Berisha: Në Venecia u rrëzua projekti i PS

Ish-Kryeministri Berisha deklaroi mbrëmë se Komisioni i Venecias i ka dhënë të drejtë të plotë pretendimeve të opozitës për të mos lejuar kapjen e procesit të Vettingut nga qeveria.
“Partia Demokratike ka dhënë kontribut historik në këtë reformë. Kjo reformë arriti standardet ndërkombëtare falë PD. Nuk u rrëzuan draftet e PD në Venecia. Atje u rrëzuan projektet e PS dhe atyre që mbështeten PS“, thotë ai.
Por cilët janë mbështetësit e PS?
“Dihen! Nuk ka nevojë! Ata që vunë vulën, firmën. Dihet kush janë. Ekspertët tanë dërguan atje edhe mendime. Po të lexosh nenet e saj i jep 100 përqind të drejtë PD. Parimi kryesor, juristët mund të kapin dhe i kanë pasion detajet. Parimi që u ankuam ishte që ky ligj të bëhet nga trupa kushtetues e zgjedhur dhe jo nga institucionet mafioze të një qeverie që është për mua organizatë kriminale. Përsa i përket përfshirjes së organeve në kontrollin e ekzekutivit, tregon që pavarësisht përfshirjes së institucioneve në procesin e investigimit dhe në kërkimin fillestar të provave, është me komisionin e pavarur dhe dhomën e apelit që kanë fuqinë të verifikojnë për vetë provat“, thotë Berisha.
Sipas Berishës është Partia Demokratike që ka përcaktuar kusht bashkëpunimin dhe dërgimin e materialeve në Venecia. Ai vetë thotë se pret që Gjykata Kushtetuese të zbatojë rekomandimin e Venecias.
“Venecia thotë që gjykata duhet të përcaktojë nëse trupi kushtetues ka fuqi të plotë për të kontrolluar të gjitha institucionet e qeverisë. Ne presim që gjykata të zbatojë rekomandimin e Venecias”, tha ai.

Tentativa për grusht shteti

“Kam shprehur dhimbje dhe keqardhje për ata njerëz, por institucioni nuk dorëzohej nga Sali Berisha. Ishte zgjedhje e gabuar nga Edi Rama. Ishte jashtë diskutimit që unë të lëshoja zyrën time. Kam shprehur dhimbjen më të madhe për viktimat, por as 1, as 3, as 300 nuk do të pushtonin zyrën time”, tha ai.
Ish-Kryeministri tha se asnjëherë nuk ka parë kundërshtarët e tij politikë si armiq. Për të ka patur vetëm një armik.
“Në politikë në 26 vite kam konsideruar një armik të egër dhe asnjë tjetër dhe ai ka qenë Sllobodan Milloshevic. Nuk isha i sigurtë nëse të tjerët ndajnë këtë mendim. Pashë më 21 Janar Ramën që ushqente urrejtje dhe armiqësi sa donte të mbante fjalim nga ballkoni i zyrës time dhe ndjeva keqardhje që ka mbartës të një diversiteti armiqësor. Unë pavarësisht nga qëndrimet e tij, në publicistikën e tij kishte edhe qëndrime shumë të drejta. Armik e kam shumë të vështirë të konceptoj kundërshtarin”, deklaroi Berisha. Ai akuzoi pasardhësin e tij se më 21 Janar u soll si armik.  “Qëndrimi i tij më 21 Janar ka shënuar një pikë kthese në qëndrimin e jetës time sepse nuk e kisha konceptuar kurrë si armik. Ai u soll si armik më 21 janar”, u shpreh ai.
Berisha nuk e quajti sulm ndaj kryeministrisë 14 Shtatorin.   “Atë se ka sulmuar kurrë Sali Berisha. S’e sulmoj dhe nuk e sulmoj ndonjëherë unë. 14 Shtatori ishte një ngjarje që jo ne, por ministrat e Jashtëm të BE-së thanë që vendi ishte në prag të luftës civile. Ishte një zemërim i pakontrolluar i njerëzve. U kam kërkuar që të largohen me çdo kusht dhe kundërshtarët e mi e pohojnë këtë”, vijoi ai.

Azem Hajdari ishte një vullkan

Berisha u pyet në lidhje me akuzat e ish-truprojës së tij, Izet Haxhisë, që thotë se ish-Kryeministri është përgjegjës dhe i përfshirë në ngjarjet që vranë Azem Hajdarin. “Ky është njëri nga vrasësit e akuzuar nga Sali Berisha. Ka një dëshmi të dorëzuar tek prokurori ndërkombëtar dhe prokurorit të vendit, që e dorëzoi menjëherë në media. Ambasadori amerikan ja dha prokurores norvegjeze dhe një tjetër Arben Rakipit. Ai e nxorri në treg dhe bëri gjithcka për ta sabotuar. Por prokurorja norvegjeze bëri të kundërtën. Vëllai i tij qëndroi dhe vuajti dënimin, u tregua burrë, ndërsa ky ja mbathi. Edi Rama nuk ja çon dosjen në Strasburg për të bërë pikërisht këto deklarata që bën”, u shpreh ai. Por a ka Berisha një peng të pathënë për Azem Hajdarin.
“Në marrëdhëniet që kemi patur është ndarë nga jeta dhe Sali Berisha me ndjenjat më miqësore dhe më njerëzore që kishte kush. Por Azemi ishte vullkan. Nëse dikush e merrte ndryshe nuk e njihte. Ishte një kafshë politike në kuptimin e mirë. Një njeri me instikte politike të jashtëzakonshme dhe në këtë mes kundërshtitë ishin normale, por asnjëherë me mbetje prapa apo akumulim. Ai udhëhoqi Komisionin e Sigurisë Kombëtare që e dëshi vetë dhe në dijeninë time nuk ka patur dëshirë për të qenë anëtar në kabinet dhe vetë zgjodhi komisionin e sigurisë”, deklaroi ish-Kryeministri.

Frikë nga hetimi?

Sali Berisha ka pranuar të dëshmojë, ka dëshmuar për vrasjen e Azem Hajdarit para prokurorve të huaj, ndërsa iu shmang hetimit për ngjarjet e Tropojës. A ka frikë ai nga hetimi?
“Asnjëherë! Unë dëshminë time për vrasjen e Azemit e kam bërë me vullnet të plotë. Nuk ja kam bërë Arben Rakipit. Ai ishte avokati i krimit në atë kohë. Dëshmia ime dhënë ambasadorit amerikan që ai e dorëzoi tek prokurorja ishte këmbëngulja jonë hetimi ndërkombëtar dhe ata erdhën dhe dënuan disa prej atyre. Të tjerët i eleminuan nga dosja. Vrasësit direkt të Azemit morën ndëshkim, organizatorët nuk ishte në dorën tonë. Unë dhashë të gjithë dhe dija jo pak“, u përgjigj ai.

Top STORY

Artikulli paraprakRama, amnisti për të liruar vrasësin Prenga
Artikulli tjetërBiznesi në revoltë ndaj korrupsionit në dogana