Nga sharjet, tek kërcënimet, zbardhet raporti i Prokurorisë për sherrin e burrit të ministres: Ibrahimaj goditi me gozhdë në fundshpinë drejtorin e ATK-së

Është zbardhur raporti i Prokurorisë për ngjarjen ku u përfshi Andri Ibrahimaj, burri i ministres Delina Ibrahimaj, i cili plagosi drejtorin e Agjencisë së Trajtimit të Kredive, Eri Koshaj.

Sipas raportit të Prokurorisë, Andri Ibrahimaj e ka goditur me gozhdë në brinjë dhe fundshpinë Eri Koshajn, në atë periudhë vartësi i bashkëshortes së tij. Në raport thuhet se grindja ndodhi për shkak se drejtori i ATK-së ka sharë ministren Ibrahimaj.

“Gjatë bisedave evidentohet fakti, se grindja kishte ndodhur për shkak se Eri Koshaj i kishte sharë bashkëshorten shtetasit Andri Ibrahimaj dhe se në grindje e sipër ky i fundit e kishte goditur me gozhdë”, thuhet në raportin e siguruar nga gazetarja Klodiana Lala.

Gjithashtu edhe Andri Ibrahimaj ka pretenduar në dëshminë e tij se Eri Koshaj e ka kërcënuar dhe ofenduar me fjalë banale.

“Pas rreth 30 minutash sqaron se ka ardhur i shoqëruar me një person tjetër, trupmadh të cilin nuk e njeh dhe ishte hera e parë që e shikonte. Ka dalë nga kafja, është drejtuar për tek ata të cilët e prisnin në rrugë. Sa ka shkuar te ky person ka filluar përsëri me ofendimet dhe ka kërkuar llogari se përse e kishte sharë dhe ofenduar, duke e tërhequr dhe kërkuar “hajde dalim nga rruga” me ofendime nga familja me fjalë banale. Aty u konfliktuan të dy fizikisht, u goditën me njëri-tjetrin me grushta. Ai sqaron se gjatë kësaj kohe janë rrëzuar të dy përtokë dhe aty ky shtetas mund të jetë vrarë a dëmtuar në pjesë të ndryshme të trupit ku ka bërë kallëzim”, thuhet në dëshminë e tij.

RAPORTI

Më datë 20.11.2023, pranë Komisariatit Nr.1 Tiranë, është paraqitur dhe ka kryer kallëzim shtetasi Eri Koshaj, me detyrë Drejtor i Përgjithshëm tek Agjencia e Trajtimit të Kredive, i cili ka kallëzuar se: “Më datë 20.11.2023, rreth orës 09:30, ka qenë duke ecur në rrugën “Tefta Tashko Koço” dhe nga një lokal i cili ndodhet përballë dyqanit “Soft and X” ka dalë shtetasi Andri Ibrahimaj ku fillimisht e ka kërcënuar dhe kanosur me fjalë ofenduese, i ka kërkuar të futeshin brenda në lokal dhe të sqaroheshin, por ai nuk ka pranuar dhe aty janë afruar disa njerëz të tjerë për t’i ndarë, pasi ishin duke u shtyrë me njëri-tjetrin. Në këtë moment shtetasi Andri Ibrahimaj ka nxjerrë nga xhepi një mjet prerës në dukje, dhe me të e ka goditur në drejtim të brinjëve, në krahun e majtë dhe në pjesën e fund shpinës. Ky shtetas tregon se dëmtime dhe dhimbje ndjen në pjesën e bërrylit të djathtë, kaviljes dhe në pjesën e fundshpinës dhe për shkak të goditjes i është çarë dhe xhupi.

Kallëzuesi ka sqaruar se ky shtetas e ka shqetësuar dhe më parë, ku i kërkonte të sqaroheshin përballë pasi pretendon se për shkak të pozicionit të punës, shtetasi Eri Koshaj është bërë shkak për mosrinovimin e kontratës së punës të një shokut të tij të shtetasit O.M.

Shtetasi Eri Koshaj ka deklaruar se nuk ka dijeni për këtë pjesë pasi është pozicion që përzgjidhet nga një Këshill Mbikëqyrës. Për shkak të detyrës që ka ky shtetas ka deklaruar se shtetasi Andri Ibrahimaj i ka krijuar shqetësim dhe stres prej një viti e në vazhdim.”.

Nga akti i ekspertimit mjeko ligjor nr. 861, datë 24.11.2023, rezulton se: “Gjatë ekzaminimit të shtetasit Eri Koshaj, janë konstatuar dërmishtje në pjesën e fundshpinës, me ngjyrë disi mavi, me përmasa 3 x 3 cm, të shkaktuara me mjet mprehës. Dëmtimet e mësipërme nuk kanë qenë të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit dhe si të tilla hyjnë në kategorinë e atyre që kanë sjellë për pasojë humbjen e aftësisë për punë në masën deri 9 (nëntë) ditë.”.

Më datë 05.01.2024, është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, i kallëzuari, shtetasi Andri Ibrahimaj, i cili ka shpjeguar se: “Ka në administrim një lokal të quajtur “Te Bacja”, së bashku me shtetasin H. M., në rrugën “Tefta Tashko- Koço”. Më datë 20.11.2023 tregon se ka qenë duke pirë një kafe te bar kafe “Biblioteka”, i cili është lokal ngjitur me punën e tij. Rreth paradites së kësaj dite, rreth orës 10:00-11:00 telefonon shtetasi Eri Koshaj duke e ofenduar në telefon, dhe duke kërkuar se ku ndodhej sepse donte ta takonte. Ai i ka thënë se është te puna, pranë pazarit të ri.

Pas rreth 30 minutash sqaron se ka ardhur i shoqëruar me një person tjetër, trupmadh të cilin nuk e njeh dhe ishte hera e parë që e shikonte. Ka dalë nga kafja, është drejtuar për tek ata të cilët e prisnin në rrugë. Sa ka shkuar te ky person ka filluar përsëri me ofendimet dhe ka kërkuar llogari se përse e kishte sharë dhe ofenduar, duke e tërhequr dhe kërkuar “hajde dalim nga rruga” me ofendime nga familja me fjalë banale. Aty u konfliktuan të dy fizikisht, u goditën me njëri-tjetrin me grushta. Ai sqaron se gjatë kësaj kohe janë rrëzuar të dy përtokë dhe aty ky shtetas mund të jetë vrarë a dëmtuar në pjesë të ndryshme të trupit ku ka bërë kallëzim. Ai pretendon se edhe vetë kur është rrëzuar në tokë është vrarë nga këmbët dhe gjunjët. Më tej sqaron se aty kanë ndërhyrë disa persona të rastit, kuzhinieri me të cilin ka qenë  duke pirë kafe dhe një person tjetër dhe i kanë ndarë. Pas kësaj, shtetasi Eri Koshaj u largua duke e sharë dhe ofenduar përsëri me fjalë banale duke e kërcënuar me fjalët “do ta shohim se çfarë do të të bëj unë, etj”.

Personi i cili ishte me shtetasin Eri Koshaj në fillim ka shkuar së bashku me Erin por më pas ai person ka ndërhyrë për të ndarë konfliktin. Ai sqaron se me shtetasin Eri Koshaj njihen rastësisht dhe se nuk kanë ndonjë shoqëri apo probleme me njëri-tjetrin. Pyetur nëse ka përdorur thikë për ta goditur ai e ka mohuar duke sqaruar se nuk ka planifikuar ndonjë konflikt me këtë shtetas, madje ishte ai që i ka shkuar në vendin e punës.”.

Më datë 05.01.2024, është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, shtetasi O. M., lindur dhe banues në Tiranë, ka shpjeguar se: “Më datë 31.10.2023 i ka mbaruar kontrata e punës si zv. drejtor juridik në “Agjensinë e Trajtimit të Kredive” ku drejtor ka qenë dhe është shtetasi Eri Koshaj. Shpjegon gjithashtu se organi kompetent për rinovimin e kontratës, nuk ja ka miratuar rinovimin e kontratës. Ai sqaron se e njeh shtetasin Andri Ibrahimaj që nga fëmijëria, por nuk ka ndonjë miqësi të ngushtë me të sa t’i kërkojë të ndërhyjë për rinovim kontrate te Drejtori i tij Eri Koshaj pasi nuk është kompetencë e këtij të fundit.”. Më datë 05.01.2024, është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, shtetasi E.M., lindur dhe banues në Tiranë, ka shpjeguar se: “Ka qenë së bashku me Andrin duke pirë kafe kur kanë ardhur dy persona për ta takuar. Njëri prej tyre e tërheq Andrin dhe fillojnë dhe shtyhen e konfliktohen duke u rrëzuar përtokë. Personi që ka filluar konfliktin ka sharë me fjalë banale edhe gjatë largimit. Ai sqaron se Andri nuk ka pasur mjet prerës thikë”.

Kallëzuesi Eri Koshaj ka depozituar një USB ku ka regjistruar disa biseda të kryera me shtetasen T. R., biseda të kryera në aplikacionin WhatsUp dhe disa biseda ambientale të zhvilluara ndërmjet tyre në një ambient kafeneje. Bisedat e kryera në apikacionin Whatsup janë printuar dhe nga leximi i përmbajtjes së tyre, rezulton se shtetase T. R., bisedon me shtetasin Eri Koshaj në lidhje me këtë ngjarje duke u shprehur e shqetësuar se përse kjo ngjarje kishte ndodhur dhe duke i kërkuar falje e këshilluar që të dy djemtë të mos grindeshin me njëri-tjetrin, pasi ajo i konsideronte ata si dy vëllezër. Gjithashtu gjatë bisedave evidentohet fakti, se grindja kishte ndodhur për shkak se Eri Koshaj i kishte sharë bashkëshorten shtetasit Andri Ibrahimaj dhe se në grindje e sipër ky i fundit e kishte goditur me gozhdë. Biseda ambientale e regjistruar nga vetë shtetasi Eri Koshaj e kryer me shtetasen T. R., nëna e Andri Ibrahimaj, duket se është kryer në një ambient publik kafene.

Nga bisedat dy personat flasin për një person të tretë Olsi ku duket se të dy e njohin shumë mirë dhe gruaja e këshillon Eri Koshajn që: “Olsin do ma mbash mirë”. Në lidhje me këto biseda nuk vërtetohet data se kur është kryer regjistrimi i tyre.

HETIMET E PROKURORISE

Në raportin e Prokurorisë thuhet se nga provat e administruara në fashikullin hetimor nuk rezulton se ndodhemi para veprës penale “Goditje për shkak të detyrës”. “Në rastin konkret nga provat e administruara në fashikullin hetimor nuk rezulton se ndodhemi para veprës penale “Goditje për shkak të detyrës” e parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal. Nga provat e administruara në fashikullin hetimor, rezulton se në datën 20.11.2023, rreth orës 09:30, në rrugën “Tefta Tashko-Koço” përballë lokalit “Te Bacja”, që administrohet nga shtetasi Andri Ibrahimaj, kallëzues Eri Koshaj është konfliktuar fizikisht me shtetasin Andri Ibrahimaj (personi i kallëzuar), ku si pasojë e goditjeve Eri Koshaj ka pësuar dëmtime në trup që hyjnë në kategorinë e dëmtimeve deri në 9 ditë. Konflikti fizik midis këtyre shtetasve dhe goditjet nuk rezultojnë të jenë kryer për shkak të detyrës, pasi 1.

Së pari shtetasi Eri Koshaj në momentin që ka ndodhur konflikti, nuk ka qenë në kryerje e sipër të detyrës së tij. Së dyti ka qenë shtetasi Eri Koshaj i cili ka shkuar përballë lokalit “Te Bahçja” që administrohet nga shtetasi Andri Ibrahimaj dhe konflikti fizik ndërmjet tyre ka ndodhur përballë lokalit dhe jo pranë vendit të punës së shtetasit Eri Koshaj. Sipas shtetasit Andri Brahimaj, ky i fundit e ka goditur shtetasin Eri Koshaj, për shkak se ai e ka ofenduar rëndë nga bashkëshortja. Ky motiv i konfliktit fizik konfirmohet edhe nga bisedat e regjistruara në Whats up të zhvilluara ndërmjet shtetases T. R., (nëna e Andri Ibrahimaj) dhe shtetasit Eri Koshaj. Motivi i pretenduar nga ana kallëzuesit Eri Koshaj, se është goditur për shkak të detyrës, për arsye se shtetasi O. M., shok i Andri Ibrahimaj, ishte shkarkuar nga detyra në Institucionin që drejton Eri Koshaj, përveç deklarimeve të dhëna nga kallëzuesi nuk rezulton të jetë i mbështetur në prova të tjera.

I pyetur në lidhje me këtë ngjarje, shtetasi O. M., ka mohuar që të jetë ankuar tek shtetasi Andri Ibrahimaj për largimin e tij nga detyra, apo të ketë shtyrë atë që të konfliktohej me shtetasin Eri Koshaj. Gjithashtu nga bisedat e regjistruara dhe depozituara nga ana e kallëzuesit Eri Koshaj, nuk rezulton që shkaku i konfliktit fizik të ketë qenë detyra e kryer nga ana shtetasit Eri Koshaj. Përsa më sipër nuk rezulton të plotësohen elementët objektivë dhe subjektivë të veprës penale “Goditje për shkak të detyrës” e parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal. Në lidhje me dëmtimet e pësuara nga shtetasi Eri Koshaj, ka rezultuar se ato hyjnë në kategorinë e dëmtimeve deri në 9 ditë, që sipas nenit 90 të Kodit Penal, hyjnë në fushën e veprimit të veprës penale “Dëmtime të tjera me dashje”.

Ndërsa fyerjet e pretenduara nga ana e shtetasit Andri Ibrahimaj, që janë kryer ndaj bashkëshortes së tij, hyjnë në fushën e veprimit të veprës penale “Fyerja” e parashikuar nga neni 119 i Kodit Penal. Në nenin 59 të K/Pr. Penale “Viktima akuzuese” parashikohet se “1. Ai që është dëmtuar nga veprat penale të parashikuara nga nenet 90, 91, 92, 112 paragrafi i parë, 119, 119/b, 120, 121, 122, 125, 127, dhe 254 të Kodit Penal ka të drejtë të paraqesë kërkesë në gjykatë dhe të marrë pjesë në gjykim si palë për të vërtetuar akuzën dhe për të kërkuar shpërblimin e dëmit.”. Për sa më sipër, bazuar në nenin 59 të K.Pr.Penale, ndjekja penale për veprat penale “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Fyerja”, mund të fillojë vetëm me kërkesën në gjykatë të viktimës akuzuese. Këto vepra penale nuk bën pjesë në grupin e veprave penale të cilat ndiqen kryesisht nga ana e organit të prokurorisë, apo atyre veprave që sipas nenit 284 të K.Pr. Penale, ndiqen nga ana e organit të Prokurorisë në bazë të ankimit të viktimës së veprës penale. Në përfundim, bazuar në nenet 328 gërma “f” dhe 329/a të Kodit të Procedurës Penale:

KËRKOJMË:

Pushimin e procedimit penal nr. 8690, datë 28.12.2023, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës” e parashikuar nga neni 237 pg. 1, i Kodit Penal.

Artikulli paraprakAnëtarja e kryesisë, Marinela Ziu: Ministria e Financave nuk publikon transaksionet e thesarit. Transaparenca është në ditët e saj më të errëta edhe për faktin e mungesës së financimit të projekteve antikorrupsion si Open Data Albania
Artikulli tjetër“Veliaj “princ i shëmtisë” dhe “mjeshtër” i manipulimit, nuk konkurrohet me show”/ Lapardhaja: Mbështetje SPAK-ut, e vetmja rrugë për të çuar Veliajn përpara drejtësisë