Studente: Unë jam një nga ato studente që reforma në arsim më ka prekur shumë. Jam brezi që na dogji, na la pa shkollë. Ne e dimë që themelet e sistemit arsimor tashmë janë prishur. Gjendja është katastrofike, dhe jam e sigurtë që shumica këtu janë totalisht të rinj si unë, nxënës të gjimnazeve që kërkonin një të drejtë, një të drejtë për t’u informuar më shumë për reformën që po bënte ministria. Kur ne pyesnim se çfarë do të thonte reformë, zonja ministre na fliste për favorizime, por ne nuk kërkonim apo kërkojmë favor, e po çfarë na pret. Tani dua tju pyes ju zoti Basha, çfarë do të bëni ju për të rregulluar gjithë këtë gjendje në vitin 2017?
Basha: Rinia shqiptare meriton përpjekjen më të fortë të shtetit shqiptar për arsim sa më cilësor dhe të mirë, kjo është arsyeja sepse unë besoj fort në mbështetjen e fuqishme buxhetore të universiteteve publike, pa dyshim dhe në lirinë e universiteteve jopublike për të ofruar mbi rregullat e tregut, arsimin sipas mundësive të tyre. Cilësia arsimore po kështu është shumë e rëndësishme. Qeverisja ime do të investojë fuqimisht në universitetet publike. Do të investojë fuqimisht në infrastrukturë dhe në rritjen e cilësisë së pedagogëve dhe mësimdhënies. Asnjë i ri apo e re, nuk do të privohet nga e drejta e studimit për shkak të pamundësisë ekonomike. Shqipëria i ka mundësitë ta sigurojë këtë. Sot, Shqipëria nuk i siguron, sepse me ligjin e ri të Arsimit është bërë një mish mash i vërtetë, ku përfitojnë një grusht klientësh të kryeministrit dhe ku ndëshkohen siç u ndëshkuan këtë vit, mijëra maturantë. Kjo do të marrë fund. Ligji klientelist për arsimin e lartë do të anulohet. Paratë e prindërve tuaj do të shkojnë për të investuar në rritjen e cilësisë së mësimdhënies në universitetet publike shqiptare, tarifat do të jenë të përballueshme për familjarët tuaj, dhe do të kemi një skemë që do të mundësojë që çdo i ri i shkëlqyer të mos privohet nga e drejta e studimit për shkak të pamundësive ekonomike. Kjo nuk do të thotë që do të penalizojmë institucionet private apo publike të Arsimit të Lartë. Ne do të zbatojmë praktikat më të mira perëndimore të matjes së cilësisë së tyre të afishimit dhe bërjes së transparencës së cilësisë së tyre, për të dalluar ato institucione që ofrojnë me të vërtetë alternativa të mira. Universiteteve publike nuk do t’u mungojë mbështetja, por prioriteti numër një i qeverisë time do të jetë mbështetja totale e arsimit publik, rritja e cilësisë së arsimit publik dhe bërja e mundur e një numri sa më të madh të rinjve shqiptarë të studiojnë në universitete cilësore, me tarifa të përballueshme në degë nga të cilat mund të dalin njerëz të zot për ekonominë e tregut, inxhinierë, mjekë, juristë ekonomistë, shkencëtarë, duke rrëzuar sistemin e patronazhit, duke rrëzuar korrupsionin në arsimin e lartë dhe duke bërë të mundur që studenti më i shkëlqyer, studenti më i mirë, ta ketë të hapur rrugën që sipas studimeve të tij, sipas djersës së tij, sipas mundit të tij, të sigurojë punën, jetën, familjen, mirëqenien, lumturinë.
Studente: Unë quhem Ana Rama studente në Fakultetin e Drejtësisë. Realisht ndihem shumë e lumtur që gjendem mes kaq shumë të rinjsh që shpresën e tyre e gjejnë te PD. Pjesa më e madhe e të rinjve po mendojnë dita-ditës të largohen nga ky vend dhe shikoj shumë miq të mi që kanë humbur shpresën, nuk kanë optimizëm të qëndrojnë në këtë vend. Kisha dëshirë të dëgjoja nga ju se çfarë do të bëhet për këta të rinj që duan të largohen, sepse realisht janë premtuar 300 mijë vende pune, por çfarë po ndodh me të rinjtë shqiptarë në këta tri vite, në çfarë pozitash ndodhemi ne?
Basha: Shqipëria ka nevojë më shumë se për këdo tjetër, për të rinjtë, për energjinë e rinisë për kreativitetin e rinisë për talentin e rinisë. Në të njëjtën kohë, paradoksi qëndron që këta janë numri më i madh i atyre shqiptarëve që duan të largohen apo që largohen nga Shqipëria, të rinjtë pra, të aftët, talentet. Largohen, sepse atje ku shkojnë, shoqëria sistemi u jep mundësinë përmes talentit të tyre të ecin përpara, ndërsa këtu nuk të jepet kjo mundësi. Nuk ka rëndësi sesa mirë i ke mbaruar studimet, ska rëndësi sesa sipërmarrës i mirë je, rëndësi ka sot, kë njeh tek tatimet, rëndësi ka nëse ke lidhje me pushtetin. Rëndësi ka nëse ke mundësinë të paguash rryshfetin, gjobën.
Me këtë qeveri, me këtë pushtet, kjo ka marrë një dimension tragjik. Ardita që takova para disa ditësh në Tropojë, më tregoi se kishte mbaruar shkëlqyeshëm Infermierinë, por nuk merrte një vend pune që institucionet shëndetësore ishin mbushur me të paaftë që ishin të afërm farefis të drejtorit, po që kishin paguar një tarifë të papërballueshme korrupsioni. E kështu, mund t’u tregoj me dhjetëra qindra shembuj që nuk ka nevojë, sepse ju i njihni fare mirë. Po nuk ndryshuam këtë, po nuk i dhamë mundësi çdo qytetari shqiptar, e në veçanti çdo të riu shqiptar, që të vejë përpara sipas aftësive dhe mundësive të veta, atëherë vendi do të zbrazet, rinia do të largohet. Unë dua tju them sot, nga ky shesh, se për mua nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa bashkë me ju të shembim këtë sistem të falimentuar të dështuar të korrupsionit dhe krimit, që i nderon të dënuarit për drogë, i bën deputetë e kryetarë bashkish, dhe i ndëshkon të aftët, të mirët, të zotët. Këtë mund ta bëjmë vetëm duke shembur kollonat e sistemit, duke shembur pushtetin e pakufizuar të qeverisë, duke i dhënë pushtet qytetarit të vendosë ai se kush do të jenë përfaqësuesit e tij.
Brenda Partisë Demokratike kjo do të thotë, t’i japim pushtet anëtarëve të Partisë Demokratike, të rinjve në PD, të vendosin, madje të diktojnë përfaqësuesit e ardhshëm demokratë në institucione ku merren vendimet për qytetarët, në Parlament, por dhe kudo tjetër, ku merren vendimet për jetën e shqiptarëve, për mirëqenien e tyre, për shëndetin e tyre, për arsimin e tyre, për shërbimin ndaj tyre. Po e bëmë këtë, jam i bindur që me ndihmën tuaj, me ndihmën e rinisë, do tia dalim me sukses, ta vendosim këtë standard evropian në PD, atëherë rruga është e hapur dhe besimi i shqiptarëve do të jetë i palëkundur, që të njëjtën gjë do të ofrojnë për ta në qeverisje. Një ekonomi e çliruar nga monopolet do të thotë një ekonomi që krijon më shumë vende pune, më shumë mundësi për të rinjtë që të gëzojnë jetën e tyre këtu në Shqipëri dhe jo t’i drejtohen alternativës së largimit, një politikë e çliruar nga krimi dhe korrupsioni do të thotë më shumë mundësi për rininë të sigurojë jo vetëm përfaqësim, por dhe vendimmarrje në institucionet shtetërore, jo sipas militantizmit, por sipas profesionalizmit, sipas meritës sipas aftësisë. Nuk ka rrugë tjetër. Asnjë shoqëri nuk ka bërë përpara, duke nderuar krimin, asnjë shoqëri nuk ka bërë përpara, duke kthyer drogën, aktivitetin kryesor ekonomik, asnjë shoqëri nuk ka bërë përpara, duke fuqizuar pushtetarët, e duke shfuqizuar qytetarët. Liria mua më dha mundësi, kur isha fare i ri, të shkoja në një vend perëndimor të studioja. Liria, hapja e Partisë Demokratike në 2005, më dha mundësinë të jap kontributin tim për ndryshimin e madh të vendit. Në vitin 2005, pra unë vetë e di, e kam provuar, e kam shijuar avantazhin e lirisë, dhe sot misioni im i shenjtë është që gjithsecili prej jush dhe çdo i ri shqiptar dhe çdo qytetar shqiptar, ta gëzojë avantazhin e lirisë, vlerën e lirisë, forcën e lirisë. Sot e gëzon vetëm një bllok, njësoj si blloku para 26 vitesh, vetëm ata janë të lirë të arrijnë cilindo vend pune që kërkojnë, vetëm ata janë të lirë të përcaktojnë se kush i merr paratë e shqiptarëve në tendera e koncesione, vetëm ata janë të lirë të dërgojnë fëmijët e tyre për të studiuar në shkollat më të shtrenjta të Evropës dhe të Amerikës. Ky Bllok duhet të marrë fund, njësoj siç mori fund Blloku para 26 vitesh. Duhet ta themi hapur, pjesë e problemit është dhe antagonizmi politik, trajtimi i partive politike si prona që i kundërvihen njëri-tjetrit për pushtetin e njëri-tjetrit dhe jo për interesin qytetar. Krijimi i armiqve siç e kishte komunizmi, komunizmi vepronte mbi bazën e armikut, ku armiku duhej goditur, duhej burgosur, duhej poshtëruar duhej internuar, duhej vrarë dhe pastaj duhej sharë. Edhe sot, partitë politike që janë kthyer në instrumenta politike të fuqizimit të njëshit, të pasurimit të njëshit, të pushtetit të njëshit, kanë shpikur armiq, armiku është opozita, armike është media që thotë atë që nuk mendon njëshi. Armik është dhe populli, kur nuk pranon të hajë bar apo dogma apo gënjeshtra apo mashtrime. Kjo kulturë duhet të marrë fund, me shembullin tonë si një parti e vlerave, si një parti e lirisë, si një parti e demokracisë së brendshme, që kushdo që ka vlera ecën përpara dhe jo kushdo që thotë atë që do kryetari, por kushdo që ka vlera ecën përpara dhe merr përgjegjësi. Në këtë mënyrë do ndryshojmë.
Në këtë mënyrë do të shembim këtë kastë të korruptuar e të inkriminuar. Në këtë mënyrë do ta bëjmë ndryshimin e vërtetë, një ndryshim që ta prekë çdo shqiptar. Ne jemi parti e gjithë shqiptarëve, parti e gjithë Shqipërisë, do të thotë që nesër pushteti i demokratëve do të jetë pushteti i çdo shqiptari, pushtet i gjithë Shqipërisë.
Jurgen Malaj, ish-kryetar i Aleancës Studentore të Shqipërisë, kam mbaruar studimet në Universitetin e Tiranës për Mjekësi të Përgjithshme. Punoj dhe jetoj si mjek në Suedi. Në fakt lavdi Perëndisë, Zoti e deshi sot që të mbërrija në kohë në këtë takim, pasi e pashë në “Facebook”, njoftimin.
Basha: Ku i mbarove studimet në Shqipëri apo në Suedi?
Jurgen Malaj: Në Universitetin e Tiranës, tani po specializohem në Malmoe të Suedisë.
Basha: Sa lekë pagove që të merrje specializimin në Malmo?
Jurgen Malaj: Asnjë lekë.
Basha: Nuk pagove ryshfet?
Jurgen Malaj: Këtu më kërkuan 45 mijë euro në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Kjo është diferenca. Por unë kam ardhur këtu dhe do të vij, pavarësisht se jetoj, punoj dhe kam familjen në Suedi, do të vij këtu të kontribuoj në mënyrën më të thjeshtë, më modeste, për Partinë Demokratike, për Shqipërinë, për shqiptarët. Programi i Partisë Demokratike do të bëhet nga të gjithë ne sëbashku. Suksese! Gëzuar! Sa më mbarë!
Basha: Jurgen Malaj, shqiptar, mbaron shkollën këtu, mbaron universitetin dhe shkon dhe specializohet dhe Suedia, një nga vendet me standardet më të larta i jep mundësinë një shqiptari që në bazë të aftësive të tij të specializohet në një disiplinë shumë të vështirë, shumë konkuruese siç është mjekësia, pa paguar asnjë lekë. Ndërsa këtu thotë, më kërkuan 45 mijë euro për specializim. Nuk dua të bëj moral, se morali është vetë këtu. Duhet t’u them me shembullin e Jurgenit, se ku jemi e ku duam të shkojmë, se ku jemi e ku duhet të shkojmë dhe po të jemi të gjithë të një mendje, se çelësi është, standardi i lirisë dhe i mundësive i të gjithëve në bazë të ligjit, nga këtu ku jemi me forcën e çdo shqiptari të ndershëm, me forcën e çdo të riu, jo vetëm duhet, jo vetëm duam, por do të shkojmë, dhe unë jam i vendosur të bëj gjithçka bashkë me ju që kur të mblidhemi këtu pas disa vitesh mos dëgjojmë më histori të tilla, por të dëgjojmë se si vajzat dhe djemtë shqiptarë, nuk ikin, por kthehen në një Shqipëri të mundësive për të gjithë.
Studente: Jam Edona dhe kam ardhur nga Shkodra. Kur them Shkodër kam thënë revolucion, kam thënë kryengritje, liri dhe demokraci. A mund të flasim sot në vitin 2016 për liri dhe demokraci? A mund të flasim sot për liri kur gjendemi përballë shkarkimesh masive, krizë morale, krizë indentiteti, të rinjtë humbin jetën plehrave të Sharrës, gropave të Lungomares, nëna që humbin jetën në pritje ambulancave, a është liri kjo? Kjo është thjesht një periudhë postkomuniste, asgjë tjetër. Por çdo gjë e ka një zgjidhje dhe zgjidhja është rinia. Angazhoi të rinjtë kryetar, jepu poste. E kemi vërtetuar që jemi të aftë me e nderu veten, pozicionin tonë. Jemi të mirëpërgatitur, jemi të arsimuar, jemi për ndryshim, promotorë të paqes, jemi ura lidhëse, jemi menaxhues shumë të mirë të konflikteve.
Basha: Edona të faleminderit për këtë reflektim. E pe që entuziazmi tek të gjithë të pranishmit nuk mungoi, kur ti bëre reflektimin tënd dhe u prezantove si përfaqësuese e rinisë shkodrane. Rinia shkodrane ka rolin e saj të patjetërsueshëm të nisjes së rrugës së lirisë, në vrasjen e frikës. Të gjitha problemet që përmende dhe gjithçka tjetër për të cilën ju protestuat sot dhe protestoni ditë për ditë, thelbin e kanë tek tjetërsimi i lirisë, tek privatizimi i lirisë. Zgjidhja është të përballemi, të luftojmë dhe të fitojmë lirinë për rininë, për Shqipërinë, për të ardhmen tonë. Unë nuk do të jap poste, ju do t’i merrni. Në Partinë Demokratike, unë do të krijoj kushtet që të rinjtë të marrin përgjegjësi. Ky është misioni im, kjo është përgjegjësia ime. Nuk jam unë i plotfuqishmi, i gjithëdituri, i dyti pas Zotit që përcakton si dhe kush. Unë kam një detyrë të shenjtë që ma keni besuar me votën tuaj, të përcaktojmë në Partinë Demokratike rregullat që do të mundësojnë që më të aftët, më të mirët, më të besuarit, më të përkushtuarit ndaj kauzës së shqiptarëve për liri dhe demokraci, për një Shqipëri si gjithë Europa, të marrin përgjegjësitë e të jenë përfaqësuesit e shqiptarëve në Parlament dhe kudo tjetër, në Bashki, në Këshilla Bashkiakë dhe për këtë sot nga ky shesh dua të përsëris për ty Edona dhe për këdo tjetër që, në Partinë Demokratike nuk do të ketë vend për rininë vetëm si mbushje, vetëm si flamurtare aksionesh, por si mbartëse të shpresës, duke e marrë e duke mbajtur përgjegjësi. 35% e grupit tonë të ardhshëm parlamentar do të përbëhet nga të rinjtë. Së paku 35%. Sepse ne kemi nevojë të ndryshojmë edhe në familjen tonë. Ne kemi nevojë që rininë tonë të mos e përdorim vetëm për të na dhënë entuziazëm, shpresë dhe forcë në ditë të vështira, por për t’i dhënë përgjegjësinë që të ndryshojë Partinë Demokratike dhe të ndryshojë Shqipërinë nesër. Nuk ka shpresë tjetër Shqipëria përveç rinisë. Nuk ka forcë më të madhe Partia Demokratike përveç rinisë, nuk kam mision më të madh unë si kryetar i Partisë Demokratike për ta bërë rininë, forcën përcaktuese sot në Partinë Demokratike dhe nesër në të gjithë Shqipërinë.