Një tjetër grabitje e armatosur dhe sërish objektiv ka qenë një pikë karburanti. Bëhet e ditur se, tre persona kërcënuan me armë dhe grabitën rojet e një karburanti pranë Mbikalimit të “Fllakës” në Durrës në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Sipas policisë lokale, ngjarja ka ndodhur në orën 02:50 minuta, ndërsa grabitësit arritën të marrin xhiron ditore në vlerë afro 2 milionë lekë. Rojet kanë dëshmuar se vetëm njëri nga autorët ka nxjerrë pistoletën me të cilën kërcënoi rojen që ndodhej te arka e karburantit. Dy të tjerët kanë mbështetur veprimet e shokut dhe sapo kanë marrë paratë janë larguar me një makinë tip “Ford”. Policia ende nuk ka identifikuar grabitësit, por tha se është duke mbledhur të dhëna për të siguruar një informacion të plotë për ngjarjen.
Pikat e karburantit kohët e fundit kanë qenë objekt i grabitësve, sidomos ato që janë në autostradën Tiranë-Durrës, apo në Fushë-Krujë.
Të premten, maskat grabitën një pikë karburanti në Laç. Burime nga policia thanë se, tre persona të armatosur dhe me maska kanë mbajtur peng fillimisht rojen dhe më pas kanë grabitur firmën. Pas grabitjes të maskuarit janë larguar, ndërsa policia është njoftuar nga roja. Policia tha se është duke punuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Rreth dy muaj më parë në Sarandë, gjatë grabitjes së një karburanti u vra roja Artan Hoxha. Autori, Arqile Koçi, i cili mori nga arka 60 mijë lekë të reja, u arrestua disa orë më vonë. Për të shmangur ngjarje të tilla ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, ka kërkuar vendosjen e automateve elektronike për pagesën, kamera me rezolucion të lartë si dhe të lidhin çdo pikë me sinjal alarmi me sallën e komandimit.
Ndërkohë, po të premten, persona të armatosur dhe të maskuar janë futur në një banesë në Paskuqan dhe duke ushtruar dhunë dhe terror ndaj familjarëve ku kanë arritur të grabisin një shumë parash dhe një makinë që ndodhej në oborrin e shtëpisë. Maskat kanë kontrolluar banesën dhe kanë vjedhur, tre aparate telefonik, shumën monetare prej 32.000 lekë të reja dhe automjetin tip “Volksvagen”. Sipas rrëfimit të çiftit të grabitur, autorët kanë qenë tre persona të maskuar me bluze me kapuç.