Presidenti italian, Sergio Mattarella zgjodhi Paolo Gentilonin të formojë një qeveri të re pasi udhëheqësi reformator Matteo Renzi humbi referendumin për reforma kushtetuese.
Zoti Gentiloni pritet të mbajë postin deri në zgjedhjet e shkurtit të vitit 2018. Pas njoftimit, ai premtoi të lëvizë “brenda të njëjtës kornizë” si qeveria në largim e zotit Renzi.
“Jo me zgjedhje, por me një ndjenjë përgjegjësie, do të formoj një qeveri bazuar në shumicën që po largohet”, tha zoti Gentiloni.
Njoftimet bëjnë të ditura se udhëheqësi i ri pritet të paraqesë një listë me emrat e ministrave tek presidenti Mattarella të hënën.
Anëtari 62-vjeçar i Partisë Demokratike dhe një aleat i ngushtë i zotit Renzi, dhe një ish-gazetar tha në një deklaratë të shkurtër se ka një “nevojë urgjente për një qeveri plotësisht funksionale” në mënyrë që të përqendrohemi tek çështjet ekonomike dhe sociale.
Të gjitha partitë kryesore kanë bërë thirrje për zgjedhje sa më shpejt që të jetë e mundur, por propozimi është refuzuar nga presidenti italian.
Renzi ishte kryeministër për gati tre vjet. Ai dha dorëheqjen pasi votuesit kundërshtuan një paketë që rriste pushtetin e tij për të shtyrë reforma ekonomike që ai thoshte se do të sillnin stabilitet politik në Itali.