Interi jashtë gare

Stefano Pioli nuk është aspak i shqetësuar nga fjalët e Diego Pablo Simeones, i cili është shprehur se në të ardhmen do të drejtojë Interin. Trajneri aktual i zikaltërve mendon se kolegu i tij argentinas thjesht ka bërë publike një dëshirë, ndërkohë që ai vetë do të qëndrojë për një kohë të gjatë në detyrën që mban.
“Unë jam i përqendruar në punën time. Kam besimin e drejtuesve dhe po punoj për ta çuar Interin aty ku e meriton. Mendoj se Simeone ka shprehur thjesht një dëshirë. Ju e dinë se synimi im është të qëndroj sa më gjatë që të jetë e mundur në krye të Interit. Jam pjesë e një klubi të madh e që ka në përbërje lojtarë të mëdhenj. Kemi ende mundësi dhe potencial për të arritur objektivat që na kanë mbetur, edhe pse jemi prapa në renditje. E vërteta është se unë stërvis Interin, ndërsa Simeone Atleticon, të dy jemi të përqendruar në gjërat tona”, u shpreh Pioli.
Interi do të luajë ndaj Spartës së Pragës në “San Siro” takimin e fundit në Europa League, pasi zikaltrit matematiksiht janë jashtë këtij kompeticioni. “Tashmë jemi jashtë Europa Leagues, kështu që kjo ndeshje e fundit do të jetë një shans për ata që kanë luajtur më pak. Duhet të bëjmë atë që nuk kemi arritur ta bëjmë deri tani në këtë kompeticion”, tha trajneri i Interit.
Rezultatet zhgënjyese të Interit në këto javë të shoqëruara edhe me deklaratën publike të Diego Pablo Simeones se do të ulet në stolin e zikaltërve në të ardhmen, nuk kanë kënaqur edhe aq trajnerin aktual të kësaj skuadre, Stefano Piolin. I pyetur në konferencën për shtyp para ndeshjes së Ligës së Europës rreth deklaratës së argjentinasit, tekniku aktual ishte dukshëm i bezdisur nga situata.
“Unë mendoj vetëm se, gjëja reale aktualisht është se unë drejtoj Interin dhe Simeone drejton Atletikon. Të dy duhet të rrimë të përqendruar dhe të mendojmë për punën tonë”, ishin fjalët e trajnerit të Interit që duket se është i ndërgjegjshëm se në momentin kur argjentinasi të trokasë në dyert e zikaltërve, ai do të largohet menjëherë nga drejtimi.
Por për çfarë mund të luftojë Interi, i cili gjendet jashtë Europës dhe shumë larg kreut në Serinë A nën drejtimin e Piolit? “Nuk jemi as në gjysmën e sezonit. Është e vërtetë që duhet të ndjekim të tjerët dhe ka shumë pikë diferencë me ekipet e para. Por kemi potencialin për të fituar shumë ndeshje. Pastaj është edhe Kupa e Italisë…”, ishte përgjigja e Piolit.
Të paktën, ai ka marrë konfirmimin se një nga lojtarët më në formë, Marcelo Brozoviç, nuk do të largohet shpejt nga klubi, pasi ka vendosur të rinovojë kontratën e tij. Zyrtarizimi erdhi nga klubi në rrjetet sociale, ku u bë publike firma e kroatit për zgjatjen e marrëveshjes deri në vitin 2021.

Artikulli paraprakDeshamp: “Pogba nuk ka për ta fituar kurrë “Topin e Artë”
Artikulli tjetërAubameyang: Një ditë do të shkoj te Reali