Policia greke ka zbuluar një tjetër sasi droge në zonën detare midis ishullit të Otonit dhe Korfuzit. Forcat e Marinës Detare kanë gjetur në 24 orët e fundit, midis shkëmbinjve, 7 thasë, 8 valixhe dhe 31 pako të mëdha me rreth 881 kg hashash gjithsej, të fshehura me kujdes.
Kjo sasi dyshohet të jetë fshehur nga trafikantët e gomones që i iku policisë në Itali dhe u fut në Kanalin e Korfuzit. Me sasinë e sekuestruar ditët e fundit, shkon në 1 ton 432 kg sasia e drogës, e cila deri tani është gjetur e fshehur apo e hedhur në plazhet e veriut të Korfuzit. Policia greke bëri të ditur se, droga ishte futur nga Shqipëria. Sipas informacioneve të autoriteteve policore të Korfuzit, dy personat që drejtonin mjetin lundrues dhe që kanë hedhur sasinë e drogës janë shtetas shqiptarë, të cilët janë shpallur në kërkim.
Një sasi e madhe droge u zbulua të mërkurën në brigjet e Korfuzit. Mësohet se policia greke gjatë një aksioni në ujërat shqiptaro-greke për kapjen e një skafi, bëri të mundur që në plazhin Lliovasilema, të gjejë 19 çanta me 253 pako me drogë. Ndërsa gjatë një operacioni në plazhin Almiros, u gjet dhe një çantë me 22 pako lëndë narkotike.
Gjithsej droga llogaritet në 551 kg e 155 gr marijuanë. Burime nga policia greke bënë të ditur se, bëhet fjalë për një gomone që ka tentuar të zbarkojë në brigjet italiane, por teksa është pikasur personat që ishin në të e kanë hedhur drogën në Korfuz. Të njëjtat burime pohuan se, gomonia drejtohej nga dy persona dhe është futur nga Shqipëria.
Po të mërkurën u kapën në Patra dhe 143 kg e 651 gr marijuanë, ndërsa në pranga ranë dy persona. Bëhet e ditur se transportuesit po tentonin të kalonin drogën me furgon frigorifer përmes tragetit për në Itali. Të arrestuarit janë një 51-vjeçar grek dhe një shqiptar, 33 vjeç. Ky i fundit rezulton në kërkim nga Interpoli. Policia greke sekuestroi 2200 euro, 9 celularë e disa dokumente të falsifikuara dhe në total arrin në më shumë se 1.4 ton.