Pas një kërkimi të ethshëm në arkivat e Shqipërisë dhe Turqisë, prof. dr. Ferit Duka botoi në vitin 2009 librin me studime dhe dokumente “Shekujt osmanë në hapësirën shqiptare”. Një periudhë e gjatë kohore, e shenjuar nga shumë ngjarje të nxjerra në pah nga prof. Duka, i cili afirmohet kështu si një personalitet i spikatur i osmanistikës shqiptare.
Libri i botuar nga UET Press rrok një tematikë të gjerë që lidhet me funksionimin e shoqërisë osmane në tokat shqiptare, me tiparet e saj politiko-shoqërore, demografike, ekonomike, kulturore dhe fetare. Studimet e përfshira në këtë libër përbëjnë kontribute tejet të rëndësishme për jetën urbane, për problemet etnike të shqiptarëve në Ballkan, por edhe për rolin që feja në përgjithësi dhe ajo islame në veçanti kanë luajtur në jetën e shqiptarëve.
“Prof. Duka ka meritën se është ndër të paktët studiues profesionistë shqiptarë që problematikën e shekujve osmanë në viset shqiptare e sheh nga brenda, mbi bazën e dokumentacionit sistematik e të plotë osman, çka këtij libri i jep sa origjinalitet aq edhe mendim solid dhe të qëndrueshëm”, shkruan dr. Dritan Egro.
Duka zhbirilon jo vetëm periudhën osmane, por edhe atë paraosmane, duke na ndihmuar të krijojmë një përfytyrim për të kaluarën tonë të largët e të panjohur.
KOMENTI I AUTORIT
Koha osmane ka qenë dhe mbetet një nga periudhat më interesante të historisë shqiptare. Dy janë arsyet kryesore që e bëjnë këtë periudhë të ngjallë kërshëri dhe të mos e humbë asnjëherë fuqinë tërheqëse për studiuesit. Së pari, brenda këtij harku kohor janë zhvilluar procese e dukuri të rëndësishme të cilat në një mënyrë ose në një tjetër, kanë përcaktuar tiparet e mëvonëshme të shoqërisë shqiptare. Së dyti, studimi dhe njohja e kësaj periudhe, sidomos e fazës së herëshme të saj, lejon që të saktësohen edhe perceptimet dhe imazhi që ne kemi për të kaluarën mesjetare paraosmane të shqiptarëve, ndriçimi i së cilës në shumë raste, vështirësohet për shkak të zbazëtive që vihen re në burimet historike.
Në rrethanat e lartpërmendura, shpresojmë që ky vëllim me studime për shekujt osmanë në hapësirën shqiptare do t’i kontribuojë zgjerimit dhe thellimit të mëtejmë të njohurive për historinë e kësaj periudhe. Nuk ka dyshim se studimet e përzgjedhura për t’u përfshirë në këtë libër janë frut i një pune kërkimore të gjatë që autori ka kryer në arkiva e biblioteka të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Është me vend të theksojmë me këtë rast se, megjithë rëndësinë e padiskutueshme që kanë patur në këtë proces arkivat dhe bibliotekat e tjera, epiqendër e kërkimeve tona ka qenë Arkvi Osman i Stambollit, një thesar i jashtëzakonshëm dokumentesh, pa të cilat si historia e përgjithshme osmane, ashtu edhe historia osmane e çdo vendi të veçantë, nuk do të mund të studioheshin e të shkruheshin në përshtatje me standardet e paraqitjes shkencore të historisë. Hulumtimet e mia dhe të kolegëve të tjerë shqiptarë në këtë rezervuar të madh lënde burimore janë shoqëruar gjithnjë me prurje dhe furnizim periodik të arkivit të Institutit të Historisë në Tiranë me dokumentacion osman me prejardhje nga arkivi i ish kryeqendrës së Perandorisë. Një gjë e tillë edhe pse nuk e ka shmangur asnjëherë nevojën që ndjejnë osmanistët shqiptarë për kërkime të mëtejme tashmë jo vetëm në Stamboll, por edhe në Ankara, ku ruhen gjithashtu fonde të rëndësishme dokumentare (përmendim këtu sidomos Arkivin e Vakëfeve, atë të Tapive dhe Kadastrës, etj.), prapëseprapë ka krijuar një mundësi të re për specialistët e kësaj fushe që t’i shfrytëzojnë më lehtësisht e më shpejt këto burime. Për më tej, shihet gjithashtu e domosdoshme që të eksplorohen tashmë nga studiuesit e kësaj periudhe edhe fondet dokumentare osmane të arkivave jashtë Turqisë, si atyre të Vatikanit, Venecias, Dubrovnikut, Sofies, Shkupit, Korfuzit, etj.
Një tjetër burim i fuqishëm të dhënash për studimet osmane në vendin tonë janë edhe fondet dokumentare që ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror në Tiranë, veçmas korpusi dokumentar i prodhuar nga gjykatat osmane (mahkeme-i şer’iyye) që kanë funksionuar për shekuj në qytetet kryesore shqiptare. Më i ploti, më solidi dhe ndërkohë, më i mirëruajturi, ndër këto fonde është ai i gjykatës së Beratit (mahkeme-i şeri’yye-i Belgrâd-i Arnavûd), i cili përmban lart nga 230 vëllime me dokumente të natyrave dhe llojeve të ndryshme (şer’iye sicilleri), që reflektojnë problematikën e gjerë dhe komplekse të qytetit të Beratit dhe rrethinës gjatë sundimit osman. Sikundër e kemi bërë të ditur edhe në raste të tjera, ky fond kolosal ka qenë një mbështetje e sigurt për një pjesë të mirë të studimeve të kryera nga ana jonë gjer më tani, përfshirë edhe disa syresh që janë bërë pjesë e këtij libri.
Lënda e këtij vëllimi rrok një tematikë të gjerë që lidhet me funksionimin e shoqërisë osmane në tokat shqiptare, me tiparet e saj politiko-shoqërore, demografike, ekonomike, kulturore dhe fetare. Ne besojmë sinqerisht se informacioni historik që shpaloset në faqet e këtij libri, analizat dhe përfundimet e nxjerra për shumë çështje që lidhen me kthesën që shënoi vendosja e sundimit osman në Shqipëri, ilustrimet e disa dukurive dhe proceseve nëpërmjet paraqitjes së drejtpërdrejtë të teksteve të transliteruara e të përkthyera në shqip të dokumenteve osmane, do t’i përligjin mjaftueshëm shpresat tona që lexuesit e ndryshëm, studiuesit e fushës, pedagogët dhe studentët e historisë, antropologjisë, etj., do të kenë një mundësi më shumë për të njohur e kuptuar “misteret” dhe “enigmat” e historisë shqiptare gjatë sundimit osman, ose, më e pakta, do të nxiten për kërkime dhe studime të reja në këtë drejtim.
Ndriçimi i historisë osmane të shqiptarëve, për çdo studiues është në vetvete një sipërmarrje e mbushur me sfida e vështirësi të shumta që lidhen jo thjeshtë me domosdoshmërinë e pajisjes së tij me një formim dhe kulturë historike të shëndoshë, por edhe me njohjen e disiplinave të tilla të rëndësishme siç janë paleografia dhe diplomatika osmane, pa të cilat shfrytëzimi i dokumenteve në osmanisht për qëllime studimore do të ishte i pamundur. Ndaj dhe ky libër, sikundër dhe punimet tona pararendëse, mishërojnë në të vërtetë një punë plot vullnet e këmbëngulje të shpenzuar pa kursim në rrjedhën e viteve jo vetëm në drejtim të zgjerimit e thellimit të kërkimit shkencor, por edhe në drejtim të lartësimit të pareshtur nga pikëpamja profesionale e kulturore.
PJESË NGA LIBRI
Familja e Kastriotëve përbën ndoshta një shembull unik në mesin e familjeve fisnike shqiptare të Mesjetës përsa i përket evolucionit që ajo përjetoi në pikëpamje të fuqizimit e të zgjerimit territorial brenda një kohe relativisht të shkurtër e plot dramacitet. Edhe pse u shfaqën në horizont më vonë se disa familje të tjera të mëdha, Kastriotët u shndërruan në aktorë kryesorë të skenës politike shqiptare që në fillimet e shek. XV, për t’u bërë më pas (duke filluar nga vitet 40), në kohën e Skënderbeut, familja që do ta stamponte emrin e vet në tërë historinë e këtij shekulli.
Një tregues mjaft domethënës i fuqizimit të shpejtë të Kastriotëve ishte edhe zgjerimi i posedimeve tokësore të kësaj familjeje. Nën sundimin e Gjon Kastriotit, të atit të Skënderbeut, principata përfshiu brenda kufijve të saj rrethinat e Tiranës, Matin, Mirditën si dhe dy Dibrat deri në Prizren1. Përjashtim bënte Kruja, e cila ka qenë ndër të parat qytete shqiptare që ranë nën sundimin osman. Në kohën e mbretërimit të sulltan Bajazitit I, midis viteve 1394-1396, qyteti në fjalë kishte hyrë në rrezen e administrimit të shtetit të Gjysmë-Hënës, përderisa në burimet osmane të mëvonshme është shënuar se Jakup Pasha dhe Hoxha Firuz Pasha (të dy bejlerbejlerë të Rumelisë në kohë të ndryshme gjatë dekadës së fundit të shek. XIV), kishin lëshuar autorizime sipas të cilave banorëve të Krujës u faleshin taksat.2
Pas disfatës që osmanët pësuan në Ankara (1402), ndikimi i tyre në Shqipëri u dobësua dhe fisnikëria vendase mundi të çlirohet përkohësisht nga ankthi i pushtimit. Kështu që midis viteve 1410-1415 Kruja ra në dorën e njërit prej pinjollëve të derës së Topiajve (Niketë Topia).3 Më 1415, osmanët e futën përsëri qytetin nën sundimin e tyre. Si qeveritarë lokalë të Krujës osmane përmenden Murat Beu e Ali Beu, përkatësisht në vitet 1415 e 1432, ndërsa në vitin 1443 në këtë funksion ishte Hasan Beu, i biri i Ajdin Beut dhe Helena Muzakës.4 Qyteti në fjalë u bë pjesë e zotërimeve të Kastriotëve vetëm pas ardhjes këtu të Skënderbeut në nëntor të vitit 1443, i cili e shpalli Krujën qendër të principatës së tij dhe prej këtej publikoi projektin për një kryengritje çlirimtare kundërosmane.5
Megjithatë lidhjet e Krujës me Skënderbeun kanë një fillesë më të hershme. Kryeqendra e re e Kastriotëve, bashkë me rrethin e saj, ishte bërë kohë më parë pjesë e Sanxhakut Shqiptar, një nga të parat njësi administrative të krijuara në Gadishullin Ballkanik nga shteti osman ..
DETAJET E LIBRIT
Titulli: Shekujt osmanë në hapësirën shqiptare
Gjinia: Histori
Autori: Ferit Duka
Shtëpia botuese: UET Press
Viti: 2009
Fq. 468