Është çelur ekspozita fotografike me titull “Berati në shekullin XVIII–XX” në Muzeun Ikonografik “Onufri”.
Zhvillimi ekonomik e tregtar, koleksione të kartëmonedhave lokale të qytetit, objekte me rëndësi historike të Beratit të pasqyruara në monedhën kombëtare u shfaqën për publikun vendas dhe turistët.
Ekspozita përmban edhe koleksione numizmatike, siç kanë qenë kartëmonedhat lokale të fillimit të shekullit të XX-të, monedhat kombëtare që mbartin imazhe të monumenteve dhe objekteve të qytetit të Beratit.
Drejtori i Muzeut shpjegoi edhe rëndësinë e kësaj ekspozite si dhe pasurimin e fondit të muzeut me një monedhë të veçantë.
“Jemi përqendruar në një element shumë të veçantë, në një monedhë të një emetimi të veçantë që bëhet çdo 10 vjet dhe monedha e ekspozuar sot është një monedhë 500 lekëshe, pa kurs ligjor por që ka një element shumë të bukur të Kodikut të Purpurt të Beratit, si në ngjyrë ashtu edhe në reliev. Ky imitim i formës dhe ngjyrës së Kodikut të Purpurt të Beratit,i gdhendur në monedhë, do të jetë tashmë pjesë e koleksionit të Muzeut Onufri në Kishën “Fjetja e Shën Mërisë”, ku në vitin 1968 u gjet pas shumë vitesh kërkim ky kodik”,-tha Miklor Pasku, drejtor i muzeut ikonografik ‘Onufri’.
Ekspozita po ashtu nxjerr në pah zhvillimin ekonomik të qytetit ndër shekuj duke përfshirë marrëdhëniet tregtare dhe ato të biznesit.
“Ekspozita është menduar në formën e paneleve, ku pasqyrohet zhvillimi ekonomik, marrëdhëniet tregtare dhe ato të biznesit, elementet e shumtë artizanale të tregtisë dhe zhvillimit ekonomik”,–tha Miklor Pasku, drejtor i muzeut ikonografik ‘Onufri’.
Berati është një nga qytetet më të rëndësishme shqiptare për sa i përket koleksioneve apo gjetjeve të objekteve historike kulturore.