Taulant Balla deputet i Librazhdit nuk ka nevojë për vendim gjykate për të vërtetuar para opinionit publik që është një shpifës sa herë ia kërkon interesi Edi Ramës, por edhe kur kjo vërtetohet me vendim gjykate, ai mundohet t’i shmanget. Taulanti, i njohur për pasionin që ka për orat 70 mijë euro, pasionin për të parë live “Bayern Mynih” në Gjermani, apo dhe jetën mondane pas ardhjes në kryeqytet, vazhdon të drejtojë Komisionin Hetimor për çështjen e CEZ megjithëse akoma nuk ka shlyer detyrimin prej 1 milion lekësh të reja, që Gjykata ia ka ngarkuar për shkak se është shpifës. Kjo shmangie nga detyrimet ligjore ka detyruar Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Arben Ristanin, t’i drejtojë një letër kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, ku kërkon dorëheqjen e kreut të Komisionit parlamentar Hetimor për CEZ.
Letra
Dje, ishte thirrur për të dëshmuar në Komisionin Hetimor për çështjen e CEZ ish-kryeministri Sali Berisha. Një mbledhje më parë, më datë 23 nëntor Berisha do të deklaronte se s’mund të dëshmojë para një kryetari, i cili nuk respekton vendimet e gjykatave, dhe rezulton debitor. Për këtë çështje, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ristani, i ka kujtuar kryetarit të Kuvendit se komisionet hetimore funksionojnë mbi bazën e parimeve kushtetuese “hetimi parlamentar, njëlloj si hetimi penal, udhëhiqen nga parimi i rëndësishëm i paanësisë dhe parimi i procesit të rregullt ligjor. Për këtë shkak, rregullat mbi papajtueshmërinë dhe konfliktin e interesit të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale, janë njëlloj të vlefshme edhe për rastin e anëtarëve të Komisionit Hetimor parlamentar, në mungesë të rregullave specifike apo të kundërta në Ligjin Nr. 8891/2002. Kjo bëhet e detyrueshme po të mbahet në konsideratë edhe pika 1 e nenit 4 të Ligjit Nr. 8891/2002 ku specifikohet se: 1 Komisionet Hetimore të Kuvendit ngrihen dhe funksionojnë mbi bazën e parimeve kushtetuese dhe rregullave të përcaktuara në këtë ligj”, argumenton Ristani. Sipas tij, është i njohur fakti se Taulant Balla është dënuar me vendim të formës së prerë “në rastin konkret është i njohur fakti se kryetari i Komisionit Hetimor zoti Balla është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për shpifje ndaj djalit të ish-kryeministrit Sali Berisha, dhe njëkohësisht është debitor ndaj tij në vlerën e 1 milion lekëve. Konkretisht, me vendimin nr. 1419 të Gjykatës së Apelit është vendosur lënia në fuqi e vendimit nr. 5245 datë 13.05.2013 të Gjykatës së Rrethit Tiranë, me ndryshimin në vlerën 1 milion lekë për dëmin jashtëkontraktor të shkaktuar”, thuhet në letrën e dorëzuar në Kuvend.
Enton DACI