Emërimi i Mike Pompeo si drejtor i CIA-s ka befasuar vetëm ata që nuk i njihnin biografinë. Ka bërë takimin me Trump dhe nuk është dashur shumë për të marrë postin kyç të sigurisë kombëtare. Nëse ka një post të përzgjedhur mirë dhe që nuk do të ngrejë objeksione serioze, në planin teknik, nga senatorët demokratë për diskutimin e konfirmimit të tij. Mund t’i përçmojnë pozicionet e tij politike të hapura antiObama, të shprehura çdo herë që Presidenti ka refuzuar t’i quajë islamistë apo islamikë terroristët e xhihadit, ama kurrikulumi i tij është pa asnjë lloj defekti.
I lindur në Orange të shtetit California, 53-vjeçari Pompeo është deputeti që qysh nga viti 2011 përfaqëson Distriktin e IV-ët të Kansas, ku edhe jeton, në Wichita, me bashkëshorten Susan dhe të birin Nicholas. Ka ardhur në Kongres në valën e lëvizjes Tea Party, që ka shpërthyer në zgjedhjet e mesit të afatit të vitit 2010, por është e gjithë jeta e tij që është garancia.
Italoamerikan, siç rezulton nga prania në listën zyrtare e Delegacionit Kongresual të hartuar nga NIAF-i (Federata e Shoqatave Italoamerikane e Shteteve të Bashkuara), Pompeo është diplomuar në Akademinë Ushtarake të West Point në vitin 1986, jo vetëm si kadeti shkollor më i mirë, por edhe si përfitues i çmimit “Gen. Robert E. Wood” dhe i “Gen. Winfield S. Scott Memorial Aëard”, mirënjohja e lartë për Menaxhimin në Inxhinieri, fusha e studimeve që kishte zgjedhur në akademi. Ka shërbyer për 5 vite në ushtri, deri në vitin 1991, duke dalë prej saj me gradën e kapitenit. Më pas është diplomuar në Harward Law School, të njëjtën që ka frekuentuar Obama, dhe ka punuar më pas për studion avokatore Williams & Connolly.
Pas lënies së profesionit ligjor, ka krijuar disa biznese, duke përdorur dijen e tij në lëmin e inxhinierisë mekanike. I hyrë në politikë si republikan i flaktë, është bërë deputet në Uashington në ekipin Te Party të Partisë Republikane dhe ka qenë anëtar i Komisionit të Kongresit për Shërbimet Sekrete. Në këtë rol ka qenë ndër kritikët më të ashpër të Hillary Clinton për mënyrën sesi ka provokuar dhe shkaktuar fiaskon tragjike të Bengazit dhe më vonë ka kritikuar vendimin e Obamës për të nënshkruar paktin bërthamor me Iranin, i gjykuar prej tij si një lëshim i rrezikshëm.
Më parë, Pompeo ishte shprehur prerazi në favour të Patriot Act dhe të mbledhjes së “telefonatave në bllok” në prizmin antiterrorist të kryer nga NSA-ja (Agjencia e Sigurisë Kombëtare), deri kur Edward Snowden nuk i vodhi dhe i shpërndau nëpër gazeta detajet e programit dhe provokoi reformën në Kongres të manovruar nga Obama dhe nga “pëllumbat” demokratë e libertarë.
Në primaret e këtij viti, Pompeo ishte rreshtuar në favour të Marco Rubio, por pas emërimit të Trump ka luajtur një rol kyç në përgatitjen në fushën e temave të sigurisë kombëtare e Mike Pence, zëvendësit të Trump, në debatin televiziv, të fituar thellësisht, me Tim Kaine, zëvendësin e Hillary Clinton.
Konservator i thekur, Pompeo ka qenë gjithmonë anëtar i NRA-së, grupit pro armëve që i ka dhënë mbështetjen Trump, dhe është një mbështetës i flaktë i Amendamentit të 2-të që mbron të drejtën e qytetarëve për të mbajtur armë. Pro jetës, është kundër abortit, përjashto rastet në të cilat është në rrezik jeta e nënës.
Pompeo njihet gjithashtu edhe për opinionet e tij të forta. “Duhet të sillet nga Rusia për t’ju nënshtruar një procesi të drejtë”, ka thënë në fillim të këtij viti i intervistuar nga rrjeti televiziv C-SPAN referuar whistleblower Edward Snowden, “dhe mendoj se duhet t’i jepet një dënim me vdekje”. mendime të tjera të forta? Ato lidhur me Guantanamo dhe mbi teknikat e rënda e marrjes në pyetje nga ana e CIA-s. Thelbi i tyre është: janë të nevojshme e të ligjshme dhe burgu kontradiktor kubanez nuk duhet të mbyllet, pasi “është një resurs” i rëndësishëm. Në mes të gjithçkaje, sipas agjencisë së shtypit McClatchy, përvoja ushtarake dhe roli i luajtur prej tij në Komisionin e Dhomës janë motivet për të cilat zgjedhja ka rënë mbi të. Trump dhe Pompeo kanë pika kritike midis tyre dhe njëra prej tyre është, për shembull, vizioni mbi luftën në Siri: Në të kaluarën Pompeo ishte rreshtuar me ata që kërkonin shkarkimin e Bashar al Assad (aktivitet lidhur me të cilin agjencia është impenjuar tashmë në mënyrë të errët, duke stërvitur ndonjë formacion rebel në partneritet me disa aleatë rajonalë), por Trump është kundër idesë të një ndryshimi, regjimi dhe linja e tij duket më shumë e orientuar për të punuar në kontakt të ngushtë me Rusinë, politika e së cilës është ajo e mbështetjes së al Assad. Nuk i dihet nëse Pompeo do t’i çedojë apo jo në këtë pikë Presidentit të tij.
Kohët e fundit ka bërë të flitet shumë për të prej një tweet, në të cilin shprehte kundërshtimin e tij ndaj marrëveshjes me Iranin: “Mezi po pres momentin që ta shfuqizoj këtë marrëveshje katastrofike me shtetin më të madh sponsorizues të terrorizmit në botë”. Këto kanë qenë fjalët e tij të fundit në rrjetet sociale, përpara emërimit që do t’i përgjigjej pozitivisht. Referimi do të ishte për një artikull të vetë Pompeo në të përjavshmen “The Weekly Standard” me titullin emblematik: “Shfuqizimi i marrëveshjes me Iranin? I lehtë”. I lindur katolik, si të gjithë ata me prejardhje italiane, Pompeo është bërë më pas presbiterian.
Përgatiti
ARMIN TIRANA