Nga Ermal Peçi
Ditën e premte u bë publik një lajm, i cili jo vetëm tregonte gjendjen e mjerueshme të qeverisë Rama, por tregonte degradimin e vertetë që ka pësuar një qeverisje, e cila kryefjalë ka korrupsionin. Një ngjarje, e cila bëhet akoma më e rëndë kur mendon se Policia e Shtetit ka fshehur këtë ngjarje në më shumë se 7 muaj.
Është po ajo polici që Altin Dumani bënte thirrje publike për të ndërgjegjësuar shoqërinë që drejtuesit e saj bashkëpunojnë me grupe kriminale. Pavarësisht shpjegimeve shterpe të minitres Brahimaj, në një shtet serioz, ministrja duhet të ishte dorëhequr dhe Kryeministri duhet të mbante përgjegjësi ekipin qeverisës që ka zgjedhur që gjysmat i ka në burg dhe një pjesë po pret të shkojë drejt burgut. Jo vetëm që askush nuk mbajti përgjegjësi, por vazhduan sikur mos të kishte ndodhur asgjë dhe kjo falë makinerisë së propagandës që kanë krijuar, kontrollit të mediave dhe falë protagonizmit deri në kufijtë e qesharakes të modelit Ilir Meta.
Në performancën e tij qesharake ku ish-Presidenti i vendit u zgjodh president i partisë së tij personale bëri që vëmendja publike të harrohej nga ngjarjet e rënda dhe skandalet, me të cilat po mbështillet kjo qeveri.
E sikur mos të mjaftonte e gjithë kjo propagandë që tenton të manipulojë realitetin shqiptar duke pasqyruar një panoramë krejt ndryshe ishte edhe lufta me dhëmb e shpirt e Ramës kundrejt Rai 3 për të bllokuar një panoramë, të cilën shqiptarët e prekin çdo ditë, e prekin çdo moment dhe po e jetojnë.
Ky realitet është thika e vërtetë që plagos çdo shqiptar, çdo ditë, në ekonomi, në arsim, në shërbim, në meritokraci dhe në siguri, sepse thika e vërtetë që plagos çdo shqiptar e ka emrin, korrupsion, mungesë drejtësie dhe propagandë. Propagandë që kërkon të ndërtojë Shqipërinë që është në ëndrrat e Ramës dhe të korruptuarit që e rrethojnë, por jo ajo që prekin shqiptarët.