Nuk kaloi procesin e vettingut/ KPK shkarkon nga detyra prokurorin e Elbasanit, Petref Asllani

Procesi i vettingut vijon të pastroja në radhët e drejtësisë, prokurorë e gjyqtarë të cilët kanë probleme me pasurinë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimi (KPK) ka shkarkuar nga detyra prokurorin e Elbasanit, Petref Asllanin.

Asllani u përball me transaksionet e paqarta për dy apartamente, dhe me mosdeklarimin e një procedimi penal në formularin për verifikimin e figurës.

Problemet e pasurisë

Relatorja Firdes Shuli vuri në dukje se Inspektorati i Lartë i Kontrollit të Pasurive dhe Deklarimit të Interesave, gjeti probleme në deklarimin e pasurisë së Asllanit, duke vënë në dijeni Komisionin se subjekti kishte bërë fshehje të pasurisë dhe deklarim të pasaktë.

KPK hetoi pasuritë e Asllanit gjeti se problemet për to fillonin me blerjen për 300 mijë lekë të një apartamenti në vitin 2001. Në vitin 2002 ky apartament i ishte shitur, sipas kontratave noteriale, Entit Kombëtar të Banesave për 2.3 milionë lekë. Po ky apartament iu shit nga Enti ish-gjyqtarit Qani Hasa dhe në vitin 2012 Hasa ia shiti atë një personi tjetër për 3.2 milionë lekë.

Në deklaratën veting, Asllani, që teorikisht e kishte shitur apartamentin në vitin 2002, pretendoi se e kishte shitur atë në vitin 2012 dhe ishte ai personi që kishte marrë shumën prej 3.2 milionë lekësh që më pas kishte shërbyer për blerjen e një apartamenti të ri.

Asllani pretendon se ai nuk e kishte shitur apartamentin, por e kishte përdorur atë si garanci për ish-gjyqtarin Hasa që ishte në atë kohë i pastrehë. Në seancë gjyqësore Asllani tha se paratë e marra nga shitje për EKB i ishin dhënë Hasës si hua. Duke iu referuar këtij momenti avokati Lushi, theksoi se problemet lindnin nga ky “akt dashamirësie”.

Por KPK e gjen të paprovueshme deklarimet e Asllanit. Komisioni vë në dukje se deklarimet e prokurorit nuk përputhen me dokumentacionin dhe as me deklarimet e bëra në vite. KPK vë në dukje se nuk ka të dhëna që të provojnë dhënien e huasë apo kthimin e saj.

Gjatë seancës Shuli dhe vëzhguesi ndërkombëtar këmbëngulën disa herë të sqaronin këtë pikë të financave të subjektit duke vënë në dukje se dokumentet dhe aktet noteriale binin në kundërshtim me deklarimet. Po ashtu KPK vuri në dyshim edhe çmimin e blerjes prej 300 mijë lekësh në vitin 2001, pasi vetëm disa muaj më vonë apartamenti ishte vlerësuan në 2.3 milionë lekë. KPK arsyetoi se do të konsideronte këtë vlerësim si çmim real të apartamentit, duke e gjetur subjektin me bilanc negativ.

Asllani këmbënguli në përgjigjet e veta edhe pse ndonjëherë nuk iu referua pyetjeve që iu bënë. Avokati Lushi pretendoi se deklarimi origjinal i pasurisë kishte të dhëna për këtë transaksion dhe subjekti e depozitoi atë si provë, por gjatë pyetjeve ishte paqartë se çfarë kishte të re në këtë dokument. Në përpjekje për të sqaruar këtë moment Shuli pyeti disa herë dhe u duk se dokumenti i printuar elektronik nuk kishte togfjalëshin “dhe kursime”.

Nisja me probleme me këtë apartament u thellua në vitet në vijim. KPK vuri në dukje se Asllani bleu në vitin 2012 një apartament në një lagje tjetër në Elbasan. Apartamenti i ri u deklarua i blerë në shumën 3.8 milionë lekë. Burimi i të ardhurave për këtë apartament ishte shitja po në këtë vit e apartamentit të blerë në vitin 2001 për shumën 3.3 milionë lekë.

KPK arsyetoi se ky apartament ishte përfshirë në disa transaksione, por jo prej subjektit të rivlerësimit. KPK tha se nuk kishte gjurmë që pagesat ishin bërë për subjektin dhe e cilësoi këtë shumë të pajustifikuar.

Ndërkohë Komisioni gjeti gjatë hetimit administrativ se Asllani kishte nënshkruar disa kontrata noteriale që e çonin vlerën e apartamentin në 50 mijë euro. Kontratat ishin nënshkruar para datës së kontratës së shit-blerjes dhe KPK ngriti dyshime mbi çmimin real të njësisë.

Asllani dhe avokati i tij pretenduan se kontratat noteriale kishin të bënin me faktin që vëllai i Asllani, bleu apartamentin fqinj dhe se çmimi i paguar nga prokurori ishte 3.8 milionë. Megjithatë Shuli këmbënguli disa herë në pyetje se pse në kontrata nuk përmendja as vëllai dhe as apartamenti i tij. Asllani këmbënguli te versioni i tij.

Komisioni vlerësoi se bazuar në kontratat noteriale dhe transaksionet në të dy apartamentet prokurori rezultonte me një bilanc negativ prej më shumë se 6 milion lekësh. Asllani e kundërshtoi bilancin. Avokati Lushi pretendoi se ky bilanc negativ vinte pasi apartamenti i vitit 2001 ishte përfshirë tre herë në llogari.

Problemet e figurës dhe profesionalizmit

KPK vuri në dukje se ndaj Asllanit kishte pasur një raport negativ edh enga Drejtorisa për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar, DSIK. Sipas raportit të parë të DSIK-së Asllani nuk kishte deklaruar procedimin penal ndaj tij.

Por avokati Lushi në fjalën e tij këmbënguli se ky mosdeklarim ishte një lapsus. Lushi tha se Asllani kishte marrë pafajësi në të tre shkallët e gjyqësorit sa i përket këtij procedimi dhe se ai kishte qenë mediatik dhe se nuk kishte mundësi që të fshihej. Lushi tha se formulari nuk kishte një hapësirë për këtë deklarim.

Sipas tij në një vlerësim të dytë DSIK e kishte gjetur subjektin të përshtatshëm.

Ndëkohë KPK bëri me dije se i kishte kërkuar subjektit sqarime për dy çështje të hetuara prej tij. Një nga çështjet kishte të bënte me një rast dhune në familje. KPK raportoi se pas kallëzimit subjekti e kishte regjistruar procedimin pa të pandehur edhe pse kishte pasur një kallëzim ndaj një personi konkret.

Më pas sipas KPK kishte pasur një kërkesë nga avokati i viktimës që vepra të klasifikohej si plagosje e lehtë. Megjithatë Asllani e kishte dërguar çështjen në gjykatë me akuzën e dhunës në familje.

Lushi tha se procedura në këtë rast ishte ndikuar nga pandemia. Ai bëri me dije se veprimet e prokurorisë ishin kryer në kohë dhe se vendimin mbi klasifikimin e veprës penale e merr vetëm prokurori dhe kontrollohet nga gjykata.

Edhe në çështjen e dytë KPK vuri në dukje probleme me ndryshimin e klasifikimit të veprës disa herë. Lushi i kundështoi këto gjetje.

Në fund të seancës Asllani pati një shkëmbim të qartë pyetje përgjigje me vëzhguesin ndërkombëtar dhe relatoren e çështjes, por shpjegimet nuk ndryshuan shumë nga sa u tha në seancë.

Në fund Asllani tha se kërkonte konfirmimin në detyrë dhe se kishte kryer detyrën me përkushtim. Seanca e njoftimit të vendimit u caktua më 14 maj.

Artikulli paraprakEMRAT/ Lejuan legalizimin e një objekti 4 katësh me dokumente të falsifikuara, dërgohen në gjyq ish-drejtoresha e Kadastrës së Sarandës dhe dy specialistët
Artikulli tjetër“Ka tendencë ashpërsimi në aplikimin e masave të sigurimit”- Kryeprokurori Çela raporton te ‘Ligjet’: Ja cili është qarku me kriminalitetin më të lartë