Call center: Gjobat deri 150 mijë euro nga Italia

Flet Ines Muçostepa, kryetare e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë dhe administratore e Albacall.
Hyrja në fuqi e ligjit të ri që shtrëngon aktivitetin e call center jashtë BE-së pritet të sjellë probleme të shumta te kompanitë që e ushtrojnë këtë aktivitet në Shqipëri, teksa klientët italianë mund të dekurajohen për të sjellë punë në vendin tonë dhe si rrjedhojë të spostohen në vende të tjera të BE-së. Ndërsa operatorët e rinj do të kenë pengesa të mëdha për të hyrë në treg. Në një intervistë për “Monitor”, Ines Muçostepa, kryetare e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë dhe administratore e Albacall, operatorit më të mëdha call center sipas të ardhurave në Shqipëri, flet për të ardhmen e këtij sektori.

– Çfarë parashikon projektligji që u miratua në Itali në lidhje me delokalizimin e kompanive call center?
Do të doja të saktësoja që propozimi ligjor kundër delokalizimit trajton vetëm veprimtarinë e kompanive call center dhe asnjë veprimtari tjetër. Ky propozim ka për qëllim të forcojë masat kundër fenomenit të delokalizimit në sektorin call center, i cili ka prodhuar në Itali krizë papunësie dhe rënie të vazhdueshme të fitimeve.
Sipas këtij propozimi, subjektet italiane, që vendosin të delokalizojnë aktivitetin e call center në vendet jashtë BE-së, duhet të dërgojnë një njoftim, brenda 30 ditëve, në Ministrinë e Punës italiane dhe Inspektoratin Kombëtar të Punës lidhur me numrin e punëtorëve të përfshirë, si dhe pranë komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Mungesa ose refuzimi i këtij komunikimi do të sjellë aplikimin e një sanksioni administrativ prej 150,000 eurosh. Përveç kësaj parashikohet se kompanitë call center, që kanë vendosur të delokalizojnë në një vend jashtë BE-së, të mos kenë më asnjë ndihmë ekonomike.
Për sa u përket kompanive që aktualisht punojnë në Shqipëri, propozimi ligjor sjell detyrimin që ato duhet të deklarojnë transferimin dhe numrin e punëtorëve të përfshirë pranë institucioneve të cituara më sipër brenda një afati 60-ditor nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Në rast vonese apo refuzimi do të aplikohet një sanksion administrativ prej 10,000 euro për çdo ditë vonese.
Normativa e re parashikon të drejtën e subjektit, që kontakton me një call center që gjendet jashtë BE-së, të informohet paraprakisht mbi vendndodhjen fizike të operatorit që përgjigjet. Në këtë rast, subjektit i njihet mundësia që këtë shërbim ta marrë nga operatori telefonik që gjendet jashtë BE-së ose të kërkojë që ky shërbim t’i ofrohet nga një operator me vendndodhje në territorin e Bashkimit Europian. Mosrespektimi i këtij kushti procedural parashikon sanksione administrative në vlerën 50,000 euro në ditë.

– Çfarë ndikimi do të ketë te kompanitë që operojnë në Shqipëri?
Hyrja në fuqi e këtij ligji, thuajse me siguri do të sjellë probleme për sektorin e call center që operon në Shqipëri, sepse shumë kompani (gati të gjitha) punojnë për llogari të klientëve italianë dhe këta të fundit mund të dekurajohen për të sjellë punë në vendin tonë dhe si rrjedhojë të spostohen në vende të tjera të BE-së.

– A do të ndikojë ky ligj te hapja e kompanive të reja apo nuk do të ketë më tentativa të tilla?
Hyrja në fuqi e këtij ligji me siguri do të jetë një pengesë e madhe për kompanitë e tjera që duan të hyjnë në këtë treg.

– A mund të shërbejë kjo si një shtysë për kompanitë call center që do të kalojnë në një stad tjetër, për t’u diversifikuar?
Për sa i përket diversifikimit në fushën e call center mund edhe të kërkohet që të zhvillohen shërbime në gjuhë të tjera, përveç asaj italiane, por sigurisht ky do të ishte një proces i gjatë. Unë mendoj se nuk do të jetë e mundur të zëvendësohen të gjitha shërbimet që sot zhvillohen në gjuhën italiane.

Artikulli paraprakLapadula: Milani fiton titullin
Artikulli tjetërNis Botërori i Klubeve, Kashima në çerekfinale