ALBANA BUSHATI DEKORATË NGA PRESIDENTI ITALIAN

Presidenti i Italisë Sergio Mattarella nderoi me titullin “Kalorës i Urdhrit të Yllit të Italisë”, drejtoren e shkollës “28 Nëntori” në Shkodër Albana Bushati. Kjo dekoratë e rëndësishme e Presidentit italian u akordua nga Ambasadori i Italisë në vendin tonë Fabrizio Bucci në një ceremoni zyrtare pranë rezidencës italiane në Tiranë për kontributin e drejtores Bushati në seksionin dygjuhësh në shkollën “28 Nëntori”.

WhatsApp Image 2024 05 23 at 15.36.001

Sot është kënaqësi e madhe për mua të kem këtu Albanën e cila merr këtë dekoratë kaq të rëndësishme pikërisht për angazhimin e saj sëbashku me ju në ndërtimin e së ardhmes së atyre njerëzve. Jeni ju mësuesit, është Albana e cila në një shkollë shumë të rëndësishme, ndër më të rëndësishmet ka vijuar prej vitesh dhe vazhdon ta bëjë, të punojë me përgjëgjësi të madhe për të ndërtuar njerëzit e së nesërmes sepse Albana dhe mësuesit në përgjithësi janë ata që shkurtojnë distancat mes njerëzve, janë ata që rrëzojnë muret ndarëse. Për të gjitha këto Albana e meriton këtë titull nderi sepse ka arritur bashkë me ju të ndërojë ura bashkëpunimi, të formojë të rinj, nxënësit, për të bërë njerëz të mirë të së ardhmes.

Ne italianët dhe shqiptarët kemi diçka të përbashkët se na pëlqen të qahemi dhe themi a ka të ardhme vendi dhe unë teksa shoh sytë e buzëqeshur të të rinjve në shkolla kur i vizitoj them, po ata janë e ardhmja, ka të ardhme. Falë kësaj pune Albana merr këtë titull. Ky titull nuk është vetëm i Albanës por i të gjithë mësuesve. Albana Bushati ka qenë gjithmonë palë e privilegjuar e Ambasadës dhe zyrës së saj të shkollave duke siguruar një bashkëpunim shembullor në rolin e seksionit dygjuhësh italisht-shqip të Shkodrës, model përsosmërie, një nga shkollat më të njohura në Shqipëri, gjimnazit ’28 Nëntori’.

Profesoresh Bushati i ka mirëpritur gjithmonë me entuziazëm nismat e propozuara nga Ambasada Italiane. Albana Bushati ka luajtur ndër vite rol thelbësor në promovimin e seksionit dygjuhësh në Shkodër duke siguruar kështu një numër jo të pakët nxënësish të mirë dhe duke konsoliduar përhapjen e gjuhës italiane tek brezat e rinj në Shkodër.

Profesoresh Bushati ka kontribuar gjithmonë me gatishmërinë dhe profesionalizmin e saj në zgjidhjen e problematikave që herë pas here janë paraqitur dhe falë shpirtit të saj praktik, autoritetit dhe eksperiencës të saj të gjatë është bërë një shtyllë mbështetëse për seksionin dy gjuhësh si dhe një pikë e çmuar referimi edhe për drejtorat e shkollave të seksionit dygjuhësh në qytetet e Tiranës dhe Korçës”.

WhatsApp Image 2024 05 23 at 15.36.00

Drejtorja Bushati pasi mori dekoratën “Kalorës i Urdhrit të Italisë” të Presidentit italian, tha se për të dhe shkollën “28 Nëntorit” ky titull është një nder i madh që e motivon për të punuar edhe më shumë në të ardhmen.

Sot është një ditë e veçantë për mua, është një nder i madh që më jepet dekorata ‘Kalorës i Italisë’. Ky nderim është rezultat i punës në skuadër të të gjithë mësuesve të seksionit dygjuhësh italisht-shqip, të mbështetjes së vazhdueshme të dhënë nga Ambasada dhe zyra e saj e shkollave si dhe shpirtit të bashkëpunimit midis tre seksioneve të Tiranës, Korçës dhe Shkodrës. Puna ime në seksionin dygjuhësh ka për qëllim arritjen dhe ruajtjen e cilësisë dhe nivelin e lartë të kulturës dhe gjuhës italiane në këtë seksion, për shoqërimin e nxënësve në rrugëtimin e tyre të rritjes së arsimimit duke i kthyer njohuritë dhe aftësitë e tyre në kompetenca për të vijuar me lehtësi studimet universitare, si në Itali ashtu edhe në Shqipëri. Dëshiroj të falenderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi ndër vite por mbi të gjitha Presidentin e Italisë Sergio Matarella, qeverinë italiane dhe Ambasadorin Bucci për mbështetjen e vazhdueshme veçanërisht në arritjen profesionale të mësuesve të seksionit dygjuhësh nepërmjet veprimtarive trajnuese nga ekspertë në fushën e metodologjive të reja të mësimdhënies si dhe në përfshirjen e nxënësve në projektet që synojnë edukimin qytetar dhe zhvillimin e mendimit kritik si qytetar europian të së nesërmes.

Mund të përmend sëfundmi përfshirjen e shkollës tonë në projektin e miratuar nga Ministria e Arsimit, Ministria e Drejtësisë dhe Ambasada e Italisë mbi kulturën e ligjshmërisë në shkolla. Falenderoj Sergio Alias, zyrën e shkollave pranë ambasadës së Italisë në Tiranë, mësuesit e Ministrisë Italiane të Punëve të Jashtme apo edhe bashkëpunimin ndërkombëtar që kanë punuar dhe vijojnë të punojnë në seksionin dygjuhësh, bashëpunëtoret Tatjana Vuçani dhe Suzana Aga për kontributin e tyre të çmuar në mbarëvajtjen e seksionit. Falenderoj institucionet e arsimit në Shqipëri dhe një falenderim shkon për kolegët e mi dhe nxënësit tanë të mrekullueshëm sepse rezultatet e punës së tyre e rrisin vlerën time si drejtore. Kjo dekoratë më motivon më shumë për të vijuar këtë rrugëtim dhe bashkëpunim në seksionin dygjuhësh. Faleminderit Italisë, një vendi mik dhe të gjithëve ju”.

Albana Bushati e cila mori dekoratën “Kalorës i Urdhrit të Yllit të Italisë” drejton prej 12 vitesh shkollën e mesme “28 Nëntori” duke qenë ndër shkollat me rezultatet më të larta në vend dhe prej 34 vitesh është pjesë e arsimit shqiptar. Dy vite më parë gjimnazi “28 Nëntori” në 100 vjetorin e themelimit të saj u dekorua me titullin e lartë “Ndëri i Kombit” nga Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj./star-plus.tv

Artikulli paraprakHistoria e panjohur e ndeshjes së 15 majit 1951/ “Edhe pse në fushë u futën titullarët e Komitetit të Partisë duke e kërcënuar, Xhelal Juka, s’pranonte të dilte nga loja, pasi…”
Artikulli tjetërStudim i ri/ Përdorimi i përditshëm i marijuanës ka tejkaluar konsumimin e alkoolit në SHBA