Shqipëria është vendi me informalitetin më të lartë të kursimeve të individëve.
Nga një studim i Bankës Botërore për “Rreziqet dhe fitimet nga menaxhimi i financave personale në 10 vende të Europës Qendrore dhe Ballkanit”, shihet se rreth 47% e popullsisë janë të prirë t’i mbajnë kursimet e tyre jashtë institucioneve zyrtare të licencuara për të administruar kursimet e tyre, si bankat, institucionet financiare, fondet e investimit dhe fondet e pensioneve. Të dhënat i referohen një kërkimi të bërë në vitin 2012-2013.
Preferenca për të mbajtur kursimet jashtë institucioneve të ligjshme arsyetohet me kulturën e dobët financiare. Në vende të tilla si Hungaria, kultura financiare karakterizon mbi rreth 70% të popullsisë së rritur, ndërsa në ekstremin tjetër qëndron Shqipëria, ku shihet se vetëm 14% kanë njohuri financiare.
Në Europën Qendrore, përqindja e individëve që preferojnë të ruajnë kursimet në informalitet është rreth 25%, përveç Çekisë që e ka këtë tregues shumë të lartë, mbi 60%. Ndërsa në Ballkanin Perëndimor, kjo përqindje është shumë më e lartë.
Ekspertët e Bankës Botërore shpjegojnë se përqindja e lartë e kursimeve informale mund të nënkuptojë se aksesi i qytetarëve në banka është i ulët. Por në Shqipëri dhe Maqedoni, ky arsyetim nuk qëndron pasi në këto vende, numri i qytetarëve që kanë llogari në banka është i lartë, por gjithashtu numri i atyre që duan t’i menaxhojnë kursimet në informalitet është i lartë.
Kjo vjen edhe për shkak të hapësirave të kufizuara për diversifikimin e kursimeve.
Republika Çeke ka nivelin më të lartë të diversifikimit, ndërsa Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Rumania dhe Serbia janë dukshëm nën mesataren.
Si në shumë ekonomi në tranzicion, pjesa e depozitave të kursimit në valutë të huaj është e lartë.
Mesatarisht, 42% e depozitave të kursimit dhe 45% e parave të gatshme janë në monedhë të huaj. Në Serbi, kursimet në valutë janë 90%. Pjesa e depozitave në valutë është rritur fuqishëm në Europën Juglindore dhe Ballkanin Perëndimor gjatë krizës nga 1990 dhe ka mbetur e lartë edhe në vitet në vijim.