Ndryshimet e sistemit fiskal nuk garantojnë barazinë mes tatimpaguesve, nxitet evazioni

Flet audituesi ligjor Artur Papajani

Politikat e qeverisë me zerim të taksimit për biznesin e vogël dhe tatim deri në 23% te të ardhurat e të papunësuarve sipas audituesit ligjor Artur Papajani, jo vetëm shkaktuan pabarazinë e sistemit tatimor, pamundësinë e tatimpaguesve për të paguar, por edhe tendencën për evazion.

Ai thotë se me ndryshimet e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” që fillimisht u zbatua me profesionet e lira, politikëbërësit nuk rrisin përpjekjet për ngushtimin e evazionit, përveçse thellohet principi i pabarazisë tatimore, normat e larta rrisin prirjet e bizneseve për shmangie tatimesh apo nënfaturim të ardhurash.

 

Prej vitit 2015, te biznesi i vogël, pothuajse u zeruan taksat, ndërsa pagat e larta të të punësuarve taksoheshin nga 13 deri në 23%. Nisur nga historiku i ndryshimeve fiskale, a kemi të bëjmë me një sistem fiskal të pabarabartë dhe a ka krijuar mundësi për të shfrytëzuar hapësirat ligjore me qëllim shmangien e taksave?

Duhet një përgjigje shteruese, pasi edhe ju pyesni në mënyrë të drejtpërdrejtë. Shkurt dhe qartë shprehem se të vetëpunësuarit, si dhe gjithë biznesi i vogël, u privilegjuan në krahasim me të punësuarit, nga viti 2021 e këtej, vetëm për sa i takon tatimit mbi fitimit. Ndërkohë që ky grup i madh vazhdoi të paguajë taksat vendore, por normalisht edhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Për sa i takon vendosjes së normës zero të tatimit mbi fitimin, sistemi tatimor shqiptar, për herë të parë, humbi diçka nga barazia. U cenua ky princip. Ky boshllëk tatimor krijoi hapësira të ligjshme, që një pjesë u shfrytëzuan në sjellje krejtësisht normale nga profesionistë të ndryshëm që ishin të lidhur me një marrëdhënie punësimi.

Ndërkohë, vendosja e zerimit të tatimit mbi të ardhurat krijoi rreziqe të tjera, që nuk është momenti për t’i përmendur, por duhet të pranohet që një politikë e tillë fiskale solli çoroditje fiskale që pasojat po i nxjerr sot në dritë.

Do të ishte mirë të ishte bërë një analizë e thellë. Aspak për të anatemuar individin, apo institucionin, por për të mos u përsëritur kurrë më, ndërkohë që mund të përmendej si dëshmi historie, nën termat “ka ndodhur dikur kështu”.

Ndërkohë ju kujtoj që më parë, norma tatimore ishte 5%, pa paraqitur probleme a deformime, si për tatimpaguesit dhe qeverinë.

Në anën tjetër, vendosja e tatimit te profesionet e lira sërish u vlerësua, si masë antievazion nga qeveria, pasi shumë të vetëpunësuar për t’iu shmangur tatimit janë regjistruar si të tillë, pas largimit nga listëpagesat.

Së pari, a mund të konsiderohet kjo shkelje nga tatimpaguesit, apo mund të vlerësohet si një shteg apo gropë ligjore, e shkaktuar nga politika fiskale, që u shfrytëzua nga tatimpaguesit?

Së dyti, ku ndryshojnë përgjegjësitë juridike të një punëmarrësi kundrejt të vetëpunësuarit dhe a është i drejtë taksimi?

Së pari, që në krye të herës, duhet të pranohet që tendenca për evazion u krijua nga politika e qeverisë, ndërsa jo nga të gjithë, por një pjesë e kufizuar e tatimpaguesve u shfrytëzua kjo politikë fiskale. Por jo një grup dominues ky i fundit.

Së dyti, nuk duhen njësuar dhe as duhen vendosur në të njëjtën përgjegjësi qoftë ligjore, qoftë tatimore, të punësuarit me të vetëpunësuarit. Nga pikëpamja juridike, shërbimi i kryer nga i punësuari, konsiderohet shërbim i varur.

Ndërsa shërbimi i kryer nga i vetëpunësuari konsiderohet shërbim i pavarur. Për sa i takon aspektit ekonomik, ndërsa i pari kryen punë, i vetëpunësuari kryen aktivitet ekonomik.

Roli i të punësuarit përcaktohet nga punëdhënësi, ndërsa është tregu që ia përcakton këtë rol të vetëpunësuarit.

Baza ligjore rregullatore e marrëdhënieve të punësimit (Kodi i Punës apo Ligji i Nëpunësit Publik), ndryshon dhe është pa lidhje me atë të të vetëpunësuarve, (ligji i tregtarëve e shoqërive tregtare dhe legjislacioni tatimor e financiar).

I vetëpunësuari përgjigjet personalisht me të gjithë pasurinë e të drejtat e tij të tashme dhe të ardhshme, pasuritë e luajtshme e të paluajtshme, pronësitë industriale e intelektuale, kreditë ndaj të tretëve, çdo të drejtë apo pasuri tjetër, vlera e të cilave mund të shprehet në para.

Punëmarrësi ka përgjegjësi vetëm ndaj punëdhënësit, ndërsa i vetëpunësuari, si person fizik tregtar, përgjigjet ndaj klientëve, furnitorëve, qiradhënësve, qeverisë me dhjetëra inspektorate, bankave e institucioneve financiare, punëmarrësve të vet, nëse kanë.

Ka dhe shumë të tjera dasi e veçime, por që personalisht e quaj çështje të mbyllur dhe ruaj me katolicizëm atë që përvoja, e drejta juridike, profesorët e nderuar, kolegët vendas e të huaj na kanë mësuar.

Për të mbetur te ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” që nisi zbatimin më 1 janar 2024, me profesionet e lira, a ka zbatim korrekt të tij?

Personalisht nuk jam për t’i gjuajtur me gurë një ligji, si ky i tatimit mbi të ardhurat. Por të ndryshohen apo sqarohen, qartë, në akte nënligjore pjesë të veçanta të tij. Janë edhe probleme politikash edhe teknikash.

Vendosja e normave të larta tatimore për të vetëpunësuarit nga 5% para zerimit, në 15 dhe 23%, por edhe për të punësuarit me paga relativisht të larta, pra me një normë 23%, për një prag relativisht të ulët të të ardhurave (vendosur 2 milionë në vit, kundrejt 2,4 milionë më parë), ekonomikisht cenojnë principin e mundësive për ta paguar atë tatim.

Nga ana teknike, problem krijoi edhe akti normativ i fundvitit të kaluar, lidhur me vendosjen e kësteve paraprake të tatimit mbi fitimin për vitin 2024.

Për hir të së vërtetës, kjo erdhi si rrjedhojë e të mos qenët gati të sistemit për t’ju përgjigjur ndryshimit të madh!

Ligji i ri “Për tatimin mbi të ardhurat”, ndër politikat e reja që solli sa u takon bizneseve nën xhiro 10 milionë lekë, solli nga 1 Janari 2024 edhe një regjim të ri e të veçantë, atë të njohjes së shpenzimeve apriori, apo fikse. Ky ndryshim theksoj, është politikë fiskale, nuk është thjesht një teknikë, nuk është një deklaratë, nuk është një formular.

Kjo politikë e qeverisë shqiptare, miratuar nga ana e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ka marrë fuqinë e ligjit më 1 Janar 2024. Aspak në të tjera fraksione kohore, qofshin ato fundjava, apo fundviti.

Një ligj i miratuar që në fillim të vitit 2023 u dha kohën e duhur të gjitha instancave zbatuese të nxirrnin akte të sakta e të përpikta, që në zbatim të parë të tij të mirëzbatohej e të mos gjuhej me gurë.

Dhe më të pafajshmit janë realisht tatimpaguesit. Ata u përballën me detyrime të larta, thjesht për faktin që ligji i ri i të ardhurave hyri i cunguar në fuqi, formuar me citate të zhvleftësuara dhe me shmangie rregullash.

Zgjidhja që i është dhënë ngërçit të krijuar, le premtime a siguri, që gjithçka e paguar tepër, ju kthehet pas një viti, nuk përkon me dy ligje.

Së pari, ligji i tatimit mbi të ardhurat, shpreh që regjimi i veçantë është e drejtë që e zgjedh vetë tatimpaguesi.

Po ashtu, është vetë ligji që u njeh të drejtën tatimpaguesve të parapaguajnë këste të përpikta të tatimit mbi fitimin. Këto të drejta të dhëna nga ligji, kthehen njëkohshëm në detyrim për administratën, për t’i konsideruar ato.

Së dyti, ligji “Për procedurat tatimore” nuk e favorizon administratën tatimore kur asaj i kanë rekomanduar që të kreditojë pas një viti e ca kalendarik, shuma të paguara më tepër prej tatimpaguesve.

Ardhja rrotull e kamatave në këto raste mund të sjellë kosto financiare, pas shumë muajsh, prandaj edhe vetë zbatuesit e ligjit duhet të tregohen të vëmendshëm.

Ligji ka dhe disa probleme teknike, si njësimin e të punësuarve me të vetëpunësuarit, në disa raste, kur në praktikë krijohen situata, që e bëjnë algoritmin të pazbatueshëm, apo kërkon mbajtjen e tatimit në burim, për disa lloj transaksionesh, mes biznesesh.

Por duhet thënë që ligji ka sjellë edhe risi, apo ka trajtuar fenomene, për të cilat koha i solli në evidencë që duhet të trajtoheshin. Është ligji më kryesor për kohën, ligji që do t’u marrë para shqiptarëve, për t’i përdorur për shqiptarët!

Prandaj, sa më shumë kujdes, por edhe duke i lënë kohën e mundësinë specialistëve, që efektivisht bëjnë pjesë në administratë.

 

Si pritet të ndikojë te tatimpaguesit e shërbimeve profesionale, ndryshimi i taksimit, nga 0% taksim vendosja e normave 15 dhe 23%? A parashikohet të shkaktojë evazion, shmangie të deklarimit të të ardhurave apo skema të tjera informaliteti?

Vendosja e taksimit ishte e pritshme. Personalisht nuk isha i sigurt në sigurinë juridike, sepse e mendoja që kjo histori nuk do të zgjaste. Por ndryshimi që pritej të vinte, nuk erdhi siç vjen behari pas dimrit, por erdhi si dimër pas beharit.

Erdhi çuditshëm. Erdhi dhe preku vetëm profesionistët, që për herë të parë nuk citohen më si të tillë, por si shërbime profesionale.

Për më tepër, pas mbi dhjetë vitesh, vendoset një taksë shumë herë më e lartë, pra në kufijtë 15 dhe 23%, kundrejt 7,5 dhe 5% që ish para zerimit. Ndërsa një tjetër grup i madh biznesesh e tregtarësh do të vazhdojnë të jenë të privilegjuar, kundrejt të tjerë biznesesh.

Ju pyesni për evazion ndërkohë? Nuk shoh përpjekje për ngushtimin e tij, pasi principe si pabarazia thellohen, përkundër sistemit që ndërlikohet.

Normat e larta tatimore, përveç demotivimit, tendencës për t’u mbyllur e për t’u larguar, nxisin prirjet për shmangie, për mosfaturime a nënfaturime.

Njëkohësisht, mbajtja e një tjetër targeti nën një normë zero tatimore, përveç avantazhimit të grupit përfitues, sjell disavantazhe në sistem, veç të tjerash forcimin e tendencës për të mos iu përmbajtur rregullave fiskale, që kanë për kryefjalë atë që quhet “çedukim tatimor”.

E kam përsëritur disa herë që për një vit çedukim, sistemit do t’i duhet të harxhojë dhjetë vite edukim.

Evazioni i parë, jo vetëm në aspektin e një sjelljeje të vullnetshme të individëve për të qenë të prirë nga shkeljet ligjore, merr energji edhe nga sjellja e individëve që kanë prirje për t’u mbrojtur nga politika të nxituara tatimore.

 

Në tërësi, çfarë efektesh krijojnë te sipërmarrja ndryshimet e shpeshta të politikave fiskale?

Duhet thënë se realiteti dhe mendimi vjen vetiu, për cilido. Ndryshimet e shpeshta fiskale nuk sjellin asgjë të mirë.

Ato zbehin sigurinë juridike të investitorëve, çorodisin dhe rrisin kostot administrative e logjistike të tatimpaguesve dhe vështirësojnë më shumë punën e administratës tatimore.

Kjo pyetje, ka të paktën njëzet vjet që bëhet, merr rregullisht të njëjtën përgjigje dhe do të vazhdojë të bëhet e do të marrë po atë përgjigje, të paktën deri kur të ketë hyrë në fuqi, Kodi Tatimor i Republikës së Shqipërisë./ Monitor.al

Artikulli paraprakSuksesi i SPAK ndaj të paprekshmëve do të forcojë edhe luftën kundër SPAK të të paprekshmëve
Artikulli tjetër“Në radhë për filipinasit”, Shqipëria përgatitet për rekrutimin e dhjetëra mijëra punëtorëve të huaj