Rama ka hyrë si Kryeministër në Shtëpinë e Bardhë dhe ka dalë si kryeopozitar. Ka hyrë si lideri i rilindjes dhe ka dalë prej saj si votues i Bashës. Se për çfarë është biseduar është e vështirë të konstatosh, sepse janë bërë publike vetëm njoftimet e pabesueshëm të zyrës së shtypit të Ramës, pasi Shtëpia e Bardhë nuk ka postuar asnjë foto zyrtare dhe asnjë njoftim në lidhje me këtë takim deri në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Menjëherë pas daljes nga Shtëpia e Bardhë përmes frazave haluçinante, Rama pohonte se do të votonte Bashën nëse do të ishte alternativë përballë Trumpit! Çfarë e ka bërë Ramën të jetë fiksuar aq shumë pas Bashës pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, kjo pritet për t’u parë gjatë ditëve të ardhshme. Ajo çfarë u pa në atë intervistë të shkurtër për “Zërin e Amerikës” nga Rama ishte se ai nuk po fliste më si Kryeministër.
Deklarata e shpërndarë nga zyra e kryeministrit për takimin në Uashington ka një distancë të madhe nga fokusi i problematikës së qytetarëve shqiptarë që u shpreh një ditë më parë në raportin zyrtar të Departamentit Amerikan të Shtetit për lirinë dhe të drejtat njerëzore, ku Shqipëria përshkruhej me notat më të zeza për degradimin e demokracisë, korrupsionin dhe krimin e organizuar që kontrollon çdo nivel të qeverisjes. Deklarata e qeverisë na turpëron kur mendojmë se si një lolo-kryeministër përfaqëson sot shqiptarët dhe takimin më të rëndësishëm të jetës së tij e pasqyron sikur të jetë takuar me Shullazin.
Vëmendja dhe angazhimi i qeverisë amerikane për Shqipërinë dhe shqiptarët është gjithnjë në pritshmëritë që ka kombi ynë, ndaj ata janë të hapur, të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë kur i qasen problemeve që ka vendi ynë. Një kosh basketbolli, mësimi i historisë së fesë në shkolla, apo të shash kandidadin republikan, nuk është axhenda amerikane në Shqipëri dhe as interesi jetik i shqiptarëve kundrejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Çdo lider normal shqiptar që do të vizitonte SHBA do të kërkonte investime për të mëkëmbur ekonominë e rrënuar nga korrupsioni dhe taksat, ndihmë ushqimore për të ushqyer mbi 1 milion e gjysëm shqiptarë që janë mbërthyer nga uria, ndihmë për t’u anëtarësuar në BE, mbështetje më të madhe për Kosovën, ndihmë për të modernizuar shërbimet publike, policinë, drejtësinë, ushtrinë dhe gjithçka tjetër që po shkatërrohet mjeshtërisht nga oligarkët në pushtet. Por, Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, i shpërndarë një ditë para se Rama të shkelte Shtëpinë e Bardhë, na ka shpjeguar hollësisht se ky kryeministër dhe kjo qeveri është burimi i fatkeqësive që ka pllakosur vendin.
Interesante janë intervistat që Rama dha para dhe pas takimeve në Shtëpinë e Bardhë. Kur hyri foli si “partneri” që hartonte fjalime të denja për oborrin, por kur doli tha se do të ishte votuesi i liderit të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës. Duket se subkoshienca e Ramës prej lideri suprem, i ka thënë se ky është edhe takimi i lamtumirës, para se të largohet nga pushteti.
Revoltat spontane popullore që kanë shpërthyer në çdo cep të Shqipërisë dëshmojnë një pakënaqësi deri në armiqësi që shqiptarët po krijojnë ndaj kësaj qeverie.
Abuzimet dhe skandalet e qeverisë, largimi masiv i biznesit të huaj, mbyllja e qindra mijëra vendeve të punës, barra e rëndë fiskale ndaj biznesit të vogël dhe braktisja e fermerëve nga qeveria kanë nxjerrë gjithnjë e më shumë njerëz në protesta para zyrave të shtetit, duke bllokuar rrugët e qyteteve dhe akset nacionale. Përshkallëzimi i betejës së opozitës drejt një mosbindjeje civile po tejkalohet nga qytetarët që mllefin dhe pakënaqësinë e tyre po e shprehin në forma të drejtpërdrejta të përplasjes fizike me pushtetin dhe strukturat e ndëshkuese që qeveria ka mobilizuar për të grabitur dhe terrorizuar qytetarët.
Ajo çfarë ka mbetur nga vizita e kryeministrit Rama në SHBA është “beteja” e tij heroike me kandidatin republikan Donald Trump, që ngjante si varianti modern i luftës së Don Kishotit me mullinjtë e erës.
rben Shahini