Nga Edison Ypi
Kishin filluar të dukeshin televizionet private italiane. Njerëz që u ishte bërë shpirti zeher duke pritur me dhjetra vite të visheshin si njerëz dhe të hanin me lugë floriri, por kishin përfunduar te rreckat dhe supa me këmbë derri, këmbenin ethshëm eksperienca mbi mjete dhe mënyra si mund të shihnin televizionet e huaja. Flisnin me të njohur të besuar, për elektronikë, kanoçe, tranzistorë, rezistenca, kondensatorë, vida, llamarina, tuba çeliku, tuba bakri, tuba alumini, skema nga më të çuditshmet, edhe të imrovizuara, por më tepër të marra nga revista ruse të viteve ’60 mbetur në bodrumet e bibliotekës kombëtare prejnga Zoti e di si arrinin ti nxirrnin, ose në fund të ndonjë baule të vjetër të mykur të atyre që pasi kishin qënë në Rusi me studime, për shkak të gruas ruse, përfunduan nëpër baltra.
S’kishte fund ethja për të bërë gjithçka lypsej me pa ndonjë film për së mbari, a për të dëgjuar ndonjë fragment lajmi, së paku ca fjalë si ca trumcakë të trembur për Shqipërinë e mjerë për të cilën kurrkush kurrë nuk u kujtua.
Flitej për netë të bardha në kërkim të kanaleve që vinin e iknin në varësi të motit, reve, temperaturave, turbulencave, fragmente filmash që i merrnin për reklama, copa reklamash që u dukeshin si filma, lodhje, sy të skuqur nga pagjumësia, frikra nga spiunat ose nga budallenjtë me zell të tepërt në mbrojtje të pastërtisë ideologjike, frikë nga pensionistat e mëhallës që te çdo antenë shihnin një teprim, një devijim, një qëllim armiqësor që duhej dënuar, duhej ndëshkuar si e meriton, sa më rëndë, sa më egër, pa mëshirë.
Flitej deri edhe për idera surreale futuristike si mund të shihej me kanoçe ndonjë televizion satelitor.
Këmbeheshin edhe shakara. Për shembull, një herë, Agron Nallbani tha: Ti Edison bën kanoçen më të mirë në Shqipëri. Por meqënse kanoçebërja është një zeje që praktikohet vetëm në Shqipëri, ti je kanoçtari më i madh në botë.
Mes sukseseve që u arritën u bë i famshëm një rast tronditës: Te një pallat te Rruga e Durrsit, pranë Ambasadës Jugosllave, mu atje ku kishte aq shumë spiunë sa s’kishe ku të hidhje kokrrën e muçmollës, një qefli televizori kishte vendosur një antenë tepër të lartë, një stërantenë, një superantenë. Aq e lartë dhe aq e dukshme ishte ajo Antenë, sa, të kaloje te Rruga e Durrsit dhe të mos e shihje kryeveprën e trimit të çartun që kishte guxuar ta ngrinte duke hedhur valle në gojë të ujkut, qè e pamundur.
Antena madhështore që sfidonte hapur dhe rëndshëm spiunat dhe spiunllëkun dhe shërbimet e tyre të vyera në të mirë të diktaturës së proletariatit, i zilepste të gjithë, i linte të gjithë pa fjalë.
Quhej Kirov.
Ta njihja Kirovin, nuk e pata fatin.
S’thonë kot se durimi, përveç atij të derrit, është vëllai i suksesit. Këto ditë Kirovi më mori në telefon. Për Antenën madhështore Kirovi tha:
Më pëlqenin Lucio Batisti, Massimo Ranieri, Lucio Dalla dhe të tjerë. I kisha nigju. Desha edhe me i pa.
Ju futa punës si turku sumbullës.
Tubat mbajtës dhe hekurat për bazamentin i mora te NMI-a.
Betonin, me mistri, me vegla, me të gjitha, ma pruri një mik me karrocë nga një pallat që po ndërtohej aty afër.
Tubat e bakrit mi solli një tjetër nga Uzina Dajti.
Zhivën për me ja fut mrena tubave të bakrit për me i thith më mirë valët e televizorit, ma pru njoni që kishte qen marinar te nëndetset e Pashalimanit.
Elementat e antenës në formë bisht dallandyshe m’i pru i tjetër shok te Uzina Traktori që ja dha Sofokli Karpuzi që i përgatiste me stampë të posaçme të bërë vetë.
Për me llogarit peshën dhe përmasat e bazamentit dhe sasinë e betonit që Antenën gjigande mbi 20 metra të lartë të mos e përmbyste era, më ndihmoi me kalkulimet përkatëse një inxhinier ndërtimi te Rruga Ura.
Për mos me ma vjedh, antenën e bllokova me një bulon tërthor horizontal që shtëngonte tubin e jashtëm me tubin e brëndshëm. Mos me e liru hajdutat me çels hekzagonal, bulonit ja sharrova kokën. Mirpo bulonat pa kokë mund të lirohen me çels papagall.
Vorrit kom me ja kallxu sa kam vujt me e blloku bulonin bllokues që mos e hapte asnjë papagall.
I hodha bulonit acid. Nuk bëri asnjë efekt. Prapseprap lirohej me papagall.
E laga me përç, hiç.
E provova edhe me sapun rrogozhine të shkrirë, pastaj solucion baterish, bar miu, helm për qen, ilaç për gjarpërinj, graso për derra, gjalp për zonja, margarinë për burra, asnjë rezultat, papagalli e rrotullonte dhe e lironte bulonin lehtësisht.
Pastaj provova ta lag bulonin me rradhë nji nga nji me të gjitha thartirat, shëllirat, spirrat, uthullat, lëtyrat, këllirrat, pocaqirat, që u jepnin t’i hanin dhe pinin puntorve nëpër menca. Asnjë rezultat.
Zgjidhja, si të gjitha zgjidhjet gjeniale, erdhi papritmas.
Një mesditë dola në terracë, nxorra rrushin, i bëra shurrën bulonit.
Suksesi qè i plotë.
Tentativat nokturne për me vjedh antenën e mutit duke liru bulonin e shurrës dështuan me sukses. Efekti bllokues i shurrës triufoi. Shurra kishte qënë zgjidhja. Shurra ma shpëtoi antenën nga vjedhja. Zbulimi ishte tronditës. Fama ime mori dhenë. Për pak sa nuk më dhanë titullin “Mjeshtër i Madh”. Në një Mbledhje Kolektivi dikush propozoi të shkuleshin telat me gjëmba dhe Shqipëria të mbyllej e tëra me pllaka çeliku që të shtrëngoheshin dhe bllokoheshin me bulona të lagura me shurrën time, e cila, tash e tutje, do ishte aq e vlefshme, sa do kuotohej në Bursë. Jam krenar që shurra ime lagu aq lart, dhe me sende të vjedhura dhe bulona të shurruar arrita të bëj antenën më të lartë në botë.