SPAK, një realitet me të cilin politika duhet të bëjë llogaritë

Nga Ervis Iljazaj

Sulmi publik që Ilir Meta bëri ndaj drejtuesit të SPAK Altin Dumani, mund të jetë me tone të ashpra, me një gjuhë që nuk është normale, apo një ‘’kërcënim’’ politik, por në thelb nuk ndryshon nga sulmi që politika shqiptare në tërësi po i bën këtij institucioni.

Në opozitë apo në mazhorancë, lufta e politikës ndaj SPAK ka filluar tashmë dhe do të vashdojë gjatë. Jemi pothuajse në një luftë të ftohtë midis politikës dhe drejtësisë.
Dikush e sulmon hapur dhe publikisht, si në rastin e Metës, dikush në fshehtësi me marrëveshje politike duke përgatitur aprovimin e normave apo ndryshimin e ligjeve që kërkojnë të kufizojnë punën e SPAK. Dikush e quan organizatë kriminale, dikush tjetë republikë të prokurorëve, por thelbi i njëjtë mbetet. Politika pas 34 viteve ka filuar të ketë frikë nga drejtësia dhe ky është një lajm i mirë për shqiptarët.

Madje, sa më shumë rriten sulmet e politikës ndaj drejtësisë, aq më shumë drejtësia fiton mbështetjen e qytetarëve. Jo më kot, SPAK është sot në të gjitha sondazhet institucioni që gëzon besueshmërinë më të lartë.

Do apo s’do politika shqiptare, tashmë SPAK është një realitet që nuk zhbëhet më. Të gjithë, pushtetarë apo ish-pushtetarë të nivelit të lartë duhet të bëjnë llogaritë me këtë realitet. Sot, më në fund ka një institucion që nuk ka frikë të hetojë korrupsionin në nivele të larta të pushtetit. Dhe me të gjitha gjasat, herët apo vonë do t’iu vijë radha të gjithë atyre që kanë patur pushtet në Shqipëri.

Janë të fajshëm ose jo, këtë do ta tregojë koha dhe hetimet. E rëndësishme është që raporti i drejtësisë me politikën sot ka ndryshuar rrënjësisht.
Për 34 vite me radhë ne kemi patur një realitet ku ka folur vetëm politika dhe drejtësia ka heshtur. Ndërsa sot është koha ku flet edhe drejtësia, dhe politika ‘’ulëret’’ kundër saj. Nuk ka dyshim se gjitha politika shqiptare, edhe pse e votoi me unanimitet Reformën në Drejtësi është kundër saj. Sepse është absurde të mendosh që një klasë politike që perceptohet e korruptuar të votojë një drejtësi që do të hetonte atë vetë. Nuk mund të kishin një sjellje kaq mazokiste. Por dihet nga të gjithë se votimi i drejtësisë së re ishte nje votim ku klasa politike u detyrua ta bënte.

E vetmja shpresë që kishin, ishte se rrugës, gjatë aplikimit të saj pushtetarët tanë do tja hidhnin dhe do të gjenin mënyra për ta penguar siç kanë bërë për 34 vite. Dhe në disa raste ja dolën. Pushteti arriti që nëpërmjet mekanizmave të saj të ndikojë dhe të shtrihet edhe në organet e reja të drejtësisë.

Por fatmirësisht duarve të pushtetit të kësaj qeverie i shpëtuan një pjesë e rëndësishme e SPAK. Të gjithë e mbajmë mend luftën që bëri ish Ambasadroja Kim me Edi Ramën për zgjedhjen e Dumanit në krye të SPAK. Sot ajo betejë po tregon se përse ndërhyrja e ish-ambasadores ishte kaq thelbësore për funksionim dhe pavarësinë e këtij insitucioni.

Me insistimin e aleatëve ndërkombëtarë të Shqipërisë, sidomos amerikanëve, ne sot në SPAK kemi një pjesë të rëndësishme të tij të pavarur dhe me kurajo për të hetur korrupsionin në nivele të larta si asnjëherë në historinë e tranzicionit shqiptar. Jo më kot, sapo ky institucion u sulmua sot publikisht, të gjithë aleatët tanë perëndimorë i dolën në mbrojtje. Mbështetja e qytetarëve dhe e ndërkombëtarëve, me sa duket është forca e organit të ri të drejtësisë. Dhe për sa kohë i ka këto dy mbështetje, do të vazhdojë të jetë një realitet përpara të cilit shumëkush do të japë llogari./Liberale.al/

Artikulli paraprakKorrupsioni me tenderat/ Rreziku që vjen nga inteligjenca artificiale
Artikulli tjetërSot votimi historik për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës