PD, Marku: Bashkitë Elbasan dhe Kolonjë, i hapin rrugë projekteve abuzive. Procedura në kundërshtim me ligjin

Në një deklaratë për mediat, Sekretarja për Pushtetin Vendor dhe Decentralizimin, Alfrida Marku, u shpreh se “bashkitë Elbasan dhe Kolonjë, në 2 javët e fundit i kanë hapur rrugë projekteve abuzive, duke zhvilluar në kundërshtim me ligjin procedurat për dhënien në përdorim dhe asgjesimin e 352 hektarëve pyje dhe kullota”.

“Bashkia Kolonjë, në 3 tenderat e zhvilluar më datë 29 shkurt 2024, ka shpallur fitues operatorët e vetëm në garë, që sipas QKB rezultojnë subjekte që nuk plotësojnë kriteret financiare për të ndërtuar impjanteve fotovoltaike apo eolike.” – tha më tej ajo.

 

DEKLARATA E SEKRETARES PËR PUSHTETIN VENDOR DHE DECENTRALIZIMIN NË PD, ALFRIDA MARKU

Të nderuar qytetarë !

Abuzimet me pronën publike, shpërdorimi i taksave të qytetarëve, tendera fiktiv e në shkelje të rregullave të prokurimeve publike, operatorë ekonomik pas të cilëve fshihen qëllime abuzimi në bashkëpunim edhe me zyrtarë të institucioneve, mungesa e shërbimeve, investimet jo cilësore, janë dështime me dashje të përditshme të Bashkive në vendin tonë.

Sikurse kemi denoncuar dhe më herët, Parqet fotovoltaike dhe eolike, ku mijëra hektar nga fondi i pyjeve dhe kullotave pronë publike po jepen në përdorim nga Bashkitë, Projekte këto në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, do të rezultojnë skandale të mëdha abuzimi dhe korrupsioni, sikurse Inceneratorët.

Në vetëm 2 javët e fundit, Bashkitë Elbasan dhe Kolonjë, i kanë hapur rrugë projekteve abuzive, duke zhvilluar në kundërshtim me ligjin procedurat për dhënien në përdorim dhe asgjesimin e 352 hektarëve pyje dhe kullota, respektivisht 228 hektar në Elbasan dhe 124 hektar në Kolonjë: ku secili subjekt konkuron në mënyrë fiktive, i vetëm dhe i porositur, në tendera të zhvilluar në të njejtën date e ku janë paracaktuar fitues.

Për më tepër, Bashkia Kolonjë, në 3 tenderat e zhvilluar më datë 29 shkurt 2024, ka shpallur fitues operatorët e vetëm në garë, të cilët sipas të dhënave të publikuara në regjistrin e QKB, rezultojnë subjekte që nuk plotësojnë kriteret ekonomike dhe financiare për të zhvilluar projekte për ndërtimin e impjanteve fotovoltaike apo eolike.

Konkretisht, operatorët ekonomik “Gramozi Green Energy” sh.p.k, “Get Solar Solution” sh.p.k, dhe “Erseka Solar Park” sh.p.k, të shpallur fitues nga Bashkia Kolonjë, për përdorimin e respektivisht 40, 50, dhe 34 hektarëve pyje e kullota, rezultojnë subjekte të themeluar në periudhën qershor-tetor 2023, dhe me kapital themeltar, secili vetëm 100 mijë lekë.

Këto dhe raste të tjera janë pjesë që plotësojnë skandalin e radhës të kësaj qeverisje.
Mbi sa më sipër, duke risjellë në vëmendje rastet e tjera të denoncuara nga Partia Demokratike, të zhvilluara apo në proces, edhe në Bashkitë Lezhë, Shkodër, Lushnje, Divjakë, Durrës, Vlorë, Vau i Dejës, Klos, u bëjme thirrjë autoriteteve kompetente, Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Institucioneve të Drejtësisë të verifikojnë ligjshmërinë e këtyre projekteve, procedurën e ndjekur, historikun e subjekteve dhe kapacitetin e tyre ekonomik, financiar dhe teknik, dhe të vënë para përgjegjësisë çdo rast abuzimi.
I bëjmë thirrje cdo zyrtari të ndershëm që shërben në Institucionet shtetërore vendore apo qëndrore, të denoncojë cdo rast abuzimi për të cilin ka dijeni apo gjendet nën presion, duke i bërë kështu shërbimin më të mirë vendit: Luftën kundër korrupsionit ! Mbrojtjen e interesave të qytetarëve !

Ju faleminderit !

Artikulli paraprakPër pension të plotë duhet punuar 38 vjet, por pensionistët e rinj kishin mesatarisht 26.8 vite kontribute!
Artikulli tjetër“Kanë pasur paratë e popullit në dorë”, Ngjela shpërthen ndaj Kryemadhit dhe Metës: Të tregojnë si…