8 Dhjetori, të rinjtë e FRPD në protestë

Forumi Rinor i Partisë Demokratike sot në orën 11:00 do të nisë një sërë protestash dhe aktivitetesh në përkujtim të 8 dhjetorit, dita që shënoi fillimin e protestave nga studentët dhe rënien e komunizmit më të egër në Evropë. Në Ditën e Rinisë, do të ketë protesta maratonë nga FRPD e që do të zhvillohen përpara disa institucioneve, së pari, do të zhvillohet para Ministrisë së Arsimit, për Arsimin sipas meritë-preferencës. Më pas do të jetë një protestë përpara Bashkisë së Tiranës, për të kërkuar drejtësi për Arditin, 17-vjeçari që humbi jetën në landfillin e Sharrës. Po ashtu, protestë do të ketë edhe para Ministrisë së Shëndetësisë, për “vdekjen e shëndetësisë”, siç edhe  e kanë konsideruar të rinjtë e PD. Më tej do të vazhdohet para Ministrisë së Brendshme me sloganin “Droga nuk është e ardhmja jonë”. Më pas, të rinjtë do të zhvendosen përpara Kryeministrisë, ku FRPD proteston: “Rama nuk mund të pengojë të ardhmen tonë”. E në fund rreth orës 14:00 të rinjtë e FRPD kanë organizuar një takim në Qytetin “Studenti” ku nisi lëvizja studentore, ku do të marrë pjesë dhe kryetari i PD, Lulzim Basha. Kujtojmë që 8 Dhjetori është Dita e Rinisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nder të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare. Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të universiteteve të Tiranës, banorë të Qytetit “Studenti”, u bënë iniciatorë të protestave paqësore që sollën rënien e komunizmit dhe ardhjen e demokracisë.

Artikulli paraprakVendimi i “Venecias” mbi ligjin e manipuluar nga Euralius
Artikulli tjetërFaqja e pare