Një rend i ri botëror?

Fundi i globalizimit, fillimi i epokës Trump

Eric X. Li

Nga shiu në breshër. Pas Recesionit të Madh, krizës së eurozonës, marrëveshjeve tregtare të ngrira, rritjes së konflikteve ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit, revoltave elektorale kundër elitës politike europiane dhe në fundit Brexit, evente që ndoqën pas krizën financiare globale të vitit 2008, u bë e qartë se globalizimi po kthehej në një eksperiment të dështuar. Megjithatë, shumë pak njerëz besonin se një prej kundërshtarëve të globalizimit do të fitonte postin më të rëndësishëm të botës, presidencën e Shteteve të Bashkuara.
Fuqitë botërore tani po vrasin mendjen si të reagojnë ndaj zgjedhjeve që ndryshuan kursin e historisë. Kryeministri japonez Shinzo Abe, pasi kishte shprehur vazhdimisht shqetësimin e fitores së presidencës nga Donald Trumpi dhe pasi ishte takuar vetëm me Hillary Clintonin përpara zgjedhjeve amerikane, nxitoi menjëherë të vizitonte New York-un për t’u takuar ballë për ballë me presidentin e ri të zgjedhur.
Liderët europianë janë shfaqur më të matur dhe kancelarja gjermane madje ka folur për kushtet e bashkëpunimit me Trumpin. Rusët janë ata që shfaqen më të kënaqur se kushdo tjetër. Në një deklaratë përgëzimi, presidenti rus Vladimir Putin u shpreh se fitorja e Trumpit mund të sjellë një dialog konstruktiv ndërmjet Moskës dhe Uashingtonit mbi principet e barazisë, respektit reciprok dhe konsideratës.
Janë mendimet dhe ndjenja e fuqisë botërore ndoshta më të rëndësishme – Kinës – ato që vazhdojnë të mbeten të paqarta. Gjatë fushatës, Kina ka qenë shënjestra kryesore e Donald Trumpit për pakënaqësinë e shprehur në lidhje me tregtinë. Megjithatë, refuzimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Partneritetit Trans-Paqësor (TPP) do të sillte avantazhe të menjëhershëm për Kinën. Për arsye që duken mëse të qarta, qëndrimi i Trumpit kundër ndërhyrjeve të Shteteve të Bashkuara në politikën e jashtme, përshtatet më së miri me ambiciet kineze. Tani për tani, të vetmet shenja që mund të interpretohet tregojnë se Pekini është duke e përpunuar këtë zhvillim të madh global dhe po e kalkulon me kujdes përgjegjen e tij.
Bën mirë të shpejtojë ritmin! Në epokën e re të nxitur nga fitorja e Donald Trumpit, kinezët janë ata që mund të përfitojnë, ose humbin më shumë se të gjithë të tjerët. Si ekonomia e dytë më e madhe e botës dhe si vendi më i madh tregtues, kundërpërgjigja e Kinës mund të sjellë diferencën ndërmjet begatisë dhe stanjacionit, madje edhe ndërmjet luftës dhe paqes nëpër botë.

Ngritja dhe rënia e globalizimit
Globalizimi nisi si një koncept i pafajshëm gjatë viteve 1970. Bota ishte bërë tepër e ndërlidhur përmes tregtisë, investimeve, udhëtimit dhe informacionit. Por pas Luftës së Ftohtë, globalizimi u injektua së bashku me një komponent ideologjik. Në ditët e sotme, nuk arrin dot ta bësh më dallimin ndërmjet përfitimeve dhe ideologjisë së globalizimit.
Globalizimi është rrënjosur në doktrinën neo-liberale të Konsensusit të Uashingtonit, e cila u krijua nga presidenti i parë pas Luftës së Ftohtë, Bill Clinton dhe u vazhdua më pas administrata pasuese të George W. Bush dhe Barack Obama. Ideja kishte në themel vizionin e një bote që ecte pazgjidhshmërisht drejt adoptimit të rregullave dhe standardeve të unifikuara në ekonomi, politikë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Kufijtë kombëtarë do të humbisnin gradualisht vlerën e tyre, madje një ditë do të zhdukeshin. Ndryshimet kulturore do të zëvendësoheshin nga vlerat universale. Demokracia elektorale dhe kapitalizmi i tregut do të përhapeshin në të gjithë botën. Në fund, të gjithë vendet e botës do të mund të qeveriseshin pak a shumë në të njëjtën mënyrë.
Procesi do të mbështetej nga pushteti i fortë dhe i butë i Shteteve të Bashkuara. Ishte pjesërisht për shkak të kësaj logjike që pasardhësit e neo-liberalizmit, neo-konservatorët dhe intervencionistët liberalë e futën Amerikën në luftë me Afganistanin dhe Irakun. Pikërisht këtu fshihet edhe problemi: globalizimi ishte Kali i Trojës. Ideologjia politike që iu vesh e gërryu nga brenda globalizimin dhe e ktheu në një forcë që fillimisht u duk e pandalshme, derisa u rrëzua nga vetë pesha e saj.
Në Perëndim, disiplinat drejtuese të globalizimit u bënë edhe përfitueset më të mëdha. Pasuria dhe pushteti i përqendruar në majë, i ndarë ndërmjet zotëruesve dhe zhvilluesve të kapitalit, të cilët favorizonin tregtinë e lirë, multikulturalizmin, institucionet e shumë-anshme, madhe edhe ndryshimin e regjimeve dhe ndërtimin e shteteve në toka të huaja. Por vizioni i tyre dëmtonte pjesën më të madhe të popullsisë që përbënte shtresën e mesme. Vetëm një brez pas fitores së Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara përjetuan një gërryerje të bazës industriale, infrastruktura u zhyt në dëshpërim, sistemi i edukimit u përkeqësua dhe kontrata sociale u shkatërrua.
Përtej dëmit ekonomik, ndyshimet e vlerave sociale të propaganduara nga globalizimi kërcënuan edhe kohezionin social. Shkencëtari politik, Robert Putnam e ka trajtuar këtë proces në librin e tij më të rëndësishëm “Bowling Alone” në të cilin përshkroi me detaje të dhimbshme rënien e komuniteteve amerikane. Me pak fjalë, në emër të globalizimit, elitat amerikane kishin ndërtuar perëndoritë e tyre në kurriz të të gjithë kombit.
E njëjta gjë ndodhi edhe në Europë. Teknokratët në Bruksel, së bashku me aleatët e tyre në kryeqytete, promovuan një grup standardesh të Bashkimit Europian gjithnjë në zgjerim, duke i shkarkuar pasojat në kurriz të interesave të popujve në vendet anëtare. Në disa vende europiane, papunësia e të rinjve arriti dhe qëndroi në normën 50 për qind. Sot, elitat globaliste po rrëzohen një nga një nga të njëjtat kuti votimi që u përdorën për të ruajtur sundimin e tyre.

Pamja nga Pekini
Kina, më shumë se çdo vend tjetër në zhvillim, ka përfituar nga globalizimi. Ky vend ka përjetuar transformimin e jashtëzakonshëm nga një ekonomi e varfër agrare në një superfuqi globale industriale, duke hequr më shumë se 600 milionë njerëz nga varfëria. Megjithatë, Kina vendosi të angazhohej me globalizimin sipas kushteve të saj, duke përqafuar ndërlidhjen, por duke refuzuar me bindje ideologjinë politike. Kështu, Kina pati mundësinë të forconte sistemin e saj politik një-partiak dhe të hapë tregjet e saj sipas prioriteteve kombëtare të vetcaktuara.
Ndoshta duke kuptuar këtë strategji të Kinës, Trump e ka fajësuar atë për shumë sëmundje të Shteteve të Bashkuara. Duket disi e padrejtë. Liderët kinezë në fakt kanë zgjedhur të ushtrojnë përgjegjësinë që kanë për të bërë më të mirën për popullin e tyre. Do të vepronin gabim, nëse do të kishin bërë të kundërtën. Megjithatë është mëse i kuptueshëm dhe i justifikushëm fakti që Trump kërkon sot të bëjë më të mirën për popullin amerikan dhe – siç thuhet në slloganin e tij – ta vendosë “Amerikën të parën”.
Në vend që të ndihet e zhgënjyer apo e tradhëtuar, Kina duhet ta shfrytëzojë këtë moment. Zgjimi i papritur i pjesës më të madhe të popullsisë amerikane nuk duhet parë si një refuzim i hapur ndaj Kinës apo si pararendëse e konflikteve të mëdha e të pashmangshme ndërmjet palëve. Në fakt, epoka e re e Donald Trump duhet parë si mundësi për të studiuar të gjitha mundësitë që mund të ofrojë kjo erë e re amerikane.
Leksionet vijnë në një moment shumë të rëndësishëm. Opinionistët kinezë kanë tendencën ta marrin nga elitat amerikane informacionin për Shtetet e Bashkuara. Në këtë mënyrë, ata janë tërësisht të shkëputur nga Amerika e shtresës së mesme, ashtu siç janë edhe vetë ekspertët dhe opinionistët e Shteteve të Bashkuara. Kjo është arsyeja përse ata i shikojnë mbështetësit e Trumpit si “të mjerë”, si çka thënë edhe Hillary Clinton përpara se të humbte garën presidenciale, njerëz racitë, seksistë dhe të paedukuar. Ky është gjykimi më i gabuar i bërë nga mediat amerikane deri më sot.
Kina do të bënte mirë të shihej në pasqyrë për të kuptuar mënyrat se si Shtetet e Bashkuara dhe Europa janë duke ndryshuar përgjithmonë. Kinezët kanë qenë zërat më të lartë, të cilët kanë kritikuar ideologjinë bazë të globalizimit, sipas së cilit një lloj regjimi ideal është i përshtatshëm për çdo vend të botës, dhe ka bërë shpesh thirrje që kombet të lejohej t’i zgjedhin vetë rrugët e tyre drejt zhvillimit. Siç ka thënë edhe presidenti kinez Xi Jinping: “Vetëm duke i veshur, mund të kuptosh nëse një palë këpucë janë të përshtatshme për ty”.
Donald Trump duket se është i gatshëm të provojë një palë këpucë të reja në Ammerikë. Donald Trump e ka quajtur si ide tepër të rrezikshme përpjekjen për t’i kthyer në demokraci perëndimore ato vende që nuk kanë asnjë interes të jenë të tilla dhe qëndrimi i tij kundër ndërhyrjes amerikane nëpër botë, duhet të jetë mëse i mirëpritur në Kinë.
Nuk ka asnjë dyshim se do të ketë konflikte, ndërkohë që Trump ndjek interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara, por pakënaqësitë popullore që mundësuan ngritjen e tij në pushtet, meritojnë vëmendjen dhe respektin e Kinës dhe botës. Nëse Trump vendos të jetë më pak miqësor me Kinën për çështjet e tregtisë, ashtu siç pritet, Kina bën mirë të ushtrojë një dozë të madhe vetpërmbajtjeje. Në rast se kundërpërgjigja e Pekinit do të ishte “sy për sy, dhëmb për dhëmb”, rreziqet e konfliktit gjeopolitik do të ishin reale. Në një skenar të tillë, si Kina ashtu edhe Shtetet e Bashkuara, do të humbnin.

Mundësi manovrimi
Liderët kinezë që janë treguar të mençur dhe të matur gjatë gjithë këtyre viteve, nuk duhet të injorojnë mundësitë e jashtëzakonshme që mund të ofrojë Amerika e re e Donald Trumpit. Idetë e Kinës janë thelbësisht të ngjashme me vizionin e Trumpit. Shtetet e fuqishëm sovranë janë themeli i sistemit ndërkombëtar të shëndetshëm. Primacia e kulturës duhet të njihet dhe vendosja e rregullave uniformë nuk do të ketë përparësi kundrejt konsideratave kombëtare. Institucionet e shumëanshme nuk duhen përdorur për të shtypur angazhimet dypalëshe, por këto të fundit janë më efektive. Secila prej këtyre fjalive mund të kishte dalë lehtësisht nga goja e Trumpit apo e Xi-së.
Në nivelin praktik, ekziston një gamë e gjërë politikash që mund të sjellin përfitime si për Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe për Kinën. Një nga iniciativat më të rëndësishme të Trumpit është rindërtimi i infrastrukturës së plakur të Shteteve të Bashkuara. Ai ka premtuar se do të dedikojë 1 trilionë dollarë në shpenzime. Qëllimi i tij për t’u lavdëruar mund t’i sjellë ekonomisë amerikane gjallërinë aq të domosdoshme, duke krijuar vende të reja pune dhe duke ndërtuar, rrugë, aeroporte, ura dhe duke rinovuar ato ekzistueset. Megjithatë, sfidat që burojnë nga kufizimet financiare dhe kapaciteti industrial, nuk do të jenë të lehta për t’u kapërcyer.
Kina ka njohuri të mira për ndërtimin e infrastrukturës dhe siç kuptohet nga shumë fjalimet e tij gjatë fushatës, edhe Trump ka njohuri mjaft të mira. Gjatë fushatës, Trump ka thënë vazhdimisht se, krahasuar me Kinën, infrastruktura e Amerikës krahasohej me atë të “botës së tretë”. Kina mund të ofrojë kapacitete të mëdha për Shtetet e Bashkuara. Si fillim, mund të afrojë Shtetet e Bashkuara me Bankën e Investimeve të Infrastrukturës së Azisë (AIIB) dhe të ofrojë kapacitete industriale me kushte të favorshme dhe shpejtësi të madhe. Kjo do të ishte në avantazhin e Kinës, e cila ka nevojë të dërgojë jashtë vendit kapitalin dhe kapacitetin e tepërt dhe nuk ka vend më të mirë për ta bërë këtë se sa tek partneri i saj më i madh i tregtisë.
Në sferën e gjeopolitikës, ka gjithashtu interesa të përbashkëta të dukshme. Si Trumpi ashtu edhe Kina janë të ndërgjegjshëm për kërcënimin e rëndë kundër paqes në botë që vjen nga aktorët joqeveritarë. Një nga dëmet më të mëdha që globalizimi i ka shkaktuar botës ka qenë dobësmi i shtetit dhe rritja e terrorizmit. Duke fshirë kufijtë shtetërore dhe duke dobësuar pushtetin e qeverive kombëtare, globalizimi ka krijuar një botë më të rrezikshme. Gjatë kursit të viteve, globalistët e kanë akuzuar Kinën për kokëfortësinë e saj në mbrotjen deri në ekstrem të sovranitetit kombëtar, por duket qartë se Kina ka bërë një punë shumë herë më të mirë me mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve të saj krahasuar me shumë vende të tjera. Kina dhe Amerika e Trumpit mund të gjejnë shumë qëndrime të përbashkëta në këtë çështje.
Edhe për sa i përket tregtisë, ka një konvergjencë të madhe ndërmjet dy vendeve. Narrativa e elitës së globalistëve përfaqëson një ndarje ndërmjet tregtisë së lirë dhe proteksionizmit. Kushdo që guxon të sfidojë standardizimin global rrezikon të etiketohet si proteksionist, madje Kina është akuzuar shpesh për një qëndrim të tillë. Por ndarja e promovuar nga globalistët është e pavërtetë. Për shembull, propozimet e Kinës për zgjerimin e tregtisë në Paqësorin Aziatik, Partneriteti Kombëtar Gjithëpërfshirës Ekonomik (RCEP), lejon diferencime të shumta të tarifimit dhe standardeve të industrisë, në bazë të kushteve të ndryshme ekonomike dhe politike të secilit shtet anëtar.
Në të kundërt, TPP-ja e Obamës ishte krijuar vetëm për të imponuar një grup rregullash uniformë pa marrë në konsideratë kërkesat dhe nevojat e vendeve të ndryshme si dhe stadet e ndryshme të tyre të zhvillimit. Ironikisht, janë vetë amerikanët që tashmë e shikojnë këtë marrëveshje si të papërshtatshme për vendin e tyre. Teksa Kina ristrukturon ekonominë e saj për të qenë më pak e varur tek eksportet dhe më shumë nga kërkesa e brendshme dhe shërbimet e industrisë dhe teksa Shtetet e Bashkuara punojnë për të rindërtuar kapacitetin prodhues, të dy vendet do të ndodhen në pozicion të mirë për të eksploruar qasje të reja për zgjerimin e tregtisë ndërmjet tyre.
Në fundi, Trump është i vetmi lider që ka kuptuar dhe shprehur dëmin që i është bërë Shteteve të Bashkuara nga ajo që historiani Paul Kennedy e ka quajtur “qëndrimi imperial”. Dëshira e elitës amerikane për të rindërtuar botën përmes imazhit të vendit të tyre i ka kushtuar shumë Shteteve të Bashkuara dhe botës. Shtetet e Bashkuara kanë më pak se pesë përqind të popullsisë së botës dhe rreth 20 për qind të GDP-së globale, por 40 për qind shkojnë për shpenzime ushtarake. Trump ka thënë se ka ndërmend ta frenojë këtë çmenduri ndërhyrëse të Shteteve të Bashkuara dhe elitat amerikane kanë nxituar ta quajnë atë një politikan që kërkon ta izolojë vendin.
Kjo nuk është e vërtetë, sepse nëse Shtetet e Bashkuara fillojnë të mos i tregojnë vendeve të tjera se si duhet të qeverisen, kjo nuk do të thotë se do të shkëputen plotësisht nga çështjet ndërkombëtare. Për shembull, Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të angazhohen me çështjet e Lindjes së Mesme, por t’i japin fund përpjekjeve për të kërkuar ndryshimin e regjimeve apo të ndërtimit të shteteve atje sipas standardeve të tyre.
Është në interesin e Kinës që të inkurajojë distancimin e Trumpit nga këndvështrimi i drejtuar nga ideologjia. Si ekonomia e dytë më e madhe në botë, Kina ka kontribuar mjaft në ruajtjen e stabilitetit global. Këtë mund të vazhdojë ta bëjë, duke moderuar vetë qëndrimin e saj në Paqësorin Aziatik dhe të promovojnë paqen rajonale, siç ka bërë me ishujt Filipine. Kina mund të ndajë edhe barrën e rëndë të Lindjes së Mesme, ku po kthehet në importuesin më të madh të naftës në rajon dhe ka interesa afatgjatë për stabilitetin e zonës.

Një rend i ri botëror?
Fitorja e Trumpit nuk ndodhi aspak rastësisht. Ishte kulminacioni i ndryshimeve strukturore brenda shoqërisë amerikane, një ndryshim që elitat kishin zgjedhur ta injoronin për vite me radhë. Këto forca do të vazhdojnë t’i shtyjnë Shtetet e Bashkuara dhe botën drejt një rruge të re, ndryshe nga ajo e ndjekur këtu 25 vitet e fundit. Ka rëndësi të madhe që liderët kinezë të kuptojnë këtë ndyshim dhe të përgjigjen siç duhet.
Nëse Kina jep përgjigjen e gabuar, luftërat tregtare, përballjet gjeopolitike madje edhe konfliktet ushtarake mund të vijnë njëri pas tjetrit. Shtetet e Bashkuara kanë arsye legjitime të ndjekin së pari interesat e tyre teksa trajtojnë çështjet globale. Kina, më shumë se çdo shtet tjetër, është e aftë ta kuptojë këtë. Kina, përsëri më shumë se çdo shtet tjetër, mund t’i ofrojë Amerikës së Trumpit hapësirën e nevojshme për të përshtatur prioritetet kombëtare.
Fundi globalizimit nuk do të sjellë aspak fundin e të gjithë konceptit, të paktën jo të konceptit fillestar të tij. Në të kundërt, ndërlidhja e vendeve do të vazhdojë të rritet për shkak të trendeve laike të teknologjisë dhe ekonomisë. Qeverisja e suksesshme globale, me fjalë të tjera, nevojitet sot më shumë se kurrë, por nuk mund të bazohet më në narrativën e globalizimit.
Bota ka nevojë për një rend të ri botëror të ngritur jo mbi bazat falco ideologjike të shekullit XX, por duke respektuar diversitetin e çdo shteti individual, sovranitetin kombëtar dhe integritetin kulturor. Në vend që të përpiqen ta drejtojnë botën me një grup të standardizuar rregullash globale, shtetet duhet të bashkëpunojnë lirisht në mënyrat që i përshtaten më mirë rrethanave të veçanta. Vetëm shtetet e forta sovrane mund të arrijnë të bashkëpunojnë me suskes, duke dobësuar vetëm kur është e nevojshme sovranitetin e tyre për interes të rendit botëror.
Nëse kërkojmë një shekull XXI të begatë dhe paqësor, Kina duhet të bashkëpunojë me Amerikën e Trumpit për të zhvilluar të ardhmen e re. Edhe pse konkurrenca ndërmjet dy fuqive të mëdha është e pashmangshme, këndvështrimet e tyre të përbashkët për botën dhe interesat e ngjashme peshojnë më shumë se mosmarrëveshjet e tyre. Në fakt, liderët kinezë do të bënin mirë të dëgjonin fjalët që Presidenti Trump ka thënë për politikën e jashtme gjatë muajit prill: “Ne dëshirojmë të jetojmë në paqe dhe miqësi të plotë me Kinën dhe Rusinë, ne kemi mosmarrëveshje serioze me këto dy vende dhe duhet ta trajtojmë njëri-tjetrin me shumëkujdes, por nuk dëshirojmë të jemi armiq. Duhet të gjejmë një rrugë të përbashkët bazuar në interesat tona të ngjashme”.
Me kaq shumë parashikime negative të hiperbolizuara, për atë që mund t’i ndodhë Amerikës dhe Botës, nevojitet një dozë e fortë optimizmi. Kina nuk ka asnjë synim të zëvendësojë Shtetet e Bashkuara si superfuqia dominante e botës, por kërkon të rimarrë pozicionin e lidershipit të fqinjësisë së saj, ndërsa Amerika duhet të përqendrohet në rindërtimin e vetes. Nëse të dy vendet kanë zgjuarsinë dhe pragmatizmin e nevojshëm për të bashkëpunuar, për të jetuar dhe për t’i lënë të tjerët të jetojnë, mund të gjejnë patjetër konsensusin e duhur në qeverisjen globale që do të na çojë drejt një bote më të qëndrueshme. Globalizimi ka kryer vetvrasje. Rendi i ri botëror është duke lindur dhe duhet të angazhohemi menjëherë.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakEuropa në duart e së Djathtës
Artikulli tjetërRënia e së majtës