Autoriteti i Konkurrencës, nëpërmjet një vendimi të posaçëm, ka kërkuar rishikimin e sistemit të vlerësimit të ofertave për shërbimin e konsulencës, duke i dhënë prioritet kriterit që pasqyron cilësinë e eksperiencës në fushën objekt tenderimi, dhe/ose duke e përafruar edhe këtë pikë me legjislacionin e BE-së për prokurimet.
Shoqata shqiptare e Inxhinierëve Konsulentë, me anë të shkresës nr. 28 prot, dt. 15.09.2016, ka parashtruar pranë Autoritetit të Konkurrencës disa problematika të konstatuara lidhur me funksionimin e “Sistemit të vlerësimit të ofertave” në prokurimet publike në fushën e konsulencës, si dhe disa pika të veçanta në VKM nr. 914, datë 29.12.2014, “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”.
Shoqata pretendon se “sistemi i vlerësimit të ofertave” dhe VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, në mënyrë abuzive çon në eliminimin e konkurrencës dhe rrjedhimisht edhe në dëm ekonomik.
Për procedimin e mëtejshëm mbi trajtimin e ankesës së paraqitur, u zhvillua një takim me përfaqësuesin e Shoqatës shqiptare të Inxhinierëve Konsulentë, gjatë të cilit ky i fundit ofroi sqarime të mëtejshme mbi pretendimet e paraqitura në kërkesën e depozituar pranë Autoritetit të Konkurrencës, si dhe vuri në dispozicion korrespondencën e shkëmbyer midis Shoqatës shqiptare të Inxhinierëve Konsulentë dhe Agjencisë së Prokurimit Publik, si dhe depozitoi dokumentacionin e nevojshëm lidhur me të.
Në vijim të procedurave, u zhvillua një takim me ekspertë të prokurimeve mbi disa sqarime të mëtejshme rreth funksionimit të sistemit të vlerësimit të ofertave në rastet e shërbimit të konsulencës dhe VKM nr. 914, me qëllim vlerësimin e këtyre akteve rregullatore dhe të pasojave të tyre mbi konkurrencën në tregun përkatës.
Bazuar në legjislacionin e prokurimit publik, “Kontratat e konsulencës” janë kontratat për shërbime publike konsulence, të një natyre intelektuale dhe këshilluese. Procedurat e hollësishme të zhvillimit të kësaj procedure prokurimi publik parashikohen në VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik” (neni 37).
Shërbim konsulence është një procedurë prokurimi me faza, ku faza e parë lidhet me kualifikimin e operatorëve ekonomikë, bazuar në kërkesat për kualifikim të vendosura nga Autoriteti Kontraktor dhe në respektim të nenit 46 të LPP dhe 37 të VKM 914, ndërsa në fazën e dytë bëhet dorëzimi i propozimeve teknike dhe ekonomike nga operatorët e kualifikuar.
Vlerësimi i propozimeve teknike kryhet duke marrë parasysh kriteret e mëposhtme: përvojën e konsulentit; cilësinë e metodologjisë së propozuar; kualifikimet e stafit kryesor të propozuar; transferimin e njohurive, nëse kërkohet.
Çdo kriter vlerësohet në një shkallë nga 1 deri në 100 e më tej, pesha e tyre konvertohet në pikë përkatëse. Minimumi i pikëve të propozimit teknik për të vazhduar me vlerësimin e propozimit ekonomik është 70 pikë. Sipas renditjes së mësipërme, si dhe formulës së përcaktuar në dokumentet standarde të tenderit, kriterit mbi cilësinë e metodologjisë së propozuar (përqasja teknike dhe metodologjia, plani i punës, aftësia organizative) i jepen më shumë pikë se kriterit mbi kualifikimet e stafit kryesor, nga cilësia e të cilit varet cilësia e projektit.
Autoritetit Kontraktor i është dhënë mundësia dhe e drejta t’i ndajë këto kritere në nënkritere të tjera dhe pesha e tyre të kthehet në pikë përkatëse. Ajo çka duhet nënvijëzuar është fakti se ky sistem vlerësimi, mbart shumë subjektivizëm dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë mund të çojë në nxjerrjen nga tregu i prokurimit të shumë operatorëve ekonomikë të interesuar, të cilët pavarësisht stafit të kualifikuar, përvojës së mëparshme etj., vlerësohen me pikë minimale duke u nisur nga metodologjia e propozuar.
Ky sistem vlerësimi përbën barrierë për hyrjen e operatorëve në treg. Për minimizimin e këtyre barrierave hyrëse është i domosdoshëm një vlerësim sa më i drejtë dhe objektiv. Kjo do të mundësohej duke i dhënë peshën e duhur çdo kriteri, nisur nga roli që ka ose duke e përafruar edhe këtë pikë me legjislacioni e BE për prokurimet, i cili, siç sqaron dhe vetë APP, e trajton procedurën “Shërbim konsulence” njëlloj si procedura e prokurimit për shërbime, ndërkohë që në legjislacionin shqiptar kjo procedurë prokurimi është e orientuar sipas procedurave të Bankës Botërore duke bërë që të dallohet nga procedura e thjeshtë e shërbimit, nga sistemi i vlerësimit që përdoret në këtë lloj prokurimi.
Sa i përket kriterit mbi përvoja pune të ngjashme të tri viteve të fundit, është barrierë për operatorët e rinj në treg, duke i penguar ata që të operojnë në tregun e prokurimeve, duke kufizuar në këtë mënyrë edhe konkurrencën në këto tregje. Rritja e këtij afati do të inkurajonte edhe krijimin e shoqërive të reja.
Në lidhje me kërkesat e veçanta për kualifikim, në respektim të nenit 46 të LPP dhe 28 të rregullave të PP, ato duhet të jenë në përpjesëtim dhe të lidhura ngushtë me objektin e kontratës dhe t’i shërbejnë autoritetit kontraktor për njohjen e gjendjes financiare të operatorëve ekonomikë dhe të mundësisë së tyre për përmbushjen me sukses të kontratës. Këto kërkesa vendosen nga AK rast pas rasti, duke mbetur në vlerësimin e AK, brenda kornizave të ligjit dhe rregullave të prokurimit.
Lidhur me problematikat e tjera të parashtruara nga ankuesi, të cilat janë të një aspekti procedural, APP ka bërë sqarimet përkatëse dhe është shprehur se do të marrë në konsideratë propozimet e shoqatës kur të rishikojë rregullat e prokurimit publik.
Komisioni i Konkurrencës vendosi t’i rekomandojë Agjencisë së Prokurimit Publik ndërmarrjen e nismave të nevojshme legjislative për ndryshime në Dokumentet Standarde të Tenderit, si dhe për t’i propozuar Këshillit të Ministrave ndryshimet e mëposhtme në VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”:
1) Rishikimin e sistemit të vlerësimit të ofertave për shërbimin e konsulencës, duke i dhënë prioritet kriterit që pasqyron cilësinë e eksperiencës në fushën objekt tenderimi, dhe/ose duke e përafruar edhe këtë pikë me legjislacioni e BE për prokurimet;
2) Rishikimin e kriterit mbi përvojën për punë të ngjashme të tri viteve të fundit, me qëllim rritjen e këtij afati dhe inkurajimin e shoqërive të reja për pjesëmarrje në procedurat e prokurimit publik.
“Monitor”