Kryetari i Partisë Demokratike zyrtare, Lulzim Basha, në një intervistë me skype nga Strasburgu komentoi në studion e lajmeve në “Ora News” zhvillimet e djeshme në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës por edhe aktualitetin politik në Shqipëri.
INTERVISTA
Ambasada Amerikane merr në mbrojtje SPAK-un, si e shihni reagimin e sotëm?
Lulzim Basha: E mbështes plotësisht deklaratën e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë. Partia Demokratike dhe unë kemi ngritur prej kohësh shqetësimin që ka një revansh nga mazhoranca dhe Edi Rama, nga ministrat e tij, nga kryebashkiakët e tij, të cilët gjenden nën panik pasi e kuptojnë se e kanë humbur kontrollin që kanë pasur mbi drejtësinë, një drejtësi që po fillon të hedhë hapat e parë të pavarur. Dhe duken frytet e para, për ministra, zëvendëskryeministri, kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe drejtorët e tij, të gjithë ndodhen para SPAK-ut. Nga ana tjetër ka një aleancë deri para pak kohësh të fshehur, por tashmë ka dalë hapur, ku po sulmohet SPAK-u, që është institucioni i vetëm që po lufton korrupsionin, dhe ku korrupsioni mbetet problemi kryesor i kësaj qeverie.
Dhe nga ana tjetër një qeveri që artikulohet pro SPAK-ut, por me vendimet që ndërmerr, i kufizon hapësirat SPAK-ut. Kishim një drejtori, tani kemi një ministri për Korrupsionin, një ministri që bën zero punë dhe merr taksat e shqiptarëve jo për ta luftuar apo denoncuar korrupsionin, por për ta mbuluar korrupsionin.
Mesa duket SPAK-u është në shënjestër të këtyre faktorëve politikë të qeverisë dhe Kryeministrit dhe ka një sërë hapash që me amnistinë e turpshme që u falën të dënuarit për korrupsion, dhe që nuk do të ishte e mundur pa bashkuar votat me një pjesë të atyre që i thonë vetes opozitë. Duke vazhduar përpjekjet me instrumenta ekstra-kushtetues duke i mbivendosur SPKA-ut, dhe duke ia kufizuar të gjitha mundësitë pa kallëzime penale nga institucionet, me mungesa në personel, dhe qartësisht këta janë bërë pishman për SPAK-un dhe ky është lajm i mirë për shqiptarët. Pasi për herë të parë në 34 vite kemi prokurorë të cilët guxojnë të administrojnë problemin më të madh që ka Shqipëria që është pandëshkueshmëria dhe mungesa e shtetit ligjor.
Pra, ju jeni i bindur se këto sulme kanë emra dhe arsye?
Lulzim Basha: Pa diskutim. A ka shqiptarë që nuk i di emrat e atyre që po heton SPKA-u?! Kjo për shkak se ata kanë abuzuar me paratë e shqiptarëve, kanë abuzuar dhe shpërdoruar pushtetin e tyre. Pra, më të pushtetshmit në Shqipëri janë dhe njerëzit më në panik të vënë nga SPAK-u ndaj ata po ndërmarrin hapa konkretë për t’iu kundërvënë atij, fatkeqësisht me një pjesë të atyre që i thonë vetes opozitë, por që ndajnë të njëjtin qëllim.