe sponsorizojnë emisione kryesore televizive të debatit politik, të cilat ndikojnë në opinionin publik”. Kjo sipas raportit bëhet “për të promovuar agjendat e partive politike në këmbim të përfitimit të kontratave për tendera publikë apo favoreve tjera.”

Në këtë formë, sipas raportit, këto media shpërfillin çështjet e rëndësishme me të cilat përballet Shqipëria. Raporti vjetor i ‘Freedom House’ që trajton parametrat kryesorë demokratik të shteteve në tranzicion, bën përgjegjëse të dy anët e spektrit politik në Shqipëri që kanë çuar në dobësimin e pozitës së parlamentit për të mbikëqyrur punën e qeverisë.
Këto janë disa nga pikat që shqiptarët sot duhet të lexonin edhe të dëgjonin të zgjedhurit e vet, të tjerat janë teatër politik që nuk i shërben Shqipërisë por vetëm një grupi pushtetarësh edhe oligarkësh.

Artikulli paraprakGentian Gaba s’ia përton medias së Berishës: Sado të aktroni, njerëzit e kanë kuptuar lojën dhe pazarin tuaj
Artikulli tjetërPas Berberit, një tjetër titullar i Belinda Ballukut me kompani që fiton tendera publikë! Edhe drejtor i ARRSH edhe ‘konstruktor” privat! Pasi fitoi milionat, Ergys Verdho i shiti aksionet për 50 euro