Nga dr. Neli Demi
Triada e Errët nuk është një term konkurues me Trekëndëshin e Bermudës, që në fakt në politikën e vendit tonë ka një kuptim metaforik për të shprehur fuqinë destruktive të estabilishmentit, por mund të shërbejë si ilustrim mjaft përshkrues i sfondit psiko-politik që e karakterizon këtë trekëndësh.
Triada e Errët është një koncept psikologjik relativisht i ri (Paulhus & Williams, 2002) që përmbledh tre konstrukte keqdashëse dhe të ndërlidhura të personalitetit: narcizismi, psikopatia dhe Makiavelizmin.
Ndërkohë që të gjithë pjesët e Triadës së Errët bashkëndajnë karakteristika të dëmshme sociale si p.sh. pandjeshmëria, pabesia/mashtrimi dhe vetë-lartësimi, secila prej tyre ka trajtat e veta të veçanta (shih foton).
Përcaktimet moderne të narcizismit e përshkruajnë atë si një ndjesi të mirëqenë vetë-rëndësie. Karakterizohet nga një vetë-perceptim që nuk përputhet me realitetin p.sh. në formë të grandiozitetit dhe ndjenja superioriteti si dhe qasje armiqsore ndaj çdo stimuli që perceptohet i rrezikshëm për egon e tij/saj.
Psikopatia perceptohet si pjesa më malinje e triadës dhe karakterizohet nga impulsivitet, mungesë ndjeshmërie dhe keqardhjeje si dhe tendenca antisociale.
Makiavelizimi apo “qëllimi justifikon mjetin” nga ana tjetër karakterizohet nga manipulimi strategjik, mungesa e moralit konvencional dhe një këndvështrim cinik mbi botën (realitetin) dhe në mungesë të një përqafimi ideologjik të politikës (apolitik), ata shkojnë me këdo për të arritur synimin e tyre.
*Çdo ngjashmëri e këtyre përshkrimeve me personazhe të politikës Shqiptare është rastësor dhe emrat që mund t’i bashkëngjisni këtyre përshkrimeve janë përgjegjësi e mendjes së lexuesit…