Ish-prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beci ka deklaruar se SPAK duhet të hetojë rastet e zyrtarëve të korruptuar të cilët tentojnë t’i shmangen arrestimit apo burgimit, duke sajuar sëmundje të rënda më raporte të falsifikuara.
Beci thekson se praktikat mjekësore duhet të jenë pjesë e hetimit, në këtë mënyrë edhe mjeket të tregohen të përgjegjshëm për mos t’u dhënë alibi të korruptuarve.
“Këto praktika mjekësore ndonjëherë duhet të bëhen objekt i hetimeve të SPAK që të mos abuzohet me to e mjekët të jenë më të përgjegjshëm. Por, praktika gjyqësore edhe e Gjykatës së Lartë e ka zgjidhur këtë fenomen me procedura strikte të një ekspertimi mjeko-ligjor, që të përcaktojë saktë gjendjen shëndetësore të të arrestuarit dhe mbajtja apo jo në burg e tij vlerësohet me ekspertim”, thekson Eugen Beci.
Por ish-prokurori e shikon dhe problemin te favorizimi që i bëhën të korruptuarve nga sistemi i Burgjeve që është pjesë e ekzekutivit dhe maxhorancës në qeverisje.
“Shumica e zyrtarëve të arrestuar dalin të sëmurë mbase për faktin që Drejtoria e Burgjeve është pjesë e ekzekutivit dhe mazhoranca i merr në “sqetull” anëtarët e vet, meqenëse nuk ka mundësi t’i ndihmojë më shumë. Por ka edhe një arsye tjetër. Meqenëse burgjet shpesh nuk ofrojnë kushte specifike për një zyrtar të arrestuar, gjenden këto artifica me sëmundje”, thekson ai.
ZYRTARET ME RAPORTE MJEKESORE
Spitali i Burgut është një nga “strehët” më të sigurta për zyrtarët e korruptuar që nuk e kanë me dëshirë të rrinë në ambientet e paraburgimeve deri në përfundim të gjykimit.
Janë të shumtë ish-funksionarët që pasi pajisen me raportin mjekësor për problemet shëndetësore që kanë, nëse nuk ia dalin të thyejnë gjykatën për t`iu ndryshuar masën e sigurimit, atëherë shkojnë në Spitalin e Burgut. Rasti më i fundit është ai i kryebashkiakut humbës të Himarës, i cili sapo u arrestua, shfaqi probleme shëndetësore. Po ashtu, probleme shëndetësore shfaqi edhe ishkryebashkiaku i Bulqizës, i cili u “strehua” në këtë spital.
Po ashtu, edhe kryebashkiaku fitues i Himarës, Alfred Beleri, ka paraqitur disa kërkesa në Gjykatën e Posaçme për ndryshimin e masës për shkak të gjendjes shëndetësore, por Gjykata e Posaçme nuk pranoi. Po ashtu edhe Lefter Koka kërkoi ndryshimin e masës, duke paraqitur raporte në lidhje me gjendjen tejet të rënduar shëndetësore, por sërish ishte GJKKO që refuzoi lirimin. Janë të shumtë edhe zyrtarët që përdorin edhe kartën e familjarëve me probleme në shëndet.
Rasti më i fundit ishte lirimi nga burgu i Saimir Tahirit, ish-ministrit të Brendshëm, i cili deklaronte se kishte bashkëshorten të sëmurë dhe nuk kishte kush të kujdesej për fëmijët, po ashtu edhe Alda Klosi, që u arrestua për qindra mijëra euro, që u tha se mbante në shtëpinë e saj, por që nuk ua dinte burimin nga i vinin, dëshmoi se kishte njerëz të sëmurë në shtëpi për të cilët duhej të kujdesej, por as ajo nuk u lirua.
Lista e zyrtarëve të arrestuar që kanë paraqitur kërkesa për lirim nga qelitë pasi kanë shfaqur probleme shëndetësore është e gjatë, ndërkohë që ende askush prej këtyre zyrtarëve nuk ka marrë lirinë për shkak të sëmundjes. I vetmi që i shpëtoi burgut prej sëmundjes ishte shoferi i Fredi Belerit, i cili u hetua jashtë qelie.