“Komisioni kundër korrupsionit, banal”, Basha: Të votojnë propozimet e PD për vettingun e politikanëve, heqjen e imunitetit dhe amendamentet që fuqizojnë SPAK-un

Gjatë intervistës së tij në “Drejt”, kreu i PD-së, Lulzim Basha, u shpreh se komisioni i propozuar nga Edi Rama për të luftuar korrupsionin, tingëllon banal.

“Të votojnë propozimet e PD për vettingun e politikanëve, heqjen e imunitetit dhe amendamentet që fuqizojnë SPAK-un.” – u shpreh Basha.

Basha: Pas 11 vitesh të thuash që më duhet një komision i veçant që në 10 muajt që kanë mbetur të luftojë korrupsionin, s’ka njeri që të beson, edhe qentë e rrugëve që ecin me ty. Ke pasur 11 vite pushtetin dhe të paska munguar ty një komision me opozitën që të luftosh korrupsionin, kjo është demagogji e nivelit më banal. Në qoftë se ka vullnet për të luftuar korrupsionin, nise nga propozimet e opozitës të Partisë Demokratike në Kuvend. Ligjin për vettingun e politikanëve tashmë i plotë dhe në përputhje totale me Komisionin e Venecias, e ka që prej 6 nëntorit. Propozimi për heqjen e imunitetit. Luan, ti tani nuk je deputet dhe nuk ke imunitet. Ndërkohë kolegët e tu që janë deputetë, në vend që të ndiqen penalisht për çdo lloj vepre penale për të cilën mund të dyshohen, gëzojnë të drejtën, privilegjet që kjo ndjekje të mos ushtrohet derisa kolegët e tjerë të japin leje. Po kjo s’është barazi para ligjit. Kujt i flet për luftën kundër korrupsionit, kur sapo është arratisur zëvendëskryeministri dhe jo njeri do si do, por njeriu më i besuar i Ramës, sepse u desh 2 javë të bëheshin procedurat për imunitetin e Arben Ahmetajt. Heqja e imunitetit, kemi çuar para dy javësh propozimet tona për SPAK-un, si të fuqizohet SPAK-u. Për fat të keq, sot i vetmi faktor politik që godet korrupionin e Edi Ramës, por është koherent me SPAK-un, është Partia Demokratike. Të tjerët thonë jemi kundër korrupsionit, por jemi dhe kundër SPAK-ut.

Artikulli paraprakVarfëria, Shqipëria me kostot më të larta në Europë të dietës ushqimore
Artikulli tjetërRezoluta anti-korrupsion e Ramës, Alibeaj: Kërkon të marrë pak nga lavdia e SPAK-ut, qëllimi real është ndërhyrja te reforma në drejtësi