Kryetarini PD, Lulzim Basha, në kuadër të takimeve për finalizimin e programit të PD, ka zhvilluar diskutime me ekspertë të bujqësisë. Basha shprehet se korrupsioni i përhapur kudo ka prekur edhe bujqësinë.
Ai gjithashtu thotë se përmes subvencioneve dhe investimeve në këtë sektor, ne do të bëjmë të mundur që fermerit t’i garantohet që prodhimi t’i shitet me fitim, si kudo në botë.
Postimi i kreut të PD, Lulzim Basha:
Me planin e saj PD do t’i japë përparësi bujqësisë. Me grupin e punës për programin e bujqësisë diskutuam detajet e fundit të planit për këtë sektor.
Korrupsioni i përhapur kudo ka prekur edhe bujqësinë. Jo vetëm që fondet e qeverisë për bujqësinë ndahen sipas preferencës dhe jo nevojës, por edhe fondet IPARD të BE-së, në vend që të shkojnë për fermerët, kanë shkuar për resorte për qeveritarët dhe klientët e tyre.
Ndaj, dhënia fund e pandëshkueshmërisë në çdo nivel të qeverisjes dhe lufta pa kompromis kundër korrupsionit, do të mundësonte që qeveria të kishte fonde të mjaftueshme për të mbështetur sektorin e bujqësisë dhe për të rritur fuqinë blerëse të qytetarëve.
Përmes subvencioneve dhe investimeve në këtë sektor, ne do të bëjmë të mundur që fermerit t’i garantohet që prodhimi t’i shitet me fitim, si kudo në botë. Një nga çështjet më të rëndësishme, që ne do të bëjmë gjithçka për t’i dhënë zgjidhje të shpejtë, është edhe çështja e pronës.