Nga Ermal Peçi
Gjatë ditës së djeshme ishte i ftuar në emisionin “Zonë e Lirë me Arian Çanin” miku im Marsid Gupi. Në intervistën 60 minutëshe në rubrikën bëj një pyetje, doli foto e Ilir Metës, Marsidi i citoi një shprehje të Epikurit: “Mendohet se pushteti dhe paraja është zgjidhja e problemeve ndërkohë që është fillimi i problemeve më të mëdhaja” kjo pyetje iu drejtua Ilir Metës, por mund t’i drejtohej Sali Berishës, Edi Ramës dhe çdo personi, i cili deri në vitet 91 kishte vetëm një valixhe druri dhe asgjë tjetër, e më pas u gdhi milioner dhe me pushtet politik.
Shprehja e Epikurit është në fakt e vërteta më e madhe për politikanët orientalë, të cilët pavarësisht pushtetit të tyre pangopësia nuk njeh limit. Kjo pangopësi, kjo mendësi totalitare e prapambetur ka sjellë dhe sot burgun e çmendisë që krijuan po vetë.
Një burg të cilët, shqiptarët sot po e shikojnë mjaft mirë dhe po arrijnë të kuptojnë se kush janë njerëzit të cilët ata i kanë votuar, besuar edhe i kanë quajtur burra shteti.
Tre aktorët kryesorë Berisha, Meta dhe Rama duke e menduar veten si Zot të këtij vendi i lejuan vetes të bënin çdo gjë deri sa të bëheshin qesharakë në sytë e publikut duke e menduar veten të paprekshëm.
Më qesharaku, i cili duket dhe më në hall nga kjo treshe, për momentin e ka emrin Ilir Meta, ka rikthyer aktivitetet fizike, flet për partizanët, flet për nepotizmin që duhet të marrë fund në familjen parti të tij por mbi të gjitha mundohet të sulmojë kryetarin e PD-së Lulzim Basha me thashethemet që bëhen në kafe e jo që i kanë hije një politikani apo ish-presidenti.
E gjithë kjo sjellje, e cila në sytë e shqiptarëve po kthehet qesharake deri në skaj të çmendurisë ka vetëm frikën e drejtësisë. Atë që Aristoteli e shprehte mjaft mirë: “Në rastin më të mirë, njeriu është më fisniku i kafshëve, i ndarë nga drejtësia dhe ligji është më i keqi.”
Kjo shprehje i përkufizon më së miri secilin prej këtij trinomi politik që përbëhet nga Rama, Berisha, Meta, të cilët e menduan veten të ndarë nga ligji e drejtësia dhe tani që drejtësia po vepron e duhet suportuar ata e ndjejnë veten të mbyllur në burgun që ata krijuan po vetë.