Hidhet shorti i Champions League, PSG-Barça, Bayern-Arsenal

Short drithërimash në Nyon të Zvicrës për fazën e 1/8-ve të UEFA Champions League. Shumë ndeshje interesante dhe dy superpërballje që janë ato Bayern-Arsenal dhe PSG-Barcelona. I pafat Napoli që peshkoi kampionët në fuqi të Realit të Madridit me Elseid Hysaj mbrojtësin e kombëtares shqiptare që do të ketë detyrën e vështirë për të markuar Cristiano Ronaldon. Më i lehtë shorti për Juventusin që do të sfidojë Porton, ndërsa 4 përballjet e tjera të raundit të 1/8-ve janë Sevilla-Leicester, Bayer Leverkusen-Atletico Madrid, Benfica-Borussia Dortmund dhe Manchester City-Monaco.
Si për ironi të fatit, Bayerni dhe Arsenali do të përballen për herë të 4-t mes tyre në këto 5 sezonet e fundit të Championsit pikërisht në fazën me eliminim direkt me ndryshimin e vetëm që këtë herë ndeshja e parë do të luhet në Mynih, pasi ishte Arsenali kokë grupi. Paris Saint Germain-Barcelona është një tjetër sfidë spektakolare, të cilën e kemi hasur shpesh në këto vitet e fundit. Favorit për të kaluar edhe këtë herë mbeten blaugranat e Luis Enriques, që ndeshjen e kthimit do ta luajnë në shtëpi. Short i përballueshëm në letër për Manchester City-in e Pep Guardiolës, që do të sfidojë në 1/8-at Monacon e Leonardo Jardim.
Ashtu si në sezonin 2014-2015, Atletico e Madridit do të ndeshet me Bayer Leverkusen. Porto, pasi eliminoi Romën në play-off do të kërkojë të surprizojë edhe Juventusin, por pavarësisht gjithçkaje bardhezinjtë janë dukshëm favoritë për të avancuar më tej. Një sfidë e barabartë mund të konsiderohet ajo mes Sevillas dhe Leicester-it edhe pse skuadra spanjolle ka shumë më tepër eksperiencë në kompeticionet europiane se kampionët e Anglisë që drejtohen nga Claudio Ranieri. Kuadri i raundit të 1/8-ve kompletohet me përballjen Benfica-Dortmund, ku skuadra e Thomas Tuchel, në letër hyn si superiore.

Nedved: Një gabim dhe je jashtë
Zëvendëspresidenti i Juventusit, Pavel Nedved, ka komentuar shortin e Ligës së Kampioneve, ku bardhezinjtë kanë evituar përballjet më të forta, duke peshkuar Porton. “Nuk e dimë atë që na pret. Të gjithë presin që ne të kalojmë turin dhe të fitojmë titullin pa u lodhur, por nuk do të jetë kështu”, tha ai.
“Evituam Realin? Është e vështirë të buzëqeshësh kur ke për të përgatitur dy ndeshje të Ligës së Kampioneve. Sapo nënvlerëson diçka, je menjëherë jashtë. Champions është i veçantë. Porto ka eliminuar Romën, do të jenë ndeshje të vështira. Nuk duhet nënvlerësuar Porto”, deklaroi ish-mesfushori i njohur çek.

Hysaj kundër Ronaldos
Elseid Hysaj do të provojë magjinë e stadiumit legjendar “Santiago Bernabeu” në Ligën e Kampioneve, pasi shorti i fazës tjetër të turneut e ka vënë përballë Real Madridit të Kristinao Ronaldos. Ky nuk mund të cilësohet një short me fat për skuadrën e mbrojtësit shqiptar, pasi mund të kishte peshkuar gjithsesi disa ekipe më të lehta në turin tjetër.
Ndërkaq, vazot e shortit kanë vënë kundër njëra-tjetrës disa prej ekipeve pretendente për fitoren e turneut. Arsenali ka qenë pa fat edhe si e parë e grupit, duke u ndeshur me Bajern Mynihun në turin tjetër. Këto dy ekipe janë ndeshur tre herë në katër edicionet e kaluara. PSG dhe Barcelona do të vihen kundër njëra-tjetrës, në një duel të kthyer në klasiken e re të turneut.
Me fat mund të cilësohet shorti i Juventusit, që do të ndeshet me Porton, ndërsa edhe Mançester Siti i Guardiolës duhet të kënaqet me faktin se ka një rrugëtim më të thjeshtë se shumë të tjerë, sepse do të ndeshet me Monakon.

Artikulli paraprakGarë për shërbimet e mbrojtësit shqiptar
Artikulli tjetërLuis Enrike parashikoi shortin e Champions