Open Balkan, tre vjet propagandë për lehtësimin e tregut të punës

Mundësimi i një tregu të lirë të punës mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë është premtuar prej tre vitesh nga përfaqësuesit e tre shteteve, në kuadër të nismës Open Balkan. Bëhet fjalë për mundësinë që qytetarët e këtyre tre vendeve të njihen nga shtetet respektive dhe të aplikojnë në mënyrë elektronike për leje qëndrimi dhe vizë pune, pa patur nevojë për vajtje-ardhje apo burokracira të shtuara. Por vetë institucionet që janë përgjegjëse për zbatimin e marrëveshjes nuk kanë asnjë informacion për çështjen. Filipi nga Maqedonia e Veriut prej 13 Marsit të këtij viti pret përgjigje për aplikimin e kryer në E-Albania për leje qëndimi në Shqipëri. Pavarësisht se kanë kaluar thuajse dy muaj, kërkesa e tij mbetet ende pa përgjigje dhe aplikimi është “në pritje”.

Sot, që një qytetar nga Maqedonia e Veriut apo Serbia të marrë leje qëndrimi apo pune në Shqipëri, ai aplikon në portalin E-Albania, plotëson një formular dhe ngarkon në format fotografie një listë të gjatë dokumentash. Dokumentat, qytetari i nxjerr në shtetin e tij, i përkthen në shqip dhe i noterizon, që më pas t’i ngarkojë në portalin E-Albania, sëbashku me një mandat pagese për marrjen e shërbimit. Por, sipas marrëveshjeve të vitit 2021 dhe protokolleve të zbatimit të vitit 2024, procedura për aplikim për leje qëndrimi dhe pune do të lehtësohej përmes procedurave elektronike. Qytetari do të përdorë shërbimin elektronik online të krijuar për qasje falas në tregun e punës në portalin e qeverisjes elektronike të palës pranuese. – thuhet në protokollin e firmosur në janar të vitit 2024.

Aplikimi bëhet përmes të dhënave për identitetin elektronik të konfirmuar, i quajtur ndryshe në protokoll si “Open Balkan ID”. Ky numër është kyç në aplikimin për leje pune në tregun e Open Balkan, siç shpjegon për Faktoje edhe Ministria për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin. “Ndërlidhja e skemave për identifikimin elektronik të shtetasve të Ballkanit Perëndimor që kërkon miratimin e protokollit shtesë për ID për Ballkanin e Hapur, është një element bazë për zbatimin e marrëveshjes për kushtet për akses të lirë në tregun e punës pasi sipas nenit 7 të kësaj marrëveshje shtetasi i palës kontraktuese duhet të disponojë një numër ID të Ballkanit të Hapur.” – Meki për Fakotje.

Ky numër gjenerohet në përputhje me protokollin ‘për ndërlidhjen e skemave të identifikimit elektronik të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor’. Dokumentat që sot merren në institucionet shtetërore, do duhet të merreshin automatikisht nga të dhënat kombëtare të tre shteteve, duke e bërë aplikimin e qytetarëve plotësisht online, nëse databaza do ekzistonte. Faktoje u interesua pranë institucioneve shqiptare për të kuptuar në çfarë faze është ngritja e bazës së të dhënave për njohjen elektronike të qytetarëve të tre shteteve dhe u gjend përballë një ping-pongu përgjegjësishë. Ministria e Brendshme tha se institucioni përgjegjës është AKSHI.

AKSHI tha se përfaqësues i palës shqiptare në këtë marrëveshje është Policia e Shtetit dhe Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit ndaj dhe duhet t’i drejtohemi për informacion më të detajuar Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit dhe Policisë së Shtetit. Ndërsa Policia e Shtetit tha se“ Për sa i përket kërkesës suaj, lidhur me statusin aktual të përgatitjes së faqes online, ku do të aplikojnë shtetasit nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut, për akses të lirë në tregun e punës, Ju bëjmë me dije se, Policia e Shtetit nuk e zotëron këtë informacion.” Ky ping-pong përgjigjesh institucionale tregon se në fakt procesi për hapjen e tregut të lirë të punës, që u njoftua se do të niste në 1 Mars të vitit 2024, jo vetëm nuk ka filluar, por institucionet nuk janë as në proces të punës për ngritjen e saj. Ndërkohë në shtetet fqinje propaganda vijon të përhapet nga politikanë dhe funksionarë publik sikur tregu i përbashkët të ishte tashmë realitet.

Fakti që qeveria Shqiptare nuk ka nisur punën për databazën që do të mundësonte aplikimin online të shtetasve nga Maqedonia e Veriut dhe Serbia e “çjerr maskën” e përfitimit të tregut të lirë nga nisma Open Balkan, një instrument propagande në dorën e Serbisë që përdoret vazhdimisht nga presidenti Vuçiç. Prej vitit 2021 propaganda për ekzistencën dhe funksionimin tregut të lirë të punës vijon të përsëritet në media, pavarësisht mungesës së zbatimit të saj./Faktoje

 

Artikulli paraprakAnaliza në VOA: A po e humb Perëndimi betejën me Kinën për të fituar zemrën e Serbisë
Artikulli tjetërKirovi