Mungesa e energjisë elektrike është kthyer në një makth për pacientët dhe mjekët në spitalet e Tiranës. Në repartin e “Infektivit” në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ikja e dritave ia ka bërë edhe më të vështirë punën mjekes së turnit, e cila e gjendur në këtë situatë aspak normale është detyruar që të ndezë dritën e telefonit për të vizituar pacientin.
E si të mos mjaftonte kjo, në këto kushte mjekja ka bërë edhe gjilpërën si dhe i ka vendosur serumin pacientit. Në një video të siguruar nga JOQ-ja i afërmi i pacientes i thotë mjekes se në këto kushte as kafshët nuk mund të vizitohen, ndërsa mjekja thotë se fajin për errësirën e ka kondicioneri, që sipas saj ka bërë masë.
Ndërkohë në dhomë, që duket se ndodhen disa persona të shtruar, dëgjohen zërat e të sëmurëve, dikush që thërret “doktor”, ndërsa dy të rinj komentojnë këtë situatë të turpshme. Imagjinoni nëse kjo situatë të ndodhë gjatë një operacioni?