…dhe yjet rrinë e vëzhgojnë!

Bledi KASMI

Ministri i Energjetikës ka rihapur mbrëmë skandalin e CEZ. I thirrur në Komisionin Hetimor parlamentar Gjiknuri u është përgjigjur me vështirësi 12 pyetjeve që mbajnë të mbërthyer fjalëkryqin e këtij skandali përmes të cilit kanë lëvizur të paktën 550 milionë euro.
Gjiknuri deklaroi mbrëmë disa kushte qesharake përse qeveria kishte preferuar më mirë t’i falte CEZ-it 550 milionë euro se sa të përballej me ta në Gjykatën e Arbitrazhit ku garant kishte dalë më parë, avokati ndërkombëtar.
Sipas tij, “për të parandaluar një kolaps absolut operacional dhe financiar, si dhe në analizë të faktorëve të tjerë të pozitës së dobësuar të shtetit shqiptar si dhe rrezikut potencial që vinte nga pretendimet e paraqitura nga CEZ pas periudhës së privatizimit e deri në heqjen e licencës, grupit të punës iu ngarkua detyra e fillimit të përpjekjeve për zgjidhjen me pajtim të mosmarrëveshjes me shoqërinë CEZ a.s”.
Përmes kësaj fraze, Gjiknuri pranoi para opinionit se qeveria ka patur një pazar me çekët për ÇEZ. Pyetja që shtrohet është se a mund të justifikojnë këto tre rreshta me fjalë të përgjithshme faljen e 550 milionë eurove? Për ta ilustruar seriozitetin e këtyre termave të përdorur nga qeveria në akordin e arritur me CEZ shërben një tjetër rast i vizitës së Ramës në Kuvajt.
Rama udhëtoi në Kuvajt në nëntorin e 2014 dhe mori prej tyre 5 milionë euro që vetë burimet diplomatike të Kuvajtit e pohuan për “RD” në atë kohë se i ishin kërkuar nga Rama për lobistin e tij Toni Bler. Në njoftimin zyrtar të qeverisë në atë ditë  u tha se; “ne kemi një ndihmë shumë bujare nga qeveria e Kuvajtit, 5 milionë euro në dispozicionin tonë për përmirësimin e procesit të reformave, si dhe për të na ndihmuar adresimin e drejtë të prioriteteve kyçe”. Cilat reforma u përmirësuan me ato 5 milionë euro? Natyrisht asnjë reformë. Ato para të dhëna për shqiptarët përfunduan në xhepat e Tonit.
Përdorimi i këtyre fjalëve të përgjithshme si në rastin e qeverisë për 5 milionët e Kuvajtit edhe në rastin e 550 milionë eurove për ÇEZ janë në të vërtetë kodet përmes të cilave devijohen dhe transferohen qindra miliona euro në parajsat fiskale të Ramës dhe klientelës së tij.
Nëse kjo do të ishte baza legjitime me të cilën operon kjo qeveri, atëhere na duhet të përgatitemi për të pranuar se një ditë të bukur Gjiknuri mund të na thotë edhe një togfjalësh tjetër mjaft sensitiv si fjala vjen; për çështje të interesit kombëtar qeveria ka vendosur të kalojë në llogaritë e një tjetër kompanie të Ramës 1 miliardë euro.
Kjo është në fakt ajo që po ndodh në realitet. Kjo ndodhi me ÇEZ, kjo ndodhi me fondin kuvajtian dhe kjo po ndodh prej tre vitesh me 480 milionë eurot e koncesioneve për Vilmat e Kryeministrit.
…dhe yjet rrinë e vëzhgojnë!

Artikulli paraprakGjiknuri fundos Ramën për paktin 550 milionë euro me CEZ
Artikulli tjetërFaqja e pare