Nga dr. Hasan Bello
Nga marsi 1944 deri në gusht 1945 Shqipëria e Jugut u mbush me refugjatët çamë, të cilët u dyndën në brendësi të territorit të shtetit amë për t`i shpëtuar masakrave greke. Me mijëra banorë të të gjitha moshave mbi të cilët po ushtrohej një nga spastrimet etnike më të egra, me shpresën se do të gjenin mbështetje te shteti shqiptar, nuk kishin asnjë zgjidhje tjetër.
Por cili ishte qëndrimi i regjimit komunist dhe i Enver Hoxhës ndaj refugjatëve çamë ?
Propaganda komuniste ka trumbentuar dhe është mburrur gjoja me ndihmën që qeveria komuniste dhe drejtuesi i saj i ka dhënë çamëve. Në fakt, ndihma ka qenë tepër e kufizuar. Kjo, jo vetëm për shkak të mundësive ekonomike të atyre viteve. Por, për arsye se në qarqet drejtuese të lidershipit politik të PKSh-së, ekzistonte bindja se popullsia çame ishte nën ndikimin e reaksionit. Me këtë nënkuptonte ndjenjat patriotike dhe kontributin e nacionalistëve çamë, të cilët kishin mbajtur një qëndrim të distancuar ndaj lëvizjes komuniste.
Pjesa dërrmuese e popullsisë çame gjeti mbështetje te banorët e Konispolit, Shalësit dhe fshatrave përqark duke u përhapur më pas në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Sipas dokumentacionit, 95% e tyre vuanin për strehim dhe kushtet më minimale të jetesës. Kjo për shkak të neglizhencës së administratës shtetërore, gjë, që pohohet nga Këshillat Antifashistë çamë. Ndërsa misioni britanik në Tiranë i raportonte eprorëve në Londër se refugjatët çamë ishin shpërndarë në pjesët më të varfëra dhe në zonat periferike të qyteteve shqiptare. Sipas britanikëve, administrata shqiptare ishte plotësisht e ndërgjegjshme për gjendjen e tyre, por ajo nuk kishte dëshirë që tu jepte ndihmën e nevojshme. Në raport theksohet se, shteti shqiptar kishte bërë shumë pak, për të mos thënë asgjë për refugjatët çamë.
Një ndihmë jashtzakonisht të madhe në këtë periudhë në mbështetje të kësaj popullsie që u largua me dhunë nga trojet e saj nga politika genocidale e shtetit grek dha UNRRA (Administrata e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Rindërtim), e cila, akordoi 1.450.000 dollarë. Një shumë e konsiderueshme për kohën. Ndërsa nga shteti shqiptar vetëm një numri të kufizuar refugjatësh iu dha 250 gr bukë në ditë. Një sasi krejtësisht e pamjaftueshme.
Si pasojë e këtyre kushteve, mungesës së strehimit dhe urisë brenda pak muajve vdiqën 2755 persona, gati sa gjysma ose më tepër se numri i mbi 5000 çamëve që masakruan grekët.
Nuk mjaftuan këto, por regjimi komunist duke nisur nga viti 1947 krijoi një komision hetimor për krimet e kryera nga “bashkëpunëtorët” e okupatorëve italianë e gjermanë në Çamëri. Kjo fushatë kishte dy qëllime: të eleminonte elementët nacionalistë gjoja në emër të bashkëpunimit me pushtuesit nazifashistë dhe të ushtronte presion mbi ata persona që nuk i bindeshin instrumentalizimit politik nga regjimi komunist.
Organet shtetërore filluan të mbledhin deklarata nga një pjesë e emigrantëve çamë kundër pjesës tjetër, për të vërtetuar gjoja bashkëpunimin e tyre me gjermanët. Në bazë këtyre deponimeve, u goditën njerëz të pafajshëm dhe u zhvillua një proces diferencimi ideologjik, i cili mbolli përçarje.
Kjo politikë anikombëtare kishte një prapaskenë politike, e cila i kishte rrënjët në bashkëpunimin dhe bisedimet e fshehta të regjimit komunist dhe Enver Hoxhës me Partinë Komuniste Greke dhe palët e përfshira në konfliktin civil në Greqi. Sipas marrëveshjes së dakordësuar mes palëve të mësipërme, shteti shqiptar duhej të mobilizonte 3000-4000 refugjatë çamë.
Por megjith angazhimin e administratës dhe mekanizmave partiakë, çamët u treguan largpamës. Ata nuk pranuan të bëheshin palë në luftën civile, që kishte shpërthyer në Greqi. Sipas raporteve të Sigurimit të Shtetit, ata deklaronin se “ne nuk u besojmë grekëve”, “ne mund të luftojmë vetëm me flamurin e Ushtrisë Shqiptare” etj. Pas shumë përpjekjeve, u arrit të mobilizoheshin vetëm 130 persona. Ky dështim u shoqërua me persekutimin dhe propagandën antishqiptare kinse për “pabesinë e çamëve”. (Në fakt të pabesë u treguan komunistët, të cilët për 45 vite masakruan jo vetëm shqiptarët, por dhe njëri-tjetrin, duke përdorur metoda monstruoze, çnjerëzore dhe procese të montuara gjyqësore).
Një akt tjetër i paprecedentë ishte vendimi i qeverisë komuniste në pranverë të vitit 1953, për ndërrimin e shtetësisë së çamëve pa marrë parasysh pikëpamjet dhe dëshirat e tyre. Kjo u bë në mënyrë të fshehtë dhe pa u bërë e ditur zyrtarisht. Madje, në kundërshtim edhe me sugjerimet e Byrosë Juridike të Kuvendit Popullor, e cila i raportoi Këshillit të Ministrave se heqja e shtetësisë greke ishte në kundërshtim me të drejtën publike ndërkombëtare. Edhe sot ky vendim ka pasoja të rënda për perspektivën e zgjidhjes juridike të çështjes çame.
Përgjatë regjimit komunist çamët dhe kosovarët ishin dy kategoritë kryesore në fokus të organeve policore dhe Sigurimit të Shtetit, si persona të dyshuar kundër regjimit dhe për rrezikshmëri të lartë shoqërore. Asnjë ministër dhe drejtues i nivelit të lartë nuk u lejua të vinte nga këto krahina, për të cilat, shteti shqiptar për 45 vjet me radhë, nuk e ngriti zërin në asnjë forum ndërkombëtar. Fatkeqsisht, heshtja vazhdon!
(Në kujtim të 80-vjetorit të spastrimit etnik të popullsisë çame nga shteti grek dhe të gjyshes time, e cila në përpjekje për të ndihmuar refugjatët çamë, të strehuar në ullishtet e gjyshit tim Hasan Bello në Konispol, megjithëse ishte lehonë, u sëmur rëndë dhe vdiq!)