Prokurori Arthur Traldi tha në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë të martën se pretendimet nga mbrojtja se Ratko Mlladiç mbrojti popullsinë jo serbe të Bosnjës gjatë luftës dhe ndëshkoi autorët e krimeve ishin të rreme.
Traldi tha se provat e paraqitura gjatë gjykimit prej katër vitesh e gjysmë të Mlladiçit treguan pikërisht të kundërtën – se komandanti i Ushtrisë serbe të Bosnjës nuk i ndëshkoi, por i ngriti në detyrë vartësit që ishin përgjegjës për spastrimin etnik dhe vrasjet.
Prokurori përmendi shembullin e Rajko Kusiç, komandant i Brigadës së Rogaticës të Ushtrisë serbe të Bosnjës, të cilin Mlladiç e ngriti në detyrë pavarësisht krimeve që ushtarët e tij kryen në Komunën e Rogaticës.
Ai tha gjithashtu se një oficer që i dërgoi një letër zyrtare Kusiçit, duke i bërë thirrje atij “të ndalonte masakrat, u hoq nga detyra”.
Sipas Traldit, Kusiç vazhdoi të kryente krime në zonën e Rogaticës deri në vitin 1995, ndërsa Mlladiç e vlerësoi atë.
Ai vuri në sallën e gjyqit një regjistrim, në të cilin Mlladiç thoshte: “Të lumtë, Kusiç” dhe e quante atë “një oficer me merita”.
“Që dikush të ngrihej në detyrë brenda radhëve të Ushtrisë serbe të Bosnjës, ai duhet të ishte i suksesshëm në spastrimin etnik”, tha Traldi.
Si provë që Mlladiç ishte në dijeni të krimeve që janë kryer dhe dha urdhra për t’i mbuluar ato, Traldi përmendi një shënim nga ditari i kohës së luftës të gjeneralit, ku tregonte se informacionet në lidhje me një varr masiv në minierën e Tomasicës, pranë Prijedorit, duhet të fshiheshin.
“Mlladiç vlerësoi fushatën e suksesshme të spastrimit etnik dhe ai nuk i ndëshkoi autorët e krimeve”, tha prokurori.
Traldi gjithashtu hodhi poshtë urdhrat e Mlladiç për respektimin e rregullave ndërkombëtare të luftës dhe konventat e Gjenevës, duke thënë se ato ishin “jo efektive dhe sa për sy e faqe”.
Prokurori tha se, “askush nuk ishte ndëshkuar edhe autorët e krimeve pranuan krimet dhe armët dhe trupat e viktimave ishin ende në dispozicion … sepse ushtarët bënë atë që duhet të bënin – kryen një spastrim etnik të territoreve”.
Duke iu përgjigjur pretendimeve nga pala mbrojtëse e Mlladiçit se 3,000 jo serbë qëndruan në Komunën e Sanski Mostit gjatë luftës, prokurori tha se para konfliktit atje jetonin 28,000 të tillë.
Traldi më pas citoi dokumentet e lëshuara nga autoritetet serbe të Bosnjës që përmendnin “nevojën për të larguar jo serbët”.
“Ata njerëz u zhvendosën nëpërmjet kryerjes së krimeve të tmerrshme, arrestimeve masive, masakrave, shkatërrimit të fshatrave”, tha prokurori, duke përmendur vrasjen e 29 grave dhe fëmijëve në fshatin Hrustovo, pranë Sanski Mostit në maj 1992 si shembull.
Mlladiç akuzohet për gjenocidin e boshnjakëve nga Srebrenica në vitin 1995, persekutim të boshnjakëve dhe kroatëve në gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, e cila dyshohet se arriti shkallën e gjenocidit në disa komuna të tjera në vitin 1992, terrorizim të popullsisë së Sarajevës gjatë 44 muajve të rrethimit të kryeqytetit boshnjak dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.
Masakra e Srebrenicës pa vrasjen e më shumë se 7,000 burrave dhe djemve myslimanë nga forcat serbe të Bosnjës, ndërsa rreth 10,000 persona vdiqën gjatë rrethimit të Sarajevës për shkak të sulmeve me snajper, bombardimeve dhe privimeve të tjera.
74-vjeçari është shprehur se është i pafajshëm për këto akuza.
Prokuroria mbajti deklaratat e saj mbyllëse deri të mërkurën, ndërsa mbrojtja nga data 9 deri më 13 dhjetor.
Të dyja palët do të kenë mundësi të komentojnë deklaratat mbyllëse të secilës më 15 dhjetor në gjykatën e OKB-së.
Gjyqi filloi në maj 2012 dhe vendimi pritet të jepet në vitin 2017.