Nga Ilir Ikonomi
Ndryshe nga sa thuhet ndonjëherë, Ahmet Zogu dhe Fan Noli kanë patur marrëdhënie mjaft të mira në fillimet e jetës parlamentare në Shqipëri. Më vonë politika do t’i ndante, por përsëri do t’i bashkonte.
Ata u njohën në vitin 1921, kur Noli shkoi në Shqipëri nga Gjeneva dhe u bë deputet që përfaqësonte Vatrën e Amerikës. Të dy ishin anëtarë të Partisë Popullore. Zogu ishte 26 vjeç, Noli 39.
Në fund të vitit 1921, Nolit iu propozua posti i ministrit të jashtëm në qeverinë e Xhafer Ypit, por ai nuk donte. U desh të ndërhynte ministri i brendshëm Zogu që Noli të pranonte. Noli dha dorëheqjen në mars 1922, pas një mosmarrëveshjeje me Ypin.
Në verën e atij viti, kur ndodhej në Romë, Noli i la Zogut disa porosi private dhe ky ia kreu, siç del nga kjo letër e shkruar bukur dhe me mjaft mirësjellje një shekull e ca më parë:
I dashur mik, Imzot Fan S. Noli
në Romë.
Që posa mora letrën e parë të Z. s’uaj, i pagova të hollat të zot të shtëpisë edhe shërbëtorit t’uaj ashtu siç më shkruanit në letër, dyke ju marrë dëftesat e duhura. Sa për punën e mobillave, kemi pyetur në Doganën e Durrësit, por as gjësendi nuk ka ardhur. Gjith ashtu edhe për të quajturin Nasi Laze kam për të bërë hetime ku është arrestuar, se këtu në Tiranë nuk ndodhet një emër i atillë. Gëzohem që kurdoherë të jeni mirë dhe që përsëshpejti u bashkofshim këtu. Dyke ju çuar përshëndetjet e mija, mbetem Juaji me besë.
A. Zogu
Tiranë, 15.7.1922