Presioni i Ramës ndaj gjyqtarëve liroi Lul Berishën

Ndonëse i dënuar me 25 vite burg për vrasje dhe krijim organizate kriminale, Lul Berisha është liruar me një vendim të çuditshëm të Gjykatës së Apelit Durrës, pasi ka bërë vetëm 10 vite burg. Po 15 vitet e tjera ku kanë shkuar? 10 vite i janë njohur si kohë paraburgimi gjatë kohës që vijonin proceset gjyqësore, ndërsa 5 vite të tjera i janë falur kriminelit të Durrësit të angazhuar në manipulimin e zgjedhjeve për llogari të Ramës. Po si mund të falen 5 vite dënim burgu? Kjo është merita e presionit të Ramës me vettingun politik që ka ushtruar prej ditësh ndaj gjyqtarëve. Këta të fundit nën kërcënimin direkt të ministrit të Brendshëm, Tahiri morën vendimin për lirimin e Lul Berishës. Rama i ka bërë të qartë gjyqtarëve përmes kërcënimeve se në rast se nuk do të lironin Lul Berishën, atëherë Vettingu politik që ai shpreson të realizojë ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve përmes tre drejtorëve të tij do t’i fshinte nga drejtësia.
Një vendim i dhënë nga Gjykata e Apelit Durrës, për të liruar Lulzim Berishën ka nxjerrë në pah dhe një herë pasojat që po i sjell i ashtuquajturi vetting i kapur politikisht, gjyqësorit shqiptar. Burime për gazetën thanë se gjyqtarëve prej kohësh i është bërë presion nga qarqe të ndryshme qeveritare për të liruar një prej kreut të bandave më famëkeqe në Shqipëri. Anëtarët e gjyqësorit janë habitur se si tre gjyqtarë me eksperiencë, mund të arrijnë deri aty sa t’i japin lirinë një njeriu që akuzohet për krijim të një organizate kriminale dhe vrasje, dy veprat të rënda që sanksionohen nga Kodi ynë Penal. Në fakt ska asgjë për t’u habitur. Edi Rama në kulmin e debatit për vettingun për të ndikuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ka ushtruar presion prej ditësh gjyqtarët që të marrin një vendim të tillë. Prej ditësh jo vetëm gjyqtarët e Durrësit, por e gjithë kasta e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë vënë nën një presion të madh nga ana e Ministrisë së Brendshme, e cila pa hyrë ende vettingu në fuqi kanë vënë në vëzhgim gjyqtarët që nuk kanë pëlqimin e Edi Ramës dhe Sajmir Tahirit. Kësaj i është bashkuar dhe Drejtoria e Pastrimit të Parave, ku drejtor është vegla tjetër e Edi Ramës, Alket Hysenaj, që në kundërshtim me ligjin po kërkon gjilpërën në kashtë. E gjitha kjo për të plotësuar tekat e Edi Ramës dhe enturazhit të tij politik, që kanë hyrë në këtë ndërrmarje me skenarin e qartë për të kapur gjyqësorin dhe çimentuar më pas pushtetin me anë të tij. Dhe rezultati i parë ishte lirimi i Lul Berishës, që u bë për dy arsye. E para, për të pasur të garantuar angazhimin e Lul Berishës dhe bandës së tij në zgjedhjet e përgjithshme, dhe e dyta për të justifikuar vettingun politik të Ramës përpara qytetarëve për të etiketuar në publik gjyqësorin si të korruptuar. Jo më kot do të ishte Sajmir Tahiri, një ministër i Brendshëm që ka sulmuar në mënyrën më të paprecedentë sistemin gjyqësor, ai që do të sillte në vëmendjen e publikut menjëherë pas këtij akti, nevojën për rivlerësim të trupës gjyqësore dhe prokurorëve. Më tej, korri do të plotësohej nga papagajtë e brendshëm dhe të jashtëm mbështetës të liderit global.

Gjykata e Shkallës së Parë refuzoi lirimin e vrasësit

Fillimisht kërkesa e tij ishte rrëzuar në Gjykatën e Shkallës së Parë, por më pas ka qenë Apeli që ka vendosur që Lul Berisha të lejë qelinë e të qëndrojë në shtëpi, në përgjithësi Gjykata e Apelit nuk i rrëzon vendimet e Shkallës së Parë, përse Lul Berisha duhej të bënte përjashtim? Por kush janë gjyqtarët e Gjykatës së Apelit në Durrës, të cilët kanë vendosur për lirimin e Lul Berishës, banda e të cilit akuzohet për një sërë vrasjesh dhe trafik droge?. Arben Vrioni ka qenë kryesues i trupës gjykuese që ka shqyrtuar ankimimin e Lul Berishës, ndërsa anëtarë kanë qenë gjyqtarët Petrit Çeno dhe Anita Mici. Sipas vendimit të tyre, siç bëhet me dije Lulzim Berisha është liruar me kusht me arsyetimin se ka kryer 3/4 e dënimit me 25 vite burg si dhe për sjellje të mirë. Në sajë të këtij vendimi, Lulzim Berisha duhet të mbajë kontakte me zyrën vendore të Shërbimit të Provës, shkruan BalkanËeb. Ndërkohë, Arben Vrioni ka një karrierë të gjatë në gjyqësor, më herët ka qenë edhe kryetar i Gjykatës së Elbasanit. Sa i takon Petrit Çenos, ai është më i njohur për publikun për shkak se ka qenë edhe anëtar i Kolegjit Zgjedhor. Ndërkohë që më herët kapobanda kishte kërkuar lirinë me arsyetimin se “vuante nga një sëmundje e rëndë dhe i rrezikohej jeta po të qëndronte në qeli”. Berisha, një prej njerëzve më të rrezikshëm të botës së krimit në Shqipëri, është liruar të martën më 6 dhjetor nga Gjykata e Apelit Durrësit në një proces larg vëmendjes së mediave dhe ndaj tij është vendosur “lirim me kusht” për 5 vitet e mbetura të dënimit.

Arben SHAHINI

Artikulli paraprakVetëm 10% e shqiptarëve kursejnë për pleqërinë
Artikulli tjetërI paprekshmi i Ramës, nuk lejohet të hetohet