Nga Namir Lapardhaja
Pas njëmbëdhjetë vitesh në pushtet, Edi Rama u kujtua të mbledhë të tijët dhe t’u paraqesë një “rezolutë” kombëtare për shpëtimin e vendit nga korrupsioni?
Ndonëse erdhi në pushtet me moton se është sistemi ai që të korrupton, njëmbëdhjetë vite në qeverisje absolute, nuk i mjaftuan për ta ndrequr sistemin, përkundrazi u bë vetë koka e një sistemi endemik dhe thellësisht të korruptuar.
Pasi ka hedhur akuza për katër orë me radhë, ka sharë dhe ka shfryrë ndaj “non gratës”, me të cilin ishte betuar e stërbetuar se nuk do të bashkëpunonte kurrë, sërish në fund, ka hedhur “dorashkën” e bashkëpunimit për të mirën e Shqipërisë dhe të vendit, për të pasur rrugën e hapur drejt BE-së.
Madje, në vazhdën e kësaj, një ndër deputetët e tij, ka artikuluar në mbrëmje në një ndër studiot televizive, se kjo “marrëveshje” mes Ramës dhe Berishës për të luftuar korrupsionin dhe për të reformuar drejtësinë, i ngjan bashkëpunimit të Çurçillit me Stalinin kundër Hitlerit. Ai shtoi se u bashkua ideologjia komuniste me atë liberale për të luftuar nazizmin, kështu që ne e kemi më të lehtë për të bashkëpunuar. Nga ana tjetër, deputeti i PS-së nuk sqaroi se kujt i korrespondonin në realitetin shqiptar emrat e mësipërm.
Deklarata e Ramës në drekë për të bashkëpunuar me të gjithë dhe përforcimi i deputetit të PS-së në mbërmje, tregojnë qartë hallin e madh që është vënë politika shqiptare nga drejtësia e re, nga SPAK dhe GJKKO. Subjektet e korrupsionit dhe ata për të cilët është krijuar SPAK dhe GJKKO po kërkojnë të bëhen bashkë për të luftuar korrupsionin dhe për të kontrolluar drejtësinë.
Përtej hipokrizisë dhe ilaritetit, pas njëmbëdhjetë vitesh në pushtet, të kujtohesh për të luftuar korrupsionin nëpërmjet një “rezolute” të hedhur për t’u diskutuar dhe bashkëpunuar me ata që kanë të njëjtin hall me drejtësinë si qeveria që Rama drejton, është tallje me shqiptarët.
Së pari, në Parlament, sipas kërkesave dhe shqetësimeve të SPAK, janë depozituar nga PD zyrtare disa amendamente për përmirësim dhe lehtësim të punës së Prokurorisë së Posaçme sipas vetë atyre që ajo ka kërkuar, ndërkohë që Lindita Nikolla me porosi të Edi Ramës i mban të kyçura në sirtar, sepse pushtetit nuk i intereson përmirësimi i punës së drejtësisë, por pengimi i saj.
Së dyti, “rezoluta” e PS-së dhe Edi Ramës nuk është e konsultuar me sistemin e drejtësisë, por është një mënyrë për t’i bërë shantazh dhe për ta mbajtur nën presion Prokurorinë dhe Gjykatën, sepse po të kishte vullnet qeveria mjafton të vinte në zbatim kërkesat e kreut të SPAK, Altin Dumanit, dhe ky do të ishte vullneti më i mirë i qeverisë për të treguar se nuk e pengojnë mbarëvajtjen e punës së institucionit kryesor të akuzës.
Të kujtohesh pas njëmbëdhjetë vitesh në pushtet për të luftuar korrupsionit, ndërkohë që gjysmën e qeverisë e ke në burg, ndërsa pjesën tjetër në hetim, dhe të kërkosh bashkëpunim me ata që janë vetë objekte të drejtësisë së re, është njëlloj sikur të ngresh pyetjen: me herë të njëmbëdhjetë quhesh…i korruptuar?