Sheiku i rilindjes, 30 milionë euro shpenzime luksi në 2017-ën

Armand MAHO

Jo më shumë se 19 vjet më parë bridhte rrugëve të Parisit. I palarë, me thonj të paprerë (siç do e përshkruante Fatos Nano) dhe me disa ikona të futura kontrabandë nga vendi i tij, të cilat i shiste andej këtej në ndonjë galeri të varfër arti për një copë bukë. Bohemi, i dikurshëm i denjë për personazhet e Hygoit jetonte një jetë pa pretendime…. Ne rininë e hershme kish pasur përherë mbështetjen e të atit skulptor të apasionuar pas busteve të diktatorit, anëtar i nomenklaturës komuniste, që duke ditur se aftësitë dhe talentet e të birit orientoheshin drejt hiçit, duke përdorur lidhjet me sistemin i kish dhënë një shkollë pikture, duke i siguruar më pas dhe një vend si pedagog tek Akademia e Arteve. Por tashmë, që kjo mbështetje i kish rënë ai kish mbetur në mes të hiçit, ashtu siç ishin dhe aftësitë e tij! Tentativat për të hyrë në jetën politike të vendit rreth viteve ‘90-të kishin rezultuar të pasuksesshme. Kjo për një sërë arsyesh e zhvillimesh, por më kryesorja do të ishte ajo e çrregullimeve psikologjike të tij dhe shpërthimeve të pakontrolluara të karakterit, sindromë e njerëzve me frustime personaliteti. Në këto kushte, herë ngrënë e herë pa ngrënë një ditë diku nga viti 1998 do të mblidhte ato pak rroba në një valixhe dhe do të udhëtonte drejt Shqipërisë. Ylli më në fund i kishte ndritur….Historia e patreguar asnjëherë e plotë e Edi Ramës (kompleks që i vjen nga e shkuara) ka pasur një fund të shkëlqyer për të, por jo për shqiptarët. Pas spërdredhjeve politike, aleancave, korrupsionit në Bashkinë e Tiranës dhe në  Ministrinë e Kulturës, ish-bohemi i  dikurshëm prej tre vitesh është kryeministër i Shqipërisë. Një karrierë e shkëlqyer për një njeri që në jetën e tij ska bërë asgjë, një happy end për të, por një fat shumë i keq për shqiptarët. Ai që dikur mundohej të gjente ndonjë cep muri  rrugëve të Parisit ku mos e fshikte era e dimrit, sot harxhon 40 mijë euro në vit vetëm për kravatat. Ai që dikur bridhte rreth bulevardit Hosman në Paris, duke admiruar vitrinat, sot në këtë bulevard porosit tek rrobaqepësit më të mirë francezë kostumet e tij “su misura”, që shkojnë qindra mijëra euro të tjera. Ai që flinte poshtë urave, ngre në një kohë rekord (me projekt sipas konceptit të tij të shpërqendruar psikologjik) sarajet më të shtrenjta që një kryeministër i këtij vendi ka pasur ndonjë herë. Sot bohemi i dikurshëm  sipas një raporti të OSBE rezulton me një pasuri rreth 200 milionë euro të fshehura pas kompanive offshore në kontinetin amerikan…

Shpenzimet e luksit
Nuk mbeten më shumë se 20 ditë, kur shqiptarët do lenë pas vitin 2016, dhe do hyjnë në një vit tjetër. Situata nuk është shumë premtuese. Vendet e punës vazhdojnë të shkurtohen, pagat dhe pensionet nuk rriten prej tre vjetësh. E vetmja gjë që vazhdon të rritet, është një pasion tjetër i kryeministrit e zbuluar pas ngjitjes së tij në pushtet, mania për të shtuar luksin. Deputeti i Partisë Demokratike, Kastriot Islami, në një postim të tijin në rrjetet sociale bën një zbulim tronditës. Në vendin më të varfër të Evropës, atje ku njerëzit po vrasin veten nga varfëria, kryeministri do të harxhojë rreth 30 milionë euro për shpenzime luksi të institucionit të tij. Ose më saktë, në bazë të numrit të punonjësve që ka atje rreth 43 mijë euro në vit për çdo punonjës. Sipas tij, kjo shumë do të ishte e barabartë me pagën vjetore të 1145 pensionistëve, ose me rreth 10 mijë bursa studentësh, sa gjysma e atyre që shkelin në një vit në auditore. Shifrat janë kokëforta dhe kjo është pasqyruar dhe në buxhetin e botuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave, e cila drejtohet nga një tjetër i ngjashëm i kryeministrit, Arben Ahmetaj. Ky i fundit i përfolur që në vitet 2004 për korrupsion me telefoninë fikse, në kohën kur ishte zëvendësministër. Për vitin 2017, Kryeministri do të shpenzojë 530 milionë lekë (të vjetra) ose 350 mijë euro vetëm për blerje kondicionerësh. Një shumë kjo e pamenduar për këtë produkt, por të kemi parasysh çmimet e tyre në tregun vendas, që një kondicioner normal nuk kushton më shumë se 300 euro. Për çfarë i duhen kryeministrit kondicionerë kaq luksozë, ndërkohë që Kryeministria është e pajisur me to. Por për këtë vit, nga buxheti i shtetit, nga taksat e qytetarëve kryeministri do të shpenzojë rreth 6.7 milionë euro për tavolina e karrige, pra për arredimin, dhe një milion euro të tjera për blerje makinash, të cilat sipas deputetit të PD-së do të mjaftonin për blerjen e 20 makinave luksoze të markës “Mercedes Benz”. Shuma astronomike për një vend si i yni, kur njerëzit rrojnë me 5 euro në ditë sipas Bankës Botërore.

18 miliardë euro në tre vjet asnjë investim
Deputeti i PD shkon dhe më tej në analizën e tij. Duke iu referuar buxhetit dhe shifrave zyrtare, Islami bën me dije se në këto tre vjet nga të ardhurat qeveria ka arkëtuar apo ka pasur në dispozicion rreth 18 miliardë dollarë. Pyetja që natyrshëm do të shtronte çdo kush do të ishte; Ku janë? Investime nuk shihen kurrkund, as në rrugë, as në shëndetësi, as në energjetikë. Rritje rrogash ska pasur, as rritje të pensioneve?! Atëherë ku kanë shkuar…. Shpjegimin Islami e jep më poshtë “Është marrë borxh në masën 2.1 miliardë dollarë dhe janë rritur taksat me ndikim prej 1.5 miliardë dollarë, thjesht për të qenë rehat me të ardhurat nga tatimet dhe doganat, sepse askush nuk e ka vrarë mendjen për të rritur performancën fiskale, për më tepër që evazioni ka lulëzuar dhe korrupsioni është historik në këto, administrata përderisa mungojnë rreth 1 miliard dollarë nga të ardhurat nga doganat e tatimet. Shpenzimet janë rritur vetëm për luks, ndërkohë që as pagat dhe as pensionet s’janë rritur, madje rritja e çmimeve me më shumë se 10 për qind në katër vite, i ka zhytur këto grupime në varfëri e mjerim. Klasa e mesme është këputur në mes, duke e detyruar ose të emigrojë ose të zhytet në varfëri. Barra fiskale ka goditur fuqimisht bizneset e vegjël dhe të mesëm deri në mbyllje. Investitues të huaj s’kanë ardhur për shkak të taksave të larta dhe ndjehen të pasigurtë me borxhin e lartë. Një pjesë të shpenzimeve e ka zënë pagesa e borxhit të lartë. Rrugët, arsimi, shëndetësia, janë të nën financuara krahasuar me më parë. Alarmante është gjendja e mbrojtjes, duke rrezikuar rolin e vendit si kontribuese e NATO për të mos thënë se vendi është kthyer në hallkën më të dobët të NATO-s”, thotë Islami….

Një histori borxhi!
Ku kanë shkuar?! Ndoshta përgjigja do të gjendej mes shifrave të buxhetit. Ndoshta mes jetës luksoze të kryeministrit, ndoshta nga bilancet e kompanive kliente të tij apo nga bilanci i shfrenuar i luksit. Njeriu që ankohet se i kanë lënë një mal me borxhe paska luksin të shpenzojë 30 milionë euro vetëm për institucionin e tij?! Në fakt për ata që kuptojnë nga ekonomia borxhi që ai pretendon se është në shifra astronomike është vetëm 500 milionë dollarë, (aq sa ka hedhur në erë Beqja me koncensionet e famshme), të cilat janë investuar në rrugë, energjetikë e të tjera si këto. Faktet janë kokëfortë dhe shpenzimi i tyre mund të faktohet lehtësisht. Kjo është një proçedurë normale për çdo qeveri, që detyrimet e një viti më parë ja kalon vitit tjetër, vetëm se kishte menduar se ky borxh do të kalonte në dorën e një qeverie makute si ajo e Ramës.  Ndërkohë që në emër të këtij borxhi, Rama ka marrë borxh të jashtëm rreth 2.1 miliardë dollarë, pa llogaritur të ardhurat e brendshme nga tatimet e doganat. Nga ana tjetër, në një vend ku nuk investohet asgjë, ku nuk rriten rrogat dhe ku abuzohet me 18 miliardë dollarë, si ka mundësi që kjo qeveri nuk paguan dot as 2.5% të kësaj shume në tre vjet, kur ska bërë asnjë investim tjetër?! Si do e shpjegojë Rama, rritjen e shpenzimeve për luksin e tij çdo vit me nga 8 apo 10 për qind të buxhetit?!. Pa folur këtu për koncesionet, apo për ndonjë cep rruge që kushton deri në 10 milionë euro kilometri, siç është rasti i segmentit nga Iba deri në Sauk, që deri më tani në një terren kodrinor prej shtufe, 13 kilometra kanë kushtuar 120 milionë euro, aq sa ka kushtuar hapja e njërit krah të tunelit prej pesë kilometrash.

Nën pushtetin e rilindjes
Nuk do shumë mend për t’u kuptuar, se në këto tre vjet është kryer një masakër me paratë e shqiptarëve. Nuk do shumë mend për ta kuptuar, se nga vijnë paratë për jetën luksoze të Ramës, ministrave të tij dhe deri tek Taulant Balla, një deputet i njohur për mentalitetin provincial që shfaq. Nuk do as shumë mend për të kuptuar, se përse Rama e donte me aq ngulm pushtetin në vitin 2013. Nuk është normale, për një opozitë në asnjë vend të botës të degradojë në atë fare feje siç degradoi selia mavi në ato vite. Por, kjo vlen për ato parti që e duan pushtetin për t’i shërbyer popullit të tyre. Rilindja me sa shihet kishte ardhur me objektiva të tjera…. Taksat e shqiptarëve për ta ishin vetëm një mjet për të shtuar dhe më tej luksin për vete, por edhe për enturazhin klientelist të tyre. Nuk u mjaftuan, por shtuan taksat, rritën energjinë elektrike, rritën naftën shtuan varfërinë. Nën një propagandë boshe, përditë e më shumë i bien tupanave, duke dashur të na mbushin mendjen se kjo qeveri, kjo farë qeverie, po vë shtetin në shina. Në fakt, në shina spo vë gjë tjetër, vetëm se pasurinë personale, dhe jetën prej sheiku me paratë e të varfërve grushti i njerëzve që ka zaptuar pushtetin dhe hajdutët e tjerë që e rrethojnë.

Artikulli paraprakEdhe policia me konçesion, shërbime kundrejt tarifave
Artikulli tjetërEuropa në duart e së Djathtës