“Të bëhemi bashkë se na mbyti SPAK”, Rama dy orë fjalim dhe një minutë për të zyrtarizuar bashkimin me Berishën!

NGA POLI HOXHA

Sulmi i prapecedentë mediatik, presionet e kërcënimet politike, tentativat për blerje, paralajmërimet e hapura dhe të nëndheshme, nuk pinë më ujë.

Buldozieri, SPAK- GJKKO, vetëm ecën përpara pavarësisht gurëve, shisheve me benzinë dhe barrikadave që i vihen.

Por “trimat” e Dumanit dhe të Gjykatës së Posaçme, harrojnë një gjë: Parlamenti i krijoi, parlamenti, (Sovrani-thotë Rama), mund tu ulë kokën, ti frenojë, ti kontrollojë dhe po të dojë edhe ti shkrijë fare!

Ndaj këtë të martë, kjo u shpall mundësia dhe strategjia e fundit që u ka mbetur:

Të bëhemi bashkë, ta marrim situatën nën kontroll në parlament me “rregullime” ligjore, sepse na mbyti SPAK dhe GJKKO.

Qeliza Mëmë malinje, mblodhi metastazat e kancerit dhe së bashku me “kolegët e opozitës”, do të reformojnë dhe do të ndihmojnë sistemin imunitarë, i cili po i ha me shpejtësi për të shpëtuar trupin e Shqipërisë!

“Jallah, Jallah”, do të thoshte një drejtues emisioni politik, i cili denoncon bashkëpunimin e Foltores me Erion Veliajn për kulla e vila, por Rama dhe Berishaj nuk dinë gjë!

Pra “Huri i gjatë”, (Siç e quajti veten kryeministri), pasi e bëri copë-copë për dy orë “nongratën, të vdekurin e pakallur”, (Ka qenë betuar se nuk do bashkëpunojë kurrë), sepse i kishte lënë peshqesh sistemin korruptiv që në 2013, i shtriu dorën që së bashku “të futin në shina” SPAK, pasi ka marrë aq për kot, sa që ka frikë edhe për Zahon e vogël.

Me pak fjalë i thotë Berishës, të vetmes alibi dhe patericë që i ka mbetur: Ti lëmë mënjanë sharjet dhe akuzat për spektakël ndaj njëri-tjetrit dhe të bëhemi bashkë me akte, me “Komisione të Posaçme”, për të neutralizuar Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme. Se nuk ndalet dot SPAK as me gërthimat e tua në penxhere dhe as me kërcënimet e mia në Asambletë e PS!

Themi kot që Rama “i shtriu dorën” Berishës, sepse faktikisht pakti Rama-Berisha, tashmë është në veprim.

Amnistia e dy veglave të tyre të keqpërdorura deri në mjerim, Bardhi-Manja, nga e cila përfituan dhjetra të korruptuar, ishte vetëm një provë gjenerale në parlament e marrëveshjes anti-drejtësi mes klaneve Rama, Berisha dhe një grupi manjatësh mediatik dhe oligarkë.

Ndaj për ata që nuk e kanë të qartë se çfarë tha Rama pas dy orësh në vetëm një minutë dhe çfarë ishte thelbi i rezolutës që lexoi Spiropali, duhet ta dinë:

Rama me Berishën ortakërinë ekonomiko-financiare, po e zgjerojnë edhe me atë politike dhe “bashkëqeverisje” në parlament.

Bizneset le të vazhdojnë, por për ti shpëtuar ato, duhet që të bashkojnë votat për të “reformuar” institucionet e drejtësisë sepse siç deklaroi edhe vetë “Huri i gjatë”, po ikim për lesh!

Aq shumë mendon Rama për të ndihmuar SPAK dhe GJKKO, (Se Berisha është më i ndershëm kur i quan kriminelë), sa që i ka bllokuar gjyqësorit, edhe financat.

Është aq i përkushtuar për të ndihmuar SPAK dhe GJKKO, sa 3-4 amendamentet e PD zyrtare në ndihmë të këtyre institucioneve dhe sipas rekomandimeve të ndërkombëtarëve, i mban të kyçura në dollapin e Nikollës.

Kërkon që të fusë në lojë Kuvendin për të “reformuar” ata që tashmë kanë mbërritur me hetime te ai vetë, por ka fshehur projektligjet e Bashës dhe PD dhe kyç gojën për Vetingun e pasurisë së të paktën 200 politikanëve kryesorë në vend dhe për heqjen totale të imunitetit të deputetëve.

Gjithsesi si mundësinë e fundit që u ka mbetur, (Para sekuestrimeve të plaçkës që u kanë grabitur egërsisht shqiptarëve dhe provave për burg), për të frenuar dhe sabotuar sa të munden SPAK dhe GJKKO, le të heqin merakun dhe le të bëjnë çfarë kanë për të bërë.

Veçse ashtu si atëherë kur vidhnin këtë popull dhe mburreshin e na bullizonin me plackën e bërë, edhe në këtë luftë finale mbijetese i kanë bërë hesapet pa “hanxhinë” që është një shumicë absolute shqiptarësh pro SPAK-GJKKO, të duan drejtësi dhe ndëshkim deri në fund dhe ndaj kujtdo.

Madje me dy “hanxhinj” kanë punë: Edhe me SHBA-BE!/

Artikulli paraprak“Situata është aq e tensionuar sa…”- Analiza e DW: A lejohet edhe Ukraina të përdorë armë perëndimore për të sulmuar objektivat në Rusi?
Artikulli tjetër“Varfëria në Shqipëri mbetet e lartë”/ Raporti i Avokatit të Popullit: 1/3 e popullsisë jeton në kushte të vështira