Besart Berisha dy gola larg historisë

Emri i Besart Berishës shumë shpejt pritet të shkruhet me germa të arta në historinë e futbollit australian. Sulmuesi shqiptar e vazhdoi edhe sot “zakonin”, duke shënuar të tre golat e fitores 3-0 të Melburn Viktori në fushën e Uestern Sidnei Uanderers. 31-vjeçari nga Prishtina realizoi në minutat 32’, 66’ dhe 82’, duke vendosur i vetëm duelin e vlefshëm për javën e dhjetë të A-Ligës.
Me këtë tripletë, Berisha ngjitet në kuotën e 89 golave në kampionatin australian, vetëm një më pak se Arshi Tompson, që është shënuesi më i mirë. Sulmuesi që zgjodhi të përfaqësojë Kosovën barazon Shejn Shmeltzin, ndërsa këtë sezon ngjitet në kuotën e 8 golave.

Manaj drejt Lacios
Dritarja e transferimeve në muajin janar mund të ofrojë ndryshime për sulmuesin e Kombëtares, Rei Manaj. Futbollisti në pronësi të Interit, por i huazuar te Peskara, është ofruar nga këta të fundit në tratativën për të bindur Lacion për të marrë një lojtar prej tyre. Peskara është në kërkim të një sulmuesi që garanton gola dhe Filip Xhorxheviç, nuk ka gjetur shumë hapësirë te bardhekaltrit.
Së fundmi, mediat italiane kanë raportuar se drejtuesit e Peskarës janë të gatshëm që të përfshijnë edhe emrin e futbollistit kuqezi në tratativë, përveç termave financiarë. Duke parë vështirësitë e “Delfinëve” në sigurimin e pikëve që do t’u mundësonin qëndrimin në Serinë A, afrimi i një bomberi në merkaton e janarit është domosdoshmëri.
Situata e disa ditëve më parë, ku Manaj u përfshi në një zënkë me portierin, ka bërë që lojtari i Kombëtares shqiptare të mos shihet me dashamirësinë maksimale.

Artikulli paraprakPD me banorët e Sheqerasit kundër TEC-it
Artikulli tjetërRonaldo arkëton… sa një klub i madh