Ministrat e Jashtëm nga shtetet anëtare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSCE) janë mbledhur në Hamburg të Gjermanisë, për takimin vjetor që kësaj radhe do të përqendrohet në konfliktet në Ukrainë dhe Siri.
Para takimit dyditor, ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier i ka bërë thirrje Rusisë që të ndihmojë në zbutjen e tensionit në Evropë dhe për “armëpushim humanitar të menjëhershëm” në Siri.
Zyra e Steinmeierit ka thënë se ai i ka bërë këto thirrje gjatë takimit me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Në një editorial të përbashkët që është botuar në gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, nga Steinmeier dhe homologët e tij austriakë dhe italianë, e kanë akuzuar Rusinë se po “minon themelet e arkitekturës së paqes në Evropë” përmes veprimeve të saj në Ukrainë.
Lavrov gjithashtu është takuar në Hamburg edhe me sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, i cili ka thënë se ai dhe ministri i Jashtëm rus kanë biseduar për “situatën jashtëzakonisht të rëndë në Alepo”.
Lidhjet e Moskës dhe Perëndimit janë dëmtuar shumë pas aneksimit që Rusia i ka bërë gadishullit ukrainas të Krimesë në muajin mars të vitit 2014 dhe përkrahjes që po iu jep separatistëve në Lindje të Ukrainës në luftën që deri më tash ka marrë jetën e 9600 personave.