Bajerni i Mynihut arriti të “hakmerrej” ndaj Atletikos së Madridit duke fituar me rezultatin 1-0 falë një supergoli të Robert Levandovskit nga goditja e dënimit në minutën e 28. Kjo ndeshje luhej thjesht për statistikë pasi dy ekipet e kishin siguruar kualifikimin. Atletiko e mbylli në vendin e parë me 15 pikë, ndërsa Bajerni i dyti me 12 pikë.
Ndërkohë në ndeshjen tjetër mes PVS Eindhovenit dhe Rostovit nuk pati gola duke bërë që ndeshja në Holandë të mbyllej në barazim 0-0. Me këtë rezultat Rostov arrin të mbajë vendin e 3-të me 5 pikë duke u kualifikuar për në Ligën e Europës, ndërsa PSV-ja e mbyll këtu aventurën europiane duke grumbulluar vetëm 2 pikë për t’u renditur e fundit në grup.
Napoli dhe Benfica janë dy ekipet që kualifikohen në fazën e 1/8 të UEFA Champions, me jugorët që mundën të zënë vendin e parë në grup pasi triumfuan 2-1 në “Da Luz”. Callejon dhe Mertens ishin protagonistët e jugorëve në këtë sukses, teksa realizuan të dy në pjesën e dytë të sfidës ndërsa Raul Jimenez shkurtoi diferencën. Turqit e Beshiktashit shkatërruan vetë çdo mundësi kualifikimi pasi morën një humbje turpëruese përballë Dinamos së Kievit me rezultatin 6-0, ku shënuan 6 lojtarë të ndryshëm. Beshiktash e mbylli ndeshjen me 9 vetë pas daljes me të kuq të Beck dhe Aboubakar. Gjithsesi pavarësisht këtij suksesi në Europa League do të shkojë Beshiktashi që e mbylli grupin me 7 pikë, ndërsa ukrainasit me pesë.
Në Grupin A, Arsenali arriti të sigurojë vendin e parë pas një fitoreje 4-1 në transfertë me Bazelin, ku Lucas Perez ishte heroi i sfidës me një 3 golësh, ndërsa një tjetër e realizoi Iwobi në të 54-trën. Për vendasit golin e vetëm e shënoi Doumbia. PSG që thjesht duhet të fitonte për të patur vendin e parë “ngeci” në shtëpi kundër Ludogoretsit pasi barazoi 2-2, me bullgarët që falë kësaj pike kualifikohen në Europa League. Barcelona e mbylli me një fitore të thellë ndaj Gladbach fazën e grupeve duke mundur 4-0 Gkladbach në shtëpi. Protagonisti kryesor megjithatë ishte Arda Turan që shënoi një 3 golësh në fillimin e pjesës së dytë, ndërsa golin e parë të sfidës e realizoi Messi. Celtic mundi të barazonte 1-1 në transfertë me City, por gjithsesi nuk arriti të kalojë në Europa League pasi ky vend i takoi formacionit gjerman. Ndeshja u vendos mjaft shpejt, me miqtë që shënuan në të 4-trën me Roberts ndërsa Ihenacho barazoi rezultatin në të 8-tën.