Gazetarja Klodiana Lala foli për ndërhyrjet në sistemin TIMS, ndërsa theksoi se Ervin Muça, ish drejtori i IT në Policinë e Shtetit që kopjoi të dhënat ishte pa certifikatë sigurie ndërsa erdhi në këtë detyrë me financim të personave të pushtetshëm.
E ftuar në emisionin “Open” ne News24, Klodiana Lala tha se ka qenë një punonjës që nuk ka pranuar të japë kodet dhe ai u largua nga puna.
Sipas saj, Ervin Muça sapo mori detyrën ka larguar shumë punonjës, duk i zëvendësuar ata me të tjerë.
“Drejtori i Policisë së Shtetit ia ka propozuar ministrit të Brendshëm, Çuçi. Me të ardhur në detyrë, Ervin Muça ka larguar të gjithë punonjësit dhe janë zëvendësuar me të tjerë. Besjan Tanuzi ka qëndruar vetëm një muaj në detyrë për të marrë të dhënat në sistemin TIMS. Muça ka përdorur kartën e një punonjëse për të hyrë në institucion. Ka bërë back-up pa lajmëruar eprorët.
Prokuroria e Tiranës thotë se nuk ka nevojë për back-up, pasi e bën automatikisht sistemi. Duhet t’i themi faleminderit Ardit Muços (sot është papunë). Nuk ka pranuar të hyjë në sistem dhe u ka kërkuar vartësve të mos dorëzonin kodet. Zyrtarët kanë deklaruar se nëse nuk do dorëzonim kodet do të shkonim në Prokurori.
Në momentet që Ardit Muço, që është djali i një zyrtari të lartë policie, ka refuzuar të japë kodet, Ervin Muça ka urdhëruar t’i ndërpritet aksesi në sistem. Aty shkon edhe një zonjë pa asnjë lidhje me sistemin TIMS. Denoncimi ka vajtur pesë ditë më vonë. Për pesë ditë, policia ka lejuar që aty të bëhet një masakër nëse mund ta them kështu. Ervin Muça nuk kishte certifikatë sigurie.
Ndërkohë që ministri i Brendshëm na thotë se deputetët nuk kishin certifikatë sigurie, në fakt vetë Ministria dhe policia i kishte dhënë të gjithë “minierën e arit” një njeriu që nuk kishte certifikatë sigurie. Ky personazh kishte rekorde jashtë. E treta, ky personazh jo vetëm kishte ardhur si kandidat i vetëm dhe i financuar nga persona të pushtetshëm nga Durrësi dhe kam prova për këtë. Certifikata e sigurisë i mungonte. Në momentin që ka ndërprerë aksesin për të tjerët. Pasi kishte nisur komisioni hetimor, ata u kujtuan se i duhet refuzuar certifikata e sigurisë”, tha gazetarja Lala.