Tre raste të trafikut të drogës nga Shqipëria janë goditur nga policia greke ditën e djeshme gjatë kontrolleve në kufirin me Shqipërinë. Në Janinë janë ndaluar dy automjete, në fshatin Kallpaq, ku nga kontrollet në njërin prej tyre u gjetën 104 kg 350 gramë marijuanë. Droga u gjet e fshehur në mjetin e parkuar, ndërsa mjeti tjetër, sipas policisë greke, shërbente për kontrollin e rrugës.
Sakaq, në pranga janë vënë 5 persona, 2 shqiptarë burrë e grua 26 dhe 21 vjeç, dhe tre shtetas grekë (dy femra 20 dhe 33 vjeç, dhe një burrë 33 vjeç). Nga kontrolli i ushtruar, atyre iu sekuestrua dhe një pistoletë. Droga ishte marrë në kufirin e gjelbërt shqiptaro-grek.
Në një tjetër kontroll të ushtruar në fshatin Ambelona të Filatit, në Igumenicë, u kapën nga policia dy shqiptarë teksa kalonin me këmbë kufirin, duke transportuar 4 çanta me 87 kg marijuanë. Policia greke arrestoi dy shqiptarët të moshës 30 dhe 34 vjeç, dhe sekuestroi lëndën narkotike. Ndërkaq, në Kristalopigi, po në Igumenicë, u kapen duke ecur në këmbë 4 shtetas shqiptarë 21, 22, 27, dhe 27 vjeç duke transportuar një çantë me 2 kg 120 gram marijuanë.
Shqiptari kapet në portin e Ankonës me 91 kg drogë
Punonjësit e Policisë Financiare kanë sekuestruar 90 kg marijuanë në portin e Ankonës. Mediat italiane raportojnë se droga ishte fshehur në bordin e një kamioni që kishte zbarkuar në Itali, ndërsa lënda narkotike vinte nga Shqipëria. Ndërkohë, në pranga ra drejtuesi i kamionit që transportonte rroba, një shqiptar, identiteti i të cilit nuk dihet ende. Mësohet se droga ishte fshehur në rimorkio, në 4 çanta, ndërsa ishte ndarë në 94 pako, e sipër tyre ishin vendosur rroba, të cilat kishin destinacion pjesën veriore të Italisë.
Ndërkohë, policia italiane ka arrestuar dje tre shqiptarë, të cilët akuzohen për trafik droge. “Ansa.it’ shkruan se shqiptarët, të moshave 34 dhe 37 vjeç konsideroheshin si “njerëzit e fortë” të drogës në zonën e Ternit.
Të njëjtat burime theksojnë se, ndonëse ata ishin dëbuar nga Italia, ata ishin rikthyer sërish në këtë zonë, ku jetonin në një shtëpi-fermë, mes Ternit dhe Spoleto-s. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, trafikantëve iu gjetën 20 gram kokainë, e më pas pranë një stalle derrash u gjetën edhe 60 gr të tjera kokainë.
Po ashtu, mësohet se një prej të arrestuarve ishte përfshirë më herët në një përplasje me armë në qendër të Ternit, pas konflikteve për kontrollin e shitjes së kokainës.