Topalli i mbyll gojën thashethemexhinjve

Jozefina Topalli ka sqaruar dje arsyen e mungesës së ditës së diel në festën e 26-vjetorit të partisë.
Me anë të një postimi në profilin e saj në FB, Topalli shkruan se e kishte të pamundur të merrte pjesë, duke renditur edhe arsyet, që sipas saj, nuk kanë asnjë lidhje me politikën e aq më pak me diferencat që ajo ka me Lulzim Bashën.
“Dje PD është bërë 26 vjeçe. Unë nuk e kisha të mundur të isha pjesë e këtij përvjetori të themelimit të partisë të parë opozitare, të partisë së lirive për arsye që nuk lidhen fare me politikën dhe aq më pak me diferencat që kam me Lulzim Bashën.
Unë prej disa ditësh nuk kam patur mundësi të jem as në seancë parlamentare sepse nëna ime është e sëmurë. Për 20 vite rresht duke ndjerë përgjegjësi në detyrat e mia unë nuk kam qëndruar gjatë as me fëmijët e mi, as me nënën time. Tani që ajo është në shtrat unë i rri tek koka dhe do të vazhdoj t’i rri për ta ndihmuar me sa të mundem.
Nuk do të kisha dasht fare të flas për një gjë krejt timen, private. Por duke parë titujt në disa media po e bëj këtë sqarim vetëm në respekt të demokratëve që kanë besuar e janë sakrifikuar në vite pa kërkuar asgjë; e bëj në respekt të miqve të mi.
Dhe uroj me gjithë zemër që partia e ëndrrave të kthehet në vlerat e saj e t’i dalë zot interesave të vendit me kurajo e sinqeritet. Neve nuk na lejohet më të ankohemi apo vetëm të kritikojmë qeverinë më të keqe të këtyre 25 viteve.
Ne duhet të ndryshojmë këtë politikë të kalbur nga korrupsioni, paaftësia e meskiniteti. Ne duhet t’i bëhemi digë asaj, për të mos lejuar politika që dëmtojnë ekonominë e vendit e të njerezve. Ne duhet të rrisim presionin e t’i kthejmë rrezen e diellit e këtë ta bëjmë me vepra e jo vetëm me fjalë. Vendi e njerëzit janë në dëshpërim.
Ne duhet t’i kthejmë shpresën; Ne duhet t’i bindim në fitore. Duke u kthyer në vlerat universale për të cilat PD u themelua ne do të ndalim rënien e do të ndryshojmë vendin. Unë besoj tek çdo demokrat, besoj tek ndryshimi e besoj se ky vend bëhet.
Duhet vetëm përkushtim e ndershmëri. Mirënjohje të thellë themeluesve të PD, atyre që iu gjendën asaj në kohë të vështira për ta ringritur nga hiri, mirënjohje çdo demokrati që e deshi dhe e mbrojti pa asnjë interes”.

Artikulli paraprakUrimi i Meksit për 26-vjetorin e PD
Artikulli tjetërFaqja e pare