“Zhduken” dy arbitra shqiptarë të FIFA-s, tallje me VAR-in në Kategorinë e Parë

FSHF-ja e konsideroi si një risi sistemin VAR në Kategorinë e Parë gjatë këtij sezoni, teksa e aplikoi në disa ndeshje të rëndësishme në kampionatin që ka përfunduar.

Mirëpo, ndërsa ka mbetur për t’u zhvilluar sot edhe finalja e “play off”-it mes Apolonisë dhe Flamurtarit në Elbasan, ku do të përcaktohet skuadra që do të sfidojë ekipin e vendit të tetë në Superiore, Laçin, ajo që habit është fakti se atëherë kur duhej më shumë se kurrë sistemi VAR, në FSHF bënë “pas”. Pra, në dy ndeshjet e fazës “play off” të zhvilluara të dielën e kaluar, Vora-Apolonia 3-4 dhe Flamurtari-Korabi 0-0, nuk pati sistem VAR. Në stadiumin e Vorës pati shumë polemika pikërisht për gjykimin, me disa raste flagrante për moviolë, që nëse do të kishte VAR, historia e ndeshjes mund të kishte një rrjedhë tjetër. Në Vlorë pati pak punë për gjykimin, por sërish kjo nuk justifikon vendimin e FSHF-së për të injoruar dy finale. Lind pyetja: Kujt i vlen sistemi VAR në disa ndeshje të kampionatit, në një kohë që mungon në finale, aty ku vendoset gjithçka sa i përket fatit të sezonit për skuadrat?! Mbetet për t’u parë nëse institucioni i futbollit do të korrigjojë diçka sot në finalen Apolonia-Flamurtari, duke aplikuar teknologjinë në një ndeshje që vlen sa një sezon i tërë për fierakët dhe vlonjatët.

BREGASI DHE MYFTARI – Dy arbitra të FIFA-s janë “zhdukur” nga futbolli shqiptar në mënyrë misterioze prej gati pesë muajsh. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se asistentët Nertil Bregasi dhe Dojando Myftari nuk janë më pjesë e gjykimit, edhe pse prej shumë vitesh të dy janë vlerësuar nga FSHF-ja si arbitra elitarë dhe mbi të gjitha me stemën e FIFA-s. Bregasi rezulton të ketë qenë për herë të fundit si anësor në ndeshjen Dinamo-Egnatia 1-2, e luajtur më 16 dhjetor 2023 në stadiumin “NikoDovana” në Durrës. Në vitin2024 ai nuk ka marrë asnjë ndeshje, ndërsa burime të sigurta në FSHF tregojnë për gazetën se hapi i parë me anësorin ka qenë heqja e stemës.

Në ceremoninë e zhvilluar për arbitrat ndërkombëtarë në janar të këtij viti, ishte vetëm emri i Dojando Myftarajt, i cili rikonfirmohej si anësor i FIFA-s. Mirëpo, edhe ky i fundit nuk është më në aktivitet që prej ndeshjes Partizani-Laçi 1-2 më 20 janar 2024. Zyrtarisht nga FSHF-ja nuk është dhënë asnjë njoftim lidhur me arbitrat, duke shtuar edhe më shumë dyshimet për atë që ka ndodhur me ta gjatë pjesës së parë të sezonit2023-2024, por edhe ndonjë histori të vitit të kaluar.

Artikulli paraprakPresidenti Biden shumëfishon tarifat amerikane për mikropocesorët dhe makinat elektrike kineze
Artikulli tjetërBasha në Breaking: Anëtarësimet në PD janë nga dëshira për ndryshim, jo si ato në PS që detyrojnë administratën të marrin kartat