Historiani Uran Butka deklaroi se në masakrën e Tivarit u vranë 3933 shqiptarë të pafajshëm, duke shtuar se nëse llogariten edhe të zhdukurit, numri i viktimave mund të jetë mbi 4500 shqiptarë të Kosovës. Ai shtoi se askush nuk mbajti përgjegjësi për masakrën.
“Për masakrën e Tivarit nuk është mbajtur asnjë përgjegjësi. Çubriloviçi ka thënë se shqiptarët duhet të vriten dhe të zhduken. Çdo masakër mbi shqiptarët duhet të zbardhet, edhe ato të luftës së Kosovës. Shtetet që bënë masakra duhet të mbahen përgjegjëse. Brigadat shqiptare të asaj kohe nën pushtetin jugosllav shtypën rebelimin e popullit shqiptar të Kosovës.
Masakra u bë nga Jugosllavia në bashkëpunim me Shqipërinë e drejtuar nga Enver Hoxha. Brigadat shqiptare u përdorën nga Jugosllavia. Përgjegjësi për masakrën ka edhe Haxhi Lleshi. U vranë mbi 3933 shqiptarë të pafajshëm. Ndërsa, nëse shtojmë dhe të zhdukurit arrin mbi 4500 viktima. Duhet të mësojmë të vërtetën sepse e vërteta është më e rëndësishme se gjithçka”, deklaroi historiani Uran Butka i ftuar në rurbrikën Opinion në News24.